Tahiri, përgjime me pajisje të maskuara si matës lagështie

Një fakt skandaloz ka dalë për herë të parë dje në Komisionin Hetimor Parlamentar për përgjimet kur po pyetej drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Policia ka përgjuar ambasada të rëndësishme, institucione shtetërore dhe të burgosur “VIP”, nëpërmjet maskimit të një aparature përgjimi me atë të një tjetre, që është deklaruar si për matjen e lagështirës dhe regjistrimin e cilësisë së ajrit. Ky fakt ka dalë nga pyetja e kryetarit të komisionit Flamur Noka, i cili ka treguar edhe një rast, kur punonjësi i policisë Ention Xhelili, ka hyrë me makinën e tij dhe me pajisjen “mjedisore” në Burgun 312.
Gjithçka është e protokolluar nga punonjësit e burgut, por drejtori i Përgjithshëm Çako, nuk ka pranuar të përgjigjet për këtë çështje, duke deklaruar se, bëhet fjalë për informacion të klasifikuar, i cili është në dorë të Prokurorisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako nuk e ka mohuar këtë fakt skandaloz, i cili i jep një dimension tjetër, skandalit të përgjimeve të organizuara nga ministri Tahiri.
Vetëm shtatë muaj më parë, pranë të njëjtit institucion, por këtë herë në komisionin e përhershëm parlamentar për sigurinë kombëtare, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ashtu si kreu i Policisë Haki Çako, nuk nguruan në bashkëpunim, edhe pse proçedimi i Prokurorisë kishte nisur prej mbi dy javësh.
“Jam shumë i qartë kur them se Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka, dhe në bazë të ligjit nuk mund të ketë një pajisje përgjimi. Nuk ka kryer dhe nuk do të kryej përgjim të telekomunikimit”, u shpreh Çako më 19 maj 2016.
“Kjo pajisje që s’ka as mundësi fizike për përgjim është në përdorim nga punonjësit e policisë italiane, të cilët janë këtu dhe duhet t’i falënderojmë. Kjo pajisje nuk ofron përgjim, as nuk ka kapacitetin fizik të përgjojë”, ka deklaruar Tahiri në të njëjtën ditë me Çakon.
Përgjigjet shteruese të ministrit Tahiri dhe drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, dashje padashje krijojnë edhe hapësirën për kakofoni mes anëtarëve të Komisionit Hetimor. Edhe pas 7 muajsh, historia e përgjimeve të paligjshme të policisë mbetet konsistente.

Tahiri refuzon të përgjigjet, braktis Komisionin Hetimor

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka refuzuar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve në lidhje me pajisjen e përgjimit IMSI Catcher, është larguar nga Komisioni Hetimor parlamentar. Ai tha se nuk kishte kohë për të humbur dhe injoroi kërkesën e komisionit për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të dëshmitarëve.
Kryetari i komisionit, deputeti Flamur Noka, i ka drejtuar disa pyetje, në lidhje me deklaratat e bëra prej tij për pajisjen apo nëse kishte dijeni se për çfarë është përdorur kjo pajisje. Ministri ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se komisioni mund t’u referohet deklaratave të tij publike ose hetimeve të Prokurorisë dhe nëse ka rezerva, mund ta kallëzojë atë në Prokurori. “Kjo është pyetja ime për këtë pyetje dhe për çdo pyetje që vjen pas saj”, tha ai.
Prokuroria dyshon se IMSI Catcher është futur në Shqipëri në shkelje të ligjit dhe është përdorur po në shkelje të ligjit nga Policia e Shtetit për të kryer përgjime të paligjshme të krerëve të disa institucioneve. Përdorimi i kësaj pajisjeje në shkelje të ligjit përbën cenim të sigurisë kombëtare.
Sipas Prokurorisë, IMSI Catcher jo vetëm është futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, por është përdorur për të kryer hetime të paligjshme. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe arrestimin e dy oficerëve të policisë.
Gjykata e Shkallës së Parë e pezulloi Çakon, por vendimi solli një sulm të paprecedent të ministrit të Brendshëm dhe vetë kryeministrit Rama ndaj gjyqtarit që dha vendimin. Ndaj tij, menjëherë pas marrjes së vendimit, nisi edhe një hetim pasuror nga policia, një akt që u komentua si përdorim i Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm për qëllime politike. Pas këtij sulmi, Gjykata e Apelit vendosi ta rikthejë Çakon në detyrë. Pajisja IMSI Catcher nuk është sekuestruar ende, pasi misioni italian Interforce, që e ka futur atë, nuk ka pranuar ta dorëzojë.

Çako si Tahiri, refuzon të përgjigjet për përgjimet

Ashtu si ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor parlamentar për futjen e pajisjes së përgjimit IMSI Catcher dhe mënyrën sesi u përdor. Çako iu shmang në të gjitha format, pyetjeve në Komisionin e Posaçëm Hetimor. Çako, ndryshe nga ministri, pyetjes së thjeshtë nëse kishte dijeni për futjen e asaj pajisjeje, nisi t’i përgjigjej duke lexuar një fashikull me referenca ligjore, por Flamur Noka, kreu i komisionit, e ndërpreu disa herë duke i thënë se përgjigjja ishte e thjeshtë fare: Po apo jo?
Dhe më interesante u bë përgjigjja e Çakos, kur iu ndërtua pyetja ndryshe: “Çfarë ka sekuestruar Prokuroria në polici?”
Përgjigjja e kryepolicit ishte se, “nuk e di çfarë ka inventarizuar Prokuroria, s’është puna ime” dhe ai nuk pranoi asnjëherë të përgjigjej thjesht, por kurdoherë e ka nisur fjalën me: “Procedimi penal me numër…., regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë”.
Para Çakos, në komision ishte thirrur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke zgjedhur një përgjigje standarde për të gjitha: Drejtohuni Prokurorisë, nëse keni rezerva, më kallëzoni!
Në komision u zbulua nga Noka edhe fakti se pajisja ishte futur nga punonjësi i policisë, Ention Xhelili edhe në burgje me argumentin “për të matur lagështinë e ajrit në burgje”, por Çako tha se, kjo ishte sekret shtetëror. Noka sërish e pyeti: A mund të thoni nëse Ention Xhelili është punonjës i policisë, por nuk mori përgjigje: “Ju lutem, referojuni procedimit përkatës për këtë çështje!”.
Pas refuzimit të përgjigjeve nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryetari i Komisionit, Flamur Noka, u shpreh se, ishte mëse e qartë porosia që kishin marrë Tahiri dhe Çako për të vënë atë “kasetë”.

R.POLISI

Artikulli paraprakRevoltë në Korçë, banorët: Peleshi po na grabit tokën
Artikulli tjetërZgjedhjet dhe blerja e votave, sfidë mbi sfidat për Shqipërinë