Takimi Trump-Putin

Takimi i parë ballë për ballë këtë javë i presidentit Donald Trump me homologun rus Vladimir Putin do të jetë i mbushur me intriga globale, por Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka “axhendë specifike”.
Në mungesë të një liste të caktuar temash, janë ngritur pyetje se çfarë kanë parashikuar të diskutojnë dy udhëheqësit.
Presidenti Trump, i cili preferon të shënojë arritje në takime të profilit të lartë, mund të kërkojë disa lëshime nga Rusia si dëshmi e përparimit dhe rivendosjes së një marrëdhënieje produktive ndërmjet dy fuqive. Presidenti Putin është pothuajse e sigurtë se do të donte diçka në këmbim. Ekziston një listë e gjatë çështjesh problematike mes dy vendeve që dy udhëheqësit do të duan t’i zgjidhin.
Sipas një zyrtari aktual dhe një ish-zyrtari të administratës që folën në kushte anonimiteti, anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe ata të Departamentit të Shtetit kanë rishikuar se çfarë mund t’i ofrojë Amerika Rusisë si pjesë e takimit.
Çdo shenjë e jashtme e shprehjes së miqësisë mes zotit Trump dhe atij Putin do të kapet menjëherë nga kritikët e presidentit që e sulmojnë presidentin se po tregohet i butë ndaj udhëheqësit rus.
Në vëmendje do të jenë edhe hetimet në vazhdim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.
Takimi i dy udhëheqësve pritet të ndodhë në Hamburg të Gjermanisë, ndërsa marrin pjesë në takimin e Grupit të Njëzetëshes.

Artikulli paraprakIdentiteti i azilkërkuesve mbetet i pasqaruar
Artikulli tjetërRusia e Kina vihen në lëvizje