Skandali me Vettingun, Prokuoria politike në gjunjë: Nuk do të hetojmë Komisionerin

Prokuroria ka vendosur që të mos nisë asnjë hetim ndaj komisionerit të Vetingut, Lulzim Hamitaj, i cili u akuzua publikisht se ka fallsifikuar dokumentat aplikuese për pozicionin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
“Boldneës.al” ka mësuar të Hënën nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës se nuk është regjistruar asnjë procedim penal ndaj komisionerit Hamitaj. Në fund të Korrikut 2018, Partia Demokratike publikoi disa dokumenta, në bazë të të cilave krijoheshin dyshime të forta se Hamitaj ka fallsifikuar çertifikatën e njohjes së gjuhës së huaj. Sipas deputeti Enkelejd Alibeaj dhe juristit Gazmend Bardhi, komisioneri Hamitaj duhet të përballet me procedim disiplinor dhe penal për këtë fallsifikim, të dokumentuar zyrtarisht.
Por, më shumë se një muaj pas këtij denoncimi publik, Prokuroria nuk e ka vlerësuar të arsyeshme që të nisë procedurat, së paku verifikuese, ndaj Lulzim Hamitaj. Në të njëjtën ditë që përfaqësuesit e Partisë Demokratike denoncuan publikisht faktin e fallsifikimit të dokumentave, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, reagoi zyrtarisht. Në një njoftim të shpërndarë për median, ajo deklaroi se “do të kërkojë verifikimin e rastit nga prokuroria kompetente (e Tiranës)”.
Kjo deklaratë e Kryeprokurores së Përkohshme rezulton të ketë qenë thjeshtë dhe vetëm një mënyrë për të shmangur kritikat që iu drejtuan asaj për neglizhencë në nisjen e hetimeve ndaj personave të lidhur me Partinë Socialiste.
Pavarësisht “udhëzimit” të Arta Markut, Prokuroria e Tiranës jo vetëm që nuk ka regjistruar procedim penal ndaj Lulzim

Hamitaj, por nuk ka kryer as verifikimet minimale për rastin. Burime të “Boldneës.al” pranë Partisë Demokratike deklarojnë se asnjë oficer i policisë gjyqësore apo prokuror nuk është paraqitur pranë zyrave të tyre apo të ketë kërkuar informacione e dokumenta mbi denoncimin publik kundër Komisionerit të Vetingut, Lulzim Hamitaj.
Pak javë më parë, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në përgjigje të interesimit të “Boldneës.al”, deklaruan zyrtarisht thuajse njëzëri: “Nuk shohim arsye të nisim hetim për komisionerin Lulzim Hamitaj”.
Komisioneri i Vetingut, Hamitaj, konsiderohet si “njeriu” i Ëngjëll Agaçit” nga kolegët e tij në Komsionin e Pavarur të Kualifikimit, ndoshta për shkak se si komisioneri, ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë duhet të kenë krijuar njohje gjatë karrierës së tyre avokatore në Romë, Itali.
Deputeti Alibeaj dhe eksperti ligjor i PD-së, Bardhi, prezantuan në një konferencë të posaçme për median gjetjet e tyre mbi dokumentacionin zyrtar të Komisionerit Lulzim Hamitaj. Ky i fundit, në kohën kur kandidonte për anëtar të KPK-së ka dorëzuar, ndër të tjera, edhe një çertifikatë për njohjen e gjuhës angleze, një kriter bazë për kualifikimin në detyrën e kontrolluesit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nga investigimi i Partisë Demokratike, ka dyshime të forta se Lulzim Hamitaj, jo vetëm që nuk ka kualifikimin e duhur, por, për të siguruar një vend në KPK, ka fallsifikuar dokumentin e njohjes së gjuhës së huaj.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, pas publikimit të këtyre fakteve, kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisionerët Publikë që të marrin menjëherë masën disiplinore për largim nga detyra të Lulzim Hamitaj, për shkak se nuk plotëson kriteret formale për të qenë në atë detyrë.
Një muaj pas denoncimit, secili prej institucioneve përgjegjëse, përfshirë edhe Prokurorinë, ka vendosur që të mos shqyrtojë dyshimet për fallsifikimin e dokumentave nga ana e komisionerit të Vetingut, Lulzim Hamitaj.

Artikulli paraprakRomana mashtron për vendin e ri të punës? BE nuk e konfirmon
Artikulli tjetërDenoncimi/ Banda e Bajrve në Dobraç disponon blinde dhe mitroloza, policia nuk guxon të shkelë aty