Skenari i Ramës për të provokuar protestuesit

I dëshpëruar përballë revoltës qytetare dhe rezistencës për garantimin e zgjedhjeve të lira, Rama u përpoq dje të krijonte përmes mediave pranë tij situata, të cilat tentonin të përbaltnin protestuesit duke shpikur skena me autoambluanca e të sëmurë, të cilët gjoja u bllokuan nga protestuesit. Pak minuta pas nisjes së protestës së paralajmëruar nga opozita, e cila edhe pse masive rezultoi të ishte një protestë tërësisht qytetare dhe paqësore, njerëz të urdhëruar nga Rama inskenuan ambulanca me të sëmurë të stisur që do të kalonin për të provokuar protestuesit gjatë kohës që ishte paralajmëruar bllokimi i rrugëve. Por një gjë e tillë është injoruar nga protestuesit, të cilët pavarësisht provokimit kanë lejuar autoambulancat që të kalojnë pa u bllokuar rrugën. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka pas përfundimit të protestës së opozitës, e cila bllokoi akset kryesore nacionale në veri, jug dhe juglindje të vendit, denoncoi skenarin e përgatitur nga qeveria, i cili kishte për qëllim të nxirrte protestuesit të dukeshin çnjerëzorë. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, tha se janë përdorur ambulanca me të sëmurë falso me qëllim që protestuesit t’i bllokonin gjatë orarit të protestës, por gjithçka sipas tij, doli blof, pasi ambulancat u lejuan të kalojnë. “Kishim informacion disa ditë para protestës se do të përdornin autoambulanca, të cilat do të bllokoheshin në trafik dhe do të dilte opozita si çnjerëzore. Skenari i tyre doli blof sepse protesta shkoi paqësore dhe autoambulancat me të sëmurë falso u lejuan të kalojnë”, deklaroi Paloka. Paloka nuk ia ka kursyer përgjigjen dhe ironinë as kryetarit të Bashkisë, Veliaj, i cili ka deklaruar se 1 orë e bllokuar në Tiranë do të thotë se janë miliona euro shpenzime për qytetarin. “Kur më pyetën gazetarët për ndarjen e deputetëve demokratë në akset kombëtare unë iu thashë se në Elbasan kemi lënë Edmond Spahon, në Lushnjë Arben Ristanin, në Lezhë Aldo Bumçin dhe në Tiranë tek Pallati me Shigjeta Flamur Nokën dhe tek Sheshi Shqiponja do të jem unë, sepse Sheshin Skënderbe prej një viti ia kemi lënë Erion Veliajt”, ironizoi Paloka. Përveç bllokimit të dy pikave kyçe në kryeqytet, siç ishin Sheshi Shqiponja dhe mbikalimi pranë Shkollës Teknologjike, protestuesit bllokuan edhe rotondën e Plugut, një aks i rëndësishëm që lidh jugun e vendit. Përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj proteste ishte sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Në zonën e juglindjes protestuesit bllokuan rotondën e Bradasheshit, nën organizimin e nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho. Ndërsa në veri protestuesit demokratë bllokuan rotondën e Milotit. Përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e protestës ishte deputeti demokrat, Aldo Bumçi. Protesta vijoi e qetë, ndërsa policia monitoroi situatën.

Protestuesit sfiduan presionin e qeverisë

Pavarësisht presioneve të qeverisë përmes policisë, si dhe mediave, qytetarët nuk u sprapsën, por iu përgjigjën thirrjes së PD duke dalë në rrugët kryesore për të protestuar për votën e lirë. Deputeti i PD, Edmond Spaho nga Elbasani vlerësoi se protesta ishte paqësore dhe e tillë do të vijojë të jetë deri në plotësimin e kërkesës për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Pjesëmarrja është masive, falënderojmë qytetarët që iu bashkuan protestës. Është faza e dytë e protestës, pas 66 ditësh në çadër protesta u përshkallëzua me bllokimin e rrugës. Protesta është paqësore dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Deri tani nuk kemi pasur provokim dhe shpresojmë që do të vazhdojnë të jenë kështu. Për ta bërë efektive bllokimin e trafikut u detyruam të modifikojmë pozicionimin tonë për shkak se po devijohej trafiku në rrugë sekondare dhe një bllokim e bëmë në hyrje të autostradës Elbasan-Tiranë dhe një në hyrje të superstradës Elbasan-Durrës”, tha Spaho. Edhe deputeti i PD, Aldo Bumçi tha se qytetarët iu përgjigjën protestës së opozitës, pavarësisht thirrjeve antiligjore që policia i bëri qytetarëve. Ai tha se protesta është paqësore dhe policia nuk ka provokuar, me përjashtim të 2-3 rasteve që ata tentuan të filmojnë protestuesit. “Protesta është paqësore, jemi të vendosur të vazhdojmë kështu deri në fund. Edhe forcat e rendit nuk kanë provokuar me përjashtim të 2-3 rasteve kur iu afruan protestuesve për t’i filmuar. Pjesëmarrja është shumë e mirë. Do të thoja që qytetarët i janë përgjigjur protestës pavarësisht një presioni antiligjor që iu bë nga policia. Kur policia shkel ligjin do të thoja se është bërë pjesë politike. Bllokimi i rrugës nuk është i jashtëligjshëm. Sa herë ka protesta ka bllokim të rrugëve. Nuk është problem bllokimi i rrugës për një orë. E ka kthyer Shqipërinë në një plantancion droge, çfarë qeverie është kjo”, u shpreh ndër të tjera deputeti demokrat Bumçi.

Arben Shahini

Artikulli paraprakBllokimi, prova e parë, marshojmë drejt Republikës së Re
Artikulli tjetërProtesta e qetë e masive vrau përfundimisht frikën…