Skandali i ilaçeve, lirohet drejtori i akuzuar për vjedhje

Lirohet nga burgu drejtori i akuzuar për vjedhjen e 420 mijë euro me skemën fiktive të rimbursimit të ilaçeve. Ish-drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani, është liruar nga burgu duke u dënuar me kusht që të mbajë kontakt me punonjësit e shërbimit të provës. Megjithëse i shkaktoi një dëm shtetit prej miliona eurosh, drejtësia është treguar dorëlëshuar me zyrtarin e mazhorancës. Xhuvani ka drejtuar Fondin si dhe ka qenë kryetari i LSI-së në Elbasan.
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës së 7 korrikut janë dënuar disa të pandehur. Xhuvani, ish-drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, u dënua me 3 vjet burg, por në fund iu konvertua me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. Ndaj tij u hoq masa e arrestit shtëpiak, e vendosur më 7 qershor 2015, ndërsa i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 vjetësh.
Gjykata e Tiranës zbuti dënimet edhe për të arrestuarit e tjerë. Kështu, Hysni Roçi u dënua me katër vite burg. Gjykata ka dënuar Edlira Myrtezain me 3 vjet e 4 muaj burgim. Frida Lamçe u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim. Iu hoq masa e arrestit shtëpiak dhe është liruar. Fatbardh Budo u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim. Mimoza Tufi u dënua me 2 vjet burgim, por iu pezullua me kusht. Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar edhe Arens Spahiun, me akuzën e mashtrimit. Edhe ai u dënua me dy vjet burg, por iu konvertua me kusht.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhej se Pjerin Xhuvani, në cilësinë e drejtorit Rajonal të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, ka urdhëruar zyrtarë të tij për të formuluar akte fiktive kontrolli mbi farmacitë e sipërcituara dhe, në përfundim, i ka nënshkruar aktet e kontrollit, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë rimbursimit të padrejtë këtyre subjekteve private.
“Edhe zyrtarët e Fondit, të marrë të pandehur në këtë procedim, pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme, kanë nënshkruar akte kontrolle fiktive (të pakryera) për farmacitë, duke lejuar në këtë mënyrë përfitimin e padrejtë të rimbursimit monetar për subjektet private”, thuhet në dosje.
Hetimet e Prokurorisë
Hetimet e Prokurorisë nuk u kufizuan vetëm në 4 farmacitë e denoncuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për abuzimin me më shumë se 420 mijë euro. Në hetime është përfshirë edhe raporti i përgatitur nga auditi, sipas të cilit, në këtë skandal u përfshinë jo 4, por 47 farmaci dhe shuma e vjedhur dyshohet të jetë disa miliona euro.
Recetat e falsifikuara nga organizatorët e kësaj skeme ishin ato të sëmundjeve kancerogjene. Kjo sepse, ilaçet për këto sëmundje kushtojnë më shtrenjtë dhe rimbursimi arrinte në shifrat 350-800 mijë lekë për një ilaç.
Gjithsej 420 mijë euro sipas padisë u përfituan nga 4 farmaci fiktive vetëm në periudhën nëntor 2014-prill 2015. Menjëherë pas rimbursimit të kësaj shume, auditi i zyrës së anti-korrupsionit në kryeministri ka hartuar një raport prej 50 faqesh për këtë skandal.
Por skandali është thelluar më tej, kur ky raport nuk është dorëzuar në Prokurori, por është mbajtur i fshehtë. Një kopje e raportit që evidentoi skandalin, i ishte vënë në dispozicion zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në raport konstatohen shkeljet e dhjetëra farmacive dhe shkelje të tjera që kapin shifra marramendëse, por këto u mbajten të fshehta nga zyrtarët e fondit.
Në mesin e përfituesve ishin edhe të afërmit e zv/drejtorit të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, Sokol Skura.
Bashkëshortja dhe kunata e zv/drejtorit Skura, thuhej në raport kanë përfituar ilaçe të rimbursueshme nga këto kontrata, duke shtuar se në asnjë rast farmacitë e tyre nuk janë kontrolluar. Mos dorëzimi i këtij raporti, mund të ketë pasur qëllimin që drejtuesit e këtij institucioni kanë dashur të përqendrojnë hetimin e Prokurorisë vetëm në këto 4 farmaci.
Mes farmacive që do të verifikohen janë edhe kontratat e të afërmve të zv/drejtorit Skura, i cili në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar ishte përfshirë në listat e këshilltarëve bashkiakë të PS në Librazhd.

Artikulli paraprakBasha: Kur vendin e qeverisin grabitës me kostum, grabitje me maska do të ketë
Artikulli tjetërNë pranga zv.drejtori i Burgjeve, vidhte me tenderat e ushqimeve