Tahiri, 2 orë e gjysëm në Prokurori

Prokurorët e çështjes thirrën dje ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ta marrë në pyetje. Pas gati 2 orë e gjysmë dëshmi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ish-ministri Tahiri refuzoi të jepte përgjigje konkrete mbi pyetjet që dy prokurorët e çështjes, i kanë parashtruar apo provat që mund t’i ketë paraqitur. Në prononcimin para mediave, Tahiri tha se do t’i shkojë deri në fund të drejtës dhe të vërtetës së tij dhe theksoi se mbetet tërësisht i hapur për çdo hetim.
“U paraqita për të dhënë shpjegimet e mia dhe për të shprehur gatishmërinë sot dhe kurdoherë për t’i shkuar të vërtetës deri në fund me çdo mjet timin, dhe disponibilitetin personal për t’iu përgjigjur çdo kërkese të Prokurorisë. Do ju kërkoja që atë që bëra me prokurorët brenda mos ta bëja edhe këtu, se do ishte punë e dyfishtë. Unë jam tërësisht i disponueshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje, i hapur për çdo hetim, do t’i shkoj deri në fund të drejtës dhe të vërtetës sime”, u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se, kjo çështje nuk duhet të kthehet në debat politik, por duhet t’i lihet drejtësisë. “Unë nuk kam ndërmend ta bëj betejën time për drejtësi para jush, apo akoma më keq ta kthejnë në një histori debati politik. Mendoj se debati politik për këtë histori duhet të mbyllet. Unë këtë betejë e kam me drejtësinë”, tha Tahiri.
Ndërkohë, burimet bënë të ditur se ish-ministri Tahiri, ka mohuar të gjitha akuzat për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Tahiri ka deklaruar se nuk i njeh Moisi, Artan dhe Florian Habilaj. Mësohet se para prokurorëve ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me Habilajt, përveç shitjes së makinës tip “Audi” në vitin 2013.
Ish-ministri i Brendshëm u mor në pyetje nga prokurorët Artan Prençi dhe Vladimir Mara, pjesë e grupit të prokurorëve që merren me këtë çështje, ndërsa numri gjithsej i prokurorëve të angazhuar për çështjen është 5. Gjatë dëshmisë së tij, prezent ishin dhe dy avokatët e tij Artan Hajdari dhe Maks Haxhia. Kërkesa për marrjen në pyetje të Tahirit është firmosur ditën e enjte nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Dëshmia e Tahirit në Prokurori vjen një ditë pas kontrollit të oficerëve të Policisë Gjyqësore në banesën e tij te Kodra e Diellit. Katër oficerë të Policisë Gjyqësore u paraqitën tek shtëpia e ish-ministrit Tahiri për të kontrolluar rreth dy orë banesën, pas urdhërit të Prokurorisë.
Rama i dha kohë të mjaftueshme Tahirit për të zhdukur të gjitha provat që e inkriminojnë atë me bandën e Habilajve. Pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, ky i fundit me ndihmën e trafikantëve zhduku provat që e inkriminojnë. Ish-ministri Tahiri akuzohet për trafik droge dhe korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë.

R.POLISI

Artikulli paraprakMë 31 tetor seanca e parë gjyqësore e bandës së Habilajve në Katania
Artikulli tjetërRama i trembet hetimeve, sulmi ndaj Zaganit duke u dridhur e kruajtur