Edhe viti 2018 nis keq, mbyllen 247 subjekte në 6 ditë

Vetëm në 6 ditë, nga 3 janari deri më 8 janar 2018, janë mbyllur 247 biznese, sipas të dhënave të përditësuara nga tatimet, kryesisht persona fizikë, ku mbizotërojnë Tirana dhe Durrësi. “Monitor” kontaktoi disa prej tyre për t’i pyetur për arsyet e mbylljes. Gëzim Alushi, që administronte Bar Butrinti pranë Kopshtit Botanik në Tiranë tha se arsyeja e mbylljes së aktivitetit ishte mungesa e klientelës. Dashamir Gjini, në Tiranë, që kishte një parukeri, që nga viti 2015, tha se e mbylli, pasi nuk i leverdiste dhe do të punësohej diku tjetër. Murat Shehu në Tiranë tha se, ngricat i kishin shkatërruar fidanët dhe nuk kishte pasur më mundësi të ripërtërinte aktivitetin, ndaj kishte vendosur ta mbyllte atë. Pëllumb Zerdelia, që ka një dyqan fruta-perime në Shkozet të Durrësit, tha se e mbylli aktivitetin, pasi do të ikë jashtë vendit. Ai tha se ecuria nuk ishte shumë e mirë, ndaj e kishte marrë këtë vendim, por shpreson se mund ta hapë sërish aktivitetin kur të kthehet. Ka vijuar edhe mbyllja e call center, që janë vënë në vështirësi pas presionit të qeverisë italiane që synonte të ndalonte ikjen e vendeve të punës nga Italia në Shqipëri. Dyrrah Calling në Durrës, e hapur në 2015-ën ka kaluar në fillim të këtij viti në status pasiv, duke iu shtuar mbi 30 subjekteve të tjera të kësaj fushe që u mbyllën në vitin 2017. Ndërsa disa subjekte deklaruan se ishin mbyllur, pasi kishin hapur shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

Artikulli paraprakSpahia denoncon gjendjen e spitaleve dhe projektin e patronazhimit
Artikulli tjetërKëshilltarët e djathtë apel Veliaj të tërhiqet nga rritja e çmimit të ujit