Spanja, një paqe gjithmonë e shtyrë

Vitet ’30 e shekullit të XX-të janë karakterizuar nga dhuna. Deri në vitin 1939, vendi është masakruar nga lufta civile, më pas kalon më shumë se 35 vite diktaturë përpara se të kthehet në demokraci. Sot shteti qendror kontestohet nga indipendentistët katalanas.

“Delenda est monarchia” (Monarkia duhet të shkatërrohet): më 15 nëntor 1930, eseisti dhe filozofi liberal José Ortega y Gasset e përfundon kështu një artikull të botuar në gazetën “El Sol”, në të cilin denoncon qëndrimin e Mbretit Alfonsi i XII-të Burbon të Spanjës në përfundim të diktaturë së Miguel Primo de Rivera y Orbaneja. Për ta kuptuar shtrirjen e këtij pohimi duhet lexuar shprehja e mëparshme: “Spanjollë, shteti juaj nuk ekziston më. Duhet rindërtuar!”. Ja kështu një diagnozë që shërben si fill përçues për historinë bashkëkohore të Spanjës. Në vitin 1922, po Ortega y Gasset kishte botuar Spanja pa shtyllë kurrizore, një ese ku, duke pyetur lidhur me kuptimin e historisë spanjolle, përfundonte duke nxjerrë në pah dobësinë e procesit të kombëtarizimit.
Duke filluar nga viti 1931 ambicia e republikanëve do të jetë të rindërtojnë një shtet të fortë, që t’i shpëtojë darës së Kishës, që të dijë t’u japë përgjigje rivendikimeve rajonale të nacionalizmit katalanas, bask e galician dhe që të arrijë të sigurojë garancitë e nevojshme për zhvillimin ekonomik e social. Ky shtet republikan, që zhvillohet midis viteve 1931 e 1936, do të hasë në rrugën e tij rezistenca shumë të forta. Lufta civile do të jetë në konflikt midis dy identiteteve të kombit dhe dy projekteve shtetërore. Dhe vizioni centralizues, tradicionalist e konservator i mishëruar nga Gjenerali Francisco Franco do të ketë epërsinë.
Me vdekjen e Franco në vitin 1975, nëqoftëse shteti ekziston, ai është një instrument politik i urryer. Përparimi për t’i dhënë jetë një organizmi demokratik dhe për të siguruar një tranzicion duke filluar nga respektimi i ligjshmërisë do të përbëjë sfidën kryesore për aktorët e demokratizimit. Një sfidë që vazhdon edhe sot. Në vitin 2017 shteti në Spanjë është kontestuar nga tentativa separatiste, pa baza ligjore, e kryer nga institucionet katalanase, Parlament dhe Generalità. Pavarësisht nga aspekti i pastër i ligjshmërisë demokratike, të cilës katalanasit ndoshta nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje dhe sidomos faktit që një shkëputje është historikisht në kundërrymë me të tashmen, reforma e shtetit spanjoll duket gjithësesi e domosdoshme. Por nëqoftëse ekziston një marrëveshje lidhur me diagnozën, divergjencat, nganjëherë të pakalueshme, mbizotërojnë ndaj zgjidhjes eventuale. Kështu që kërkohet të pyetet nëse shteti në Spanjë përfaqëson një mishërim të sovranitetit popullor apo është shprehje e “blloqeve të pushtetit” që e kontrollojnë. Dhe nëse institucionet kanë dështuar apo jo në ndërtimin e qytetarëve të tyre duke përcaktuar krizën aktuale.
Zgjedhjet e 12 prillit 1931 u sigurojnë një fitore dërrmuese republikanëve dhe Alfonsi i XIII-të e lë Spanjën. Më 14 prill shpallet republika, monarkia “shkatërrohet”, pikërisht siç e kërkonte Ortega y Gasset. Deri në miratimin e kushtetutës, më 9 dhjetor, vendi përjeton 8 muaj agjitacioni të madh politik. Si në kohërat e Cortès të Kadiksit (1810 – 1812), puna e Asamblesë Kushtetuese i jep jetë një serie projektesh dhe diskutimesh lidhur me Spanjën. Rindërtimi i shtetit kërkon përkufizimin e “kombit”. Numri i opsioneve është i madh: shkon nga republika federale, e ëndërruar nga disa nacionalistë katalanas, tek centralizmi jakobin, që shikon tek shembulli francez modelin që duhet ndjekur. Të gjithë janë dakord mbi laicitetin e shtetit e të shoqërisë. Socialistët do të donin të ndërtonin një republikë sociale. Monarkistët vazhdojnë të shikojnë tek monarkia dhe tek kisha një përfaqësim të identitetit historik të vendit. Në vitin 1932, me sugjerimin e Vatikanit, katolikët ftohen që ta shmangin lidhjen e luftës me kauzën e monarkisë dhe ta mbështesin kishën në gjirin e republikës. Faktori religjioz imponohet përpara parametrit institucional. Por mbi projektin republikan peshon kujtimi i dështimit të republikës federale dhe i kantonalizmit të periudhës 1873 – 1874, e rënë nën goditjet e restaurimit monarkik. Qysh atëhere ishte ngritur çështja e unitetit kombëtar: lëvizja kantonaliste, e frymëzuar pjesërisht nga idealet e Komunës së Parisit, kishte tentuar kartën e decentralizimit ekstrem. Për ta, revolucioni territorial shprehte revolucionin social.

Republika donte ta shmangte këtë kujtim dhe drejtuesit republikanë kanë interes që të tregojnë se sistemi i ri institucional është në përputhje me unitetin e vendit. Më 14 prill 1931 shpallet nga Francesc Macià i Llussà, udhëheqës i Esquerra Republicana de Catalunya (ERC), Republika Katalanase në Federatën Iberike. E themeluar më 19 mars 1931, partia dëshiron që të zërë krahun e majtë të nacionalizmit. Nga Madridi vijnë sinjale çtensionimi, për të mos hapur një krizë më të gjerë lidhur me natyrën e shtetit spanjoll. Por gjithësesi merret impenjimi për të shkruar një kushtetutë që do t’i japë hapësirë specificitetit katalanas.
Neni 1 i kësaj kushtetute lexon: “Republika përbën një shtet integral, të pajtueshëm me autonomitë e dy njësive vendore dhe të rajoneve”. Modalitetet e kësaj autonomie përcaktohen në nenet 11 e 12 dhe ndarja e kompetencave midis shtetit qendror dhe rajoneve autonome përshkruhet në nenet nga 14 deri tek 22. Neni 4 shpalla: “Kastiliançja është gjuha zyrtare e republikës. Çdo spanjoll ka detyrimin që ta dijë e ta përdorë, pa paragjykuar të drejtat që ligjet e shtetit mund t’u njohin gjuhëve të provincave dhe të rajoneve. Përjashto dispozita të kundërta me ligje specifike, nuk mund të pretendohet nga askush njohja dhe përdorimi i ndonjë gjuhe rajonale”. Megjithëse duke ju njohur “provincave me karakteristika historike, kulturore dhe ekonomike të përbashkëta mundësinë e organizimit në “rajone autonome”, shteti preokupohet që ta përkufizojë në detaj perimetrin e kompetencave e këtyre “bërthamave politiko – administrative”.
Katalanizmi e sjell furishëm specificitetin e rajonit, që duhet të rrënjoset në kulturë, në drejtësi dhe në ekonomi, por që është politikisht i rrezikshëm. E majta katalanase ka marrë maksimumin e konsensuseve në zgjedhjet rajonale e 1932. Në vitin 1933, ndërsa për herë të parë gratë spanjolle mund të votojnë, e djathta fiton zgjedhjet e përgjithshme. Konfrontimi midis Madridit dhe Barcelonës bëhet një përplasje e djathtë – e majtë që e komplikon faktorin rajonal. Momenti kulmor ndodh më 6 tetor 1934: Lluis Companys i Jover shpall Shtetin katalanas të Republikës Federale të Spanjës. Asnjë rezistencë në hyrjen e ministrave të djathtë në qeverinë qendrore e Alejandro Lerroux Garcia. Barcelona synon që të mishërojë shpirtin e republikës spanjolle. Me urdhër të Lerroux Garcia, Gjenerali Domingo Batet Mestres kryen operacionet e rivendosjes së rendit kushtetues. Mëngjesin e 7 tetorit, autoritetet katalanase dorëzohen. Qysh nga ai moment nis një periudhë ku autonomia katalanase harrohet krejt.
Kjo kundërvënie midis Madridit dhe Barcelonës, midis autoritetit qendror dhe një vizioni federalist, do të marrë konotacione mitike në sytë e nacionalistëve katalanas. Akoma sot disa mendojnë se lufta civile ka qenë një luftë e Spanjës kundër Katalonjës. Në të vërtetë kemi pasur një përplasje midis të djathtës, që kishte fituar zgjedhjet e vitit 1933, por pa siguruar një mazhorancë të mjaftueshme qeverisëse, dhe të majtës, që e kishte Katalonjën si bastionin e saj. Lëshimi i Alejandro Lerroux ndaj së djathtës të José Maria Gil Robles y Quiñones, kreu i CEDA-s (Konfederata Spanjolle e të Djathtave Autonome) është për të majtën republikane një tradhëti.

Fitorja e së majtës me Frontin Popullor në shkurtin e 1936 duhej ta normalizonte situatën dhe t’i jepte Generalitat pushtetet e tij dhe Katalonjës autonominë e saj. Zbatimi i programit republikan, sidomos në planin social, si mbi çështjen rajonale me një statut autonomie të negociuar për Vendet Baske dhe një parastatut për Galicinë, kontribuojnë që të mobilizohen sërish opozitat, që nisin të komplotojnë. Më 17 dhe 18 korrik 1936 opozitat lëvizin: është tentativa e grushtit të shtetit. Lufta civile që pason bëhet një luftë midis të paktën dy Spanjave. Nëse në korrikun e 1938, në një moment kritik për republikanët, Presidenti i Republikës Manuel Azana Diaz mbron idenë e një zgjidhjeje të përgjithshme të mbështetur mbi paqen, mëshirën dhe faljen, nga ana e tij Franco do me çdo kusht një fitore totale. E arrin në prillin e 1939 dhe e zgjat me një represion të pamëshirshëm.
Në disa aspekte, regjimi frankist mbetet enigmë. Paraqet tipare fashiste me përqëndrimin e pushtetit në duart e “Caudillo” dhe sistemin njëpartiak. Është edhe një diktaturë ushtarake, me një përfaqësim oficerësh në instancat qeveritare e administrative. Institucionalisht, mbështet tek ambiguitet. Në vitin 1947 Ligji i Suksesionit, i miratuar me referendum, përcakton se “Spanja si unitet politik është një shtet katolik, social dhe përfaqësues, që në përputhje me traditën e saj, deklarohet e kyçur në mbretëri”. Por Neni 2 saktëson: “Drejtimi i shtetit i takon Caudillo të Spanjës dhe të Kryqëzatës, Gjeneralisimit të Forcave të Armatosura, Francisco Franco Bahamonde”. Një mbretëri pa mbret… Një shtet tradicional që nuk ka dinasti… në vitin 1966 një ligj organik i ri kontribuon në dallimin e funksioneve të kreut të shtetit dhe të kreut të qeverisë. Megjithatë, do të duhet të pritet viti 1973 që Franco të emërojë një titullar: do të jetë besniku i tij, Admirali Luis Carrero Blanco, i vrarë më 20 dhjetor të po atij viti nga ETA baske.
Në të vërtetë, regjimi është autokratik. Franco është burimi i çdo pushteti. Administrativisht, pushteti realizohet nëpërmjet guvernatorëve të provincave, ekuivalenti i prefektëve, të emëruara direkt nga Ministria e Brendshme. Kjo normë përbën shenjën e ricentralizimit të shtetit me të cilën procedon regjimi frankist. Sipas historianit Marti Marin Corbera të Universitetit të Barcelonës, “bëhet fjalë për një administrim territorial, që dëshironte të homogjenizonte funksionimin administrativ dhe politik të vendit në tërësinë e tij” (Corbera Martì Marin, “Los governadores civiles del franquismo, 1936-1963”, tek Historia y Politica Nr. 29, 2013).
Gjithë kësaj i shtohet një diskutim nacionalist që synon të imponojë konceptimin e Spanjës katolike dhe unitare, themel i Kryqëzatës antirepublikane, si e vërteta e vetme e kombit. Forca e Franco ka qenë ajo e realizimit të një sinteze midis ambicieve fashiste të falangave spanjolle të José Antonio Primo de Rivera y Saenz de Heredia (i pushkatuar nga republikanët në vitin 1936) dhe konceptimeve konservatore të së djathtës tradicionale. Nacionalizmi do të shërbejë si motor për mobilizimin e masave deri në fundin e regjimit.

Në radhë të parë, centralizimi frankist ka qenë një reagim ndaj decentralizimit të nisur nga republika. Por atij i është dashur të ndeshet me mbeturina historike. Nëqoftëse Katalonja ka humbur institucionet e saj autonome, Vendet Baske trajtohen si provincë. Guipuzcoa dhe Biscaglia, që kishin rezistuar, ndëshkohen, duke humbur privilegjet etyre fiskale të trashëguara nga luftërat e shekullit të XIX-të. Por Provinca Alava, që ishte rreshtuar në favor të kryengritjes frankiste, do t’i ruajë privilegjet e saj. Motoja e frankizmit – Spanja një e madhe dhe e lirë – këmbëngul ndaj unitetit. Modeli historik i premtuar nga Franco është ai i Spanjës perandorake, ai i apogjeut të shekullit të XVI-të.
Paralelisht, duke filluar nga periudha 1958 – 1960, regjimi adopton një politikë liberalizimi që i hap dyert rritjes. Në dekadën pasuese, gjeografia dhe ekuilibrat socialë modifikohen thellësisht. Madridi kalon nga 1 milio banorët e 1940 në 3.1 milionët e 1970; Barcelona kalon nga 1 në 1.7 milion; Bilbao nga 195000 në 400000. Midis viteve 1941 dhe 1975, 6 tërësi rajonale favorizohen nga migrime të brendshme (Katalonja, Madridi, Vendet Baske, Valencia, Balearet, Kanariet), ndërsa Spanja qendrore (Kastilja, Aragona dhe Estremadura), ajo jugore (Andaluzia dhe Murcia) dhe veriperëndimore (Galizia, Asturiet dhe Cantabrica) boshatisen, nën efektin e një eksodi rural masiv.
Në vitin 1975, kur vdes Franco, është tashmë në veprim një kulture e re spanjolle, e tërhequr nga konsumizmi, e shënuar nga përvoja masive e emigrimit të brendshëm apo të jashtëm. Ajo bart edhe gjurmë të rikompozimit të katolicizmit paskonciliar dhe përshkohet nga militantizmi i grupeve antifrankiste. Arqipeshkëvi i Madridit, Imzot Vicente Enrique y Tarancon, me rastin e meshës së fronëzimit të mbretit të ri Juan Carlos më 27 nëntor 1975, i jep fund iluzionit nacionalo – katolik. Ai kujton se “besimi kristian nuk është ideologji dhe se nuk mund të identifikohet me njërën apo tjetrën prej ideologjive mbizotëruese”. Duke vepruar kështu, ai pranon legjitimitetin e pluralizmit politik, social, kulturor dhe ideologjik. Me këtë diskutim Spanja mund dhe duhet të zgjedhohet në shumës.
Në këtë pikë, nis një periudhë traktativash politike midis pushtetit dhe opozitave për ta çuar vendin drejt një demokracie. Do të jetë pikërisht tranzicioni demokratik që në mënyrë konvencionale çon në emërimin e Don Adolfo Suarez Gonzales, Dukë i Suarezit, në drejtimin e qeverisë në vitin 1976 dhe përfundon me fitoren e socialistëve në vitin 1982. Në këto diskutime që përfundojnë me legalizimin e partive politike, zgjedhjet e lira (15 qershor 1977), hartimin e një kushtetute dhe miratimin e saj me referendum (6 dhjetor 1978), koncepti i “kombit” do të rishikohet dhe njohja e rajoneve me identitet të fortë do të bëhet prioritet.
Qeveria e Adolfo Suarez rivendos veçantitë fiskale të Biscaglia e të Guipuzcoa. Në qershorin e vitit 1977 nis një negociatë me Presidentin e Generalitat në mërgim, Josep Tarradellas i Joan. Ky rikthehet në Barcelonë më 23 tetor 1977, ku pritet nga rreth 1 milion njerëz. Qeveria e vendos në krye të Deputacion të Barcelonës, ekuivalenti frankist i Këshillit Rajonal.

Pas zgjedhjeve të 15 qershorit 1977 krijohet një komision kushtetues me detyrën që të hartojë një tekst që të njohë diversitetin e Spanjës. Do të duhet shumë mirëkuptim në negociatë për të vënë bashkë pikëpamjet centralizuese të ministrit të vjetër të Franco, Manuel Fraga Iribarne, me ato të nacionalizmit katalanas të Miquel Roca Yunyent, ose, më tej akoma, ato të paraqitura nga e majta. Edhe një herë akoma, në qendër të paktit kushtetues luhet roli përfaqësues i kombit. Lufta kundër frankizmit, pas humbjes së detyruar përçarjes së frontit republikan, kishte favorizuar një riafrim të ngadaltë dhe progresiv të opozitarëve. Kultura politike e aktorëve të tranzicionit i paraprin aksionit të tyre (Julia Santos, Transicion. Historia de una politica española 1937 – 2017, Barcelonë, shtëpia botuese Galaxia Gutenberg, 2017). Në këtë kontekst, decentralizimi duket i pashmangshëm: nga njëra anë, ai përfaqëson refuzimi e homogjenizimit frankist dhe, nga ana tjetër, rifut kujtimin e republikës në procesin e demokratizimit.
Të 3 rajonet, të quajtura historike, Katalonja, Vendet Baske dhe Galicia – vijnë në atë pikë të dallueshme pasi kanë disponuar tashmë midis viteve 1932 dhe 1939 një statut dhe një parastatut autonomie. Për Adolfo Suarez përbën një prioritet sigurimi i mbëhstetjes së autonomistëve. Shtetari spanjol i demonstron botës besimin e tij të mirë demokratik duke legalizuar Partinë Komuniste Spanjolle (prill 1977), ndërsa suksesi i referendumit të ratifikimit të kushtetutës vlerëson tërësinë e tranzicionit demokratik. Në Katalonjë, votuesit e miratojnë me 91% tekstin e ri. Në Vendet e Ulëta, pavarësisht një abstenimi të fortë (55%), “po”-ja fiton me më shumë se 70% të votave.
Zgjedhjet rajonale në Vendet Baske (9 mars 1980) dhe në Katalonjë (20 mars 1980) nuk kanë përfaqësuar vetëm vënien në veprim të institucioneve të reja, por edhe një formë riparimi dhe fitoreje të vonuar të nacionalizmave lokalë mbi nacionalizmin bashkues dhe univok të frankizmit. Baskë dhe katalanas gjykojnë se Spanja në të kaluarën e saj ka qenë fajtore që ka anashkaluar të drejtat e rajonave jo kastiljanofobe. Për historinë e tyre, rivendikimet nacionaliste do të ishin demokratike. Një pjesë e vështirësive aktuale vijnë nga ky element i kulturës politike, i farkëtuar në opozitën ndaj frankizmit dhe gjatë tranzicionit.
Abuzimi i simboleve kombëtare nga ana e frankizmit justifikon lulëzimin e simboleve konkurruese rajonale. Sot vendi disponon 17 flamuj komunitetesh autonome. Në komuna kërkohen që të ngrihen flamujt e Spanjës, të Bashkimit Europian dhe të komunitetit autonom, të cilave njësitë vendore u shtojnë flamurin e qytetit. Janë të shumta polemikat në Katalonjë apo në Vendet Baske, përderisa flamuri kombëtar bojkotohet zyrtarisht.
Nga viti 1968 deri më 2011, terrorizmi i ETA-s ka goditur me qëllim që të imponojë, fatmirësisht pa sukses, një rivendikim të pavarësisë. Sipas historianit francez Joseph Perez (Histoire de l’Espagne, shtëpia botuese Fayard, 1996), çështja terroriste, të cilën ai e lidh me atë të nacionalizmave, është “çështja më e rëndë që vendit i duhet të zgjidhë”.

Ndërsa lufta ka qenë e përgjakshme (më shumë se 800 të vdekur me atentate terroriste) dhe e gjatë, çështja baske është normalizuar në funksionimin e institucioneve. Nacionalizmi mbetet – që e qeveris vendin thuajse pandërprerë nga viti 1980 – por sot duket i pajtueshëm me idenë e Spanjës së ndërtuar nëpërmjet konsensusit kushtetues të 1978. Nga 1980 deri më 1996 shteti i autonomive është zhvilluar me dy ritme të ndryshme: nga njëra anë, 3 komunitetet historike, plus Andaluzinë dhe Navarrën, dhe nga ana tjetër 12 komunitetet e tjera. Nga viti 1996, vendi është decentralizuar thuajse në mënyrë uniforme. Në vitin 1993, Partia Socialiste e Felipe Gonzales Marquez humbet mazhorancën absolute në Cortès. Deputetët nacionalistë katalanas dhe baskë do të bëhen një pikë mbështetjeje.
Ndryshim kursi në vitin 1996: kësaj radhe do t’u mungojnë vota konservatorëve të José Maria Aznar Lopez. Nacionalistë katalanas dhe baskë mungojnë që ta mbështesin. Logjika parlamentare mundëson formacione që privilegjojnë objektiva rajonalë, të maskuar prapa diskutimeve më globale, të bëhen arbitra të jetës politike. Dhe e bëjnë duke ju drejtuar patentës së tyre të demokracisë, e fituar në luftën kundër frankizmit.
Midis viteve 2012 e 2018 kriza katalanase, përfundimi i të cilës duket akoma i paqartë, trazon ekuilibrin e brishtë institucional të vendosur në vitin 1978 dhe të konsoliduar nga 30 vite praktikë. Europianët dhe bota zbulojnë pluralizmin spanjoll. Nga njëra anë, nacionalistët e radikalizuar katalanas denoncojnë një shtet totalitar, në momentin ku Spanja ka përfunduar decentralizimin më të rëndësishëm të epokës bashkëkohore. Përtej zgjidhjes së problemit, kriza katalanase riaktivizon fraktura historike dhe vë përballë ide të ndryshme të Spanjës. Duke refuzuar që ta asociojë Katalonjën me Spanjën, pikërisht kur historia demonstron saktësisht të kundërtën, indipendentistët tradicionalë (që në këtë rast kanë gjetur edhe mbështetjen e borgjezisë së djathtë të Convergenza Democratica ed Unione Democratica të Katalonjës, e interesuar për kontrollin lokal gjyqësor dhe fiskal) riaktivizojnë një mit, sipas të cilit Katalonja mund të jetë një Spanjë rrënjësisht ndryshe. Një gjë e vështirë për t’u përtypur nga pikëpamja historike: Katalonja, që ka kontribuar bashkë me Kastiljen për ta bërë Spanjën, do të gjendej në të njëjtat kushte si Piemonti nëse do t’i duhej të reklamonte pavarësinë nga Italia, të cilën ka kontribuar të ndërtohet.
Spanja gjendet përballë një rebusi lidhur me unitetin e saj. Politikisht, rrugët e ndërtimit institucional të këtij uniteti kanë qenë të vështira për t’u gjetur dhe janë vendosur nga lart. Por ekziston një Spanjë e jetuar, e ndjerë dhe e përfaqësuar tek spanjollët. Që mbledhja e të gjitha konceptimeve të mos konvergjojë në një model unik, duket duhet të maskojë realitetin e një Spanjë që, sot më shumë se kurrë, të lidhet me njëjësin dhe me shumësin.
Ja vlen që këtë analizë ta përmbyllim me një shprehje të atribuar Kancelarit gjerman Otto von Bismarck: “Spanja është vendi më i fortë i botës: spanjollët kanë harxhuar shekuj që ta shkatërrojnë dhe nuk ia kanë arritur dot”.
(nga Storica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakReagon Berisha: Rai2 zbulon Narkoshtetin e ndërtuar mbi blerjen e votës me paratë e drogës
Artikulli tjetërDomethënia e vërtetë e Traktatit të Aquisgrana