Skandali që zbuloi se sa pranë jemi me sëmundjet vdekjeprurëse

Skandali me hedhjen e mbetjeve spitalore të rrezikshme në lumë, të cilat prej andej përfundojnë në det ndodh në një kohë kur sezoni turistik është në pikun e tij. Ndotja e detit me këto mbetje të rrezikshme kancerogjene përbën një kërcënim serioz për shëndetin e pushuesve për shkak të sëmundjeve vdekjeprurëse që shkaktojnë ato. Një ndër shkaqet kryesore të dyfishimit të sëmundjeve vdekjeprurëse në Shqipëri, konsiderohen mbetjet e rrezikshme. Një ndër kompanitë, që fiton miliona euro me biznesin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” rezulton se konsumon rregullisht krim mjedisor. Një investigim i emisionit “Stop” tregon sesi mbahen mbetjet e rrezikshme në kushtet e një magazine të pushtuar nga flakët. Më pas, një kamion ngarkohet me to dhe ngarkesa përfundon në brigjet e lumit Erzen në Picallë të Tiranës. Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Stop” në Televizionin “Klan” janë transmetuar pamjet e rënda të dhunës që administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli ka ushtruar ndaj gazetarit Genci Angjellari. Pas investigimit të rrugës që bënin mbetjet e rrezikshme spitalore dhe derdhjes së tyre në brigjet e lumit Erzen, Inspektorati i Mjedisit, grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit. Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar. Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin Genci Angjellari. Kompani fantazmë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, licencuar nga Ministria e Mjedisit operojnë në tregun shqiptar për sa i përket sterilizimit dhe riciklimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Shqipëria prodhon deri në 2 mijë tonë mbetje spitalore në vit, por sa është kapaciteti i mundur nga këto kompani për të bërë punën ashtu siç parashikohet edhe në lejet që u jepen nga Ministria e Mjedisit. Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili shpeshherë jep alarmin për ndotjen mjedisore, por edhe për shëndetin, këto kompani nuk zbatojnë rregullat dhe vetëm një sasi e vogël e mbetjeve spitalore të rrezikshme arrijnë të asgjësohen sipas normave. Në vitin 2014, shoqëria private “Euroteam” është pezulluar me urdhër të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, si dhe i është vendosur gjobë nga Inspektorati i Mjedisit. Sipas dokumentit, “Euroteam” nuk zbatoi lejen mjedisore të dhënë nga Ministria e Mjedisit. “Euroteam” është licencuar në vitin 2013 për të trajtuar mbetjet e rrezikshme spitalore të Spitalit të Beratit dhe të disa spitaleve private në kryeqytet.

Artikulli paraprakNdërmarrjet shqiptare ulën kapacitetet prodhuese
Artikulli tjetërSpiunët në biznese, zbardhet skema si po emërohen strukturat