Spahia denoncon gjendjen e spitaleve dhe projektin e patronazhimit

Me një status në Facebook deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, vijon të denoncojë gjendjen në të cilat ndodhen spitalet tona. Sipas deputetit në pavionin e Neonatologjisë të Maternitetit të Ri nuk ka inkubatorë dhe poste për oksigjenimin e fëmijëve. Spahia shkruan se: “Janë gjithsej 13 burime oksigjeni për 19 fëmijë neonatë që kanë nevojë e si pasojë e mungesave bëhen lidhje dyshe, 1 inkubator për 2 neonatë. Kur situata paraqitet e tillë në Tiranë çfarë ndodh në rrethe?” Më herët deputeti Spahia ka denoncuar edhe projektin e patronazhimit të spitaleve rajonale që kanë nevojë për mjekë specialistë. Sipas tij një gjë e tillë nuk është zgjidhje e problemit, por një çorientim më i madh i sistemit shëndetësor. Gjatë vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë do të zbatojë projektin e partonazhimit të spitaleve rajonale nga ato universitare. Kështu, Spitali Universitar i Traumës do të ketë në patronazh Spitalin e Fierit, të Vlorës dhe të Gjirokastrës. Spitali Universitar “Nënë Tereza” do të ofrojë asistencë me mjekë specialist në Spitalet Rajonale të Dibrës, Beratit, Korçës dhe Elbasanit. Ndërsa Spitali “Shefqet Ndroqi” do të ofrojë ndihmë në Spitalin e Shkodrës, të Kukësit dhe të Lezhës. Ky plan do të ndihmojë në eliminimin e radhëve në spitalet universitare dhe do ofrojë shërbim të specializuar mjekësor aty ku janë nevojat e qytetarëve. Në të njëjtën kohë do të ndihmojë dhe në formimin profesional të mjekëve në spitalet rajonale.

Artikulli paraprakInvestimet bruto në ekonomi në trend rënës nga 2013, pritshmëritë jo optimiste
Artikulli tjetërEdhe viti 2018 nis keq, mbyllen 247 subjekte në 6 ditë