Bllokimi, prova e parë, marshojmë drejt Republikës së Re

Kryetari i opozitës, Basha falenderoi mbrëmë qytetarët që iu bashkuan lëvizjes popullore për bllokimin 1 orë të të gjitha akseve nacionale në mënyrë paqësore, ndërsa deklaroi se kjo është vetëm prova e parë.
“Në këtë vend, zgjedhje pa opozitën nuk ka për të patur kurrë. Votime të diktuara nga krimi, droga dhe qeveria e kapur prej tyre nuk do të lejojmë. Kjo është kategorike dhe e pandryshueshme. Ndaj, le të marrim me vete sonte forcën dhe besimin e rigjetur të një populli të tërë për të qendruar përballë një pakice kriminale oligarkësh, kriminelësh dhe pushtetarësh të korruptuar, forcë e cila buron nga tavani i drejtë i kërkesave dhe i kauzës popullore”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh në favor të zgjidhjes së krizës me dialog, një dialog që ka në qendër të vet krijimin e qeverisë teknike. “Nuk na mungon aspak vullneti dhe vendosmëria për ta zgjidhur krizën e thellë politike përmes një dialogu me kundërshtarët tanë politikë. Dialog që ka vetëm një temë; qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por edhe nëse ky vullnet mungon nga ana tjetër, sot kanë vetëm provën e parë, vetëm paralajmërimin e parë”, tha Basha.
Kreu i opozitës deklaroi se protesta e sotme ishte një model qytetarie dhe qindra-mijëra njerëz vranë frikën. “Dua tiu falenderoj nga zemra ju dhe mijëra qytetarë të tjerë që morën pjesë aktivisht në aksionin popullor të paralajmërimit dhe, provën e vendosmërisë tonë për t’i shkuar deri në fund kauzës së drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qindra mijëra të tjerë vranë frikën dhe me zemrat e tyre u bashkuan me ne. E gjithë Shqipëria, të majtë e të djathtë u bashkuan me betejën e drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koha po vjen. Ta kurorëzojmë këtë lëvizje me fitoren që gjithë shqiptarët presin”, tha Basha.
Për Bashën, rritja e mbështetjes popullore për lëvizjen që synon të garantojë zgjedhje të lira është garanci e fitores që po vjen. “Duke qendruar mbi këtë tavan, duke qendruar fuqimisht pa asnjë tërheqje nga kjo kauzë e drejtë popullore me forca të shumëfishuara, marshojmë të sigurtë drejt Republikës së Re, republikës së çdo qytetari shqiptar. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët”, tha Basha.

Bllokimi te kryqëzimi i Teknologjikes

Lëvizja popullore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike nuk do të ndalet deri në fitoren e kauzës së saj duke përshkallëzuar më tej rezistencën e saj. Me mijëra qytetarë i janë bashkuar dje protestës së opozitës, tek rrethrrotullimi i shkollës “Teknologjike” që lidh unazën e re, rrugën hyrëse nga “21 dhjetori”, dhe rrugën e “Kombinatit”. Protesta ka paralizuar për një orë trafikun, kryesisht në akset hyrëse dhe dalëse nga Kombinati drejt Tiranës dhe anasjelltas. Për rreth një orë nuk u shënua asnjë incident, por në thirrjet e tyre protestuesit kërkonin largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

PD garante e qetësisë

Në kontrast me panikun që tentoi të përhapte Edi Rama dhe mediat pranë tij, se e hëna e 24 prillit do të ishte një “ditë destabilizimi” asgjë nuk ndodhi. Protestuesit, filluan të mblidheshin rreth orës 10:30 në akset e kësaj nyjeje të Tiranës. Pa zhurmë, ata pritën orën 11:00 kur dhe ishte planifikuar që të bllokoheshin rrugët. Në krye qëndronte deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, por edhe deputetë të tjerë si Oerd Bylykbashi, Asllan Dogjani etj. Në fillim të protestës, deputeti Noka do të shprehej se për këtë protestë garant ishte Partia Demokratike. “Ne jemi këtu në vendin e përcaktuar, do të bllokohet qarkullimi për një orë si shenjë paralajmëruese për qeverinë dhe një shenjë e parë e përshkallëzimit të protestës nga çadra dhe më gjerë. Mesazhi është i qartë, kjo qeveri duhet të reflektojë, kjo mazhorancë duhet se s’bën të marrë këtë mesazh dhe të lexojë qartë, në të kundërt përshkallëzimi do të vijojë. Për këtë jemi ne garantë. Është PD që e ka organizuar, kemi zhvilluar mbi 2 muaj protestë mëse paqësore dhe qytetare në bulevard, ndryshe nga qeveria e sotme që digjte goma, thyente xhama, dhe bënte dhunë ne kemi demonstruar në mënyrë paqësore dhe po sot do të zhvillohet në mënyrë paqësore”, u shpreh Noka.

Protesta

Dhe në fakt ashtu ndodhi, për rreth një orë përveç parulla që u hodhën në atë kryqëzim nuk kishte asnjë shenjë tjetër dhune. Duket se ai që u mundua ta provokojë ishte vetë qeveria me anë të forcave policore të përqendruara atje. Vetëm 10 minuta, pasi kish filluar protesta dhe bllokimi i rrugës, me dhjetëra forca policie dolën para protestuesve si në një demonstrim force. Askush nuk luajti. Sirenat e një autoambulance që vinte nga rruga e “Kombinatit” për në Tiranë, protestuesit iu përgjigjën duke hapur rrugën, pa e vonuar asnjë sekond.  Të tjera zhvillime ishin vetëm zërat që dëgjoheshin për dorëheqjen e Ramës dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protesta e demokratëve nuk kishte asgjë të përbashkët me protestat e zhvilluara nga Rama 6 vjet më parë, kur për të mbajtur me çdo kusht postin e kryetarit të Bashkisë i vuri zjarrin çdo aksi rrugor në Shqipëri. Por ajo çka u vu re tjetër, ishte dhe pjesëmarrja e madhe e njerëzve, megjithë helmin e panikut që Rama kish hedhur për kaq ditë në opinionin publik. Duket se revolta për këtë qeveri ka mbërritur në kulmet e saj, dhe çdo gjë që thotë ajo ka efekt të kundërt. Edi Rama është shndërruar në një kryeministër që se do askush, dhe si bindet më askush përveç kllounëve politik, që ka ministra apo në krye të Bashkisë.

Mediat: Rama kur ishte në opozitë dogji vendin

Portale të ndryshme online kanë bërë një krahasim me protestën e PS-së të kryesuar nga Edi Rama në vitin 2011, gjatë kohës kur nuk pranonte rezultatin që e nxirrte humbës në Tiranë. Lajmet janë shoqëruar dhe me foto dhe video, ku shihen qartë se si krerë të PS-së, orientonin militantët e tyre të digjnin goma dhe vendosnin gurë, duke i dhënë vendit një imazh lufte. Në foto duken të gjithë që ata sot, hiqen si respektues të mëdhenj të stabilitetit. Protesta e opozitës sot nuk ka asnjë ngjashmëri me ato që zhvillonte Rama gjatë kohës kur drejtonte PS-në në opozitë. Rama tregoi se ishte një lider i dhunshëm, që për pushtetin e tij mund të sakrifikonte gjithçka. Kujtojmë se protestat me zjarr dhe gurë bëheshin vetëm pak muaj, pasi Shqipëria kishte përfituar liberalizimin e vizave.

Drejtuesit e automjeteve të mbetura në trafik i’u bashkuan protestës

Por ajo çka ishte më e rëndësishme dje në protestën e opozitës, ishte pranimi i saj nga ana e qytetarëve. Askush nuk u revoltua, askush nuk i ra borisë nga ata që mbetën të bllokuar në trafik. Thjeshtë pritën me qetësi deri sa të mbarojë protesta e paralajmëruar. Në fakt dhe vetë heshtja e atyre që u bllokuan në trafik, ishte një lloj revolte, e cila tregon qartazi se si po shkojnë punët në këtë vend. Në këto lloj protestash, gjithmonë ekziston rreziku që të këtë përplasje civile, por në ato protesta që nuk janë të motivuara. Eksperienca e 24 prillit tregoi veç të tjerave dhe mbështetjen e qytetarëve të këtij vendi ndaj kërkesave të opozitës, të cilat nuk janë vetëm politike, por kanë të bëjnë me të ardhmen e këtij vendi. Kanë të bëjnë me ndërtimin e një të ardhme për fëmijët e tyre. Eshtë protestë kundër masakarës që po i bëhet të ardhmes së të rinjve, me anë të drogës apo klientelizmin politik, duke i ofruar favore në këmbim të drogës. Ka të bëjë me vjedhjen që po i bëhet shëndetësisë me anë të koncesioneve, korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe propagandës farsë së ngritjes së “parajsës”, në një vend ku e shohim çdo ditë se çfarë ndodh. Qytetarët e Tiranës, dhe jo vetëm, iu bashkuan protestës ashtu në heshtje si për të dhënë mesazhin Ramës, se në një garë të denjë ai mund të ketë fatin e partive të tij simotra në të gjithë Evropën. Por ndoshta Edi Rama e di mirë këtë, prandaj kërkon të bëjë arbitrin në një garë ku është vetë palë. Në një garë, të cilën ai kërkon ta dominojë me paratë që i vijnë nga narkotrafiku duke u munduar të shfrytëzojë varfërinë, për të blerë vota me qëllim mbajtjen me çdo kusht të pushtetit. Solidarizimi i djeshëm në protestën e opozitës, ishte vetëm shenja e parë.

Artikulli paraprakAgolli dhe Qarabag festojnë titullin e katërt
Artikulli tjetërSkenari i Ramës për të provokuar protestuesit