Në pranga zv.drejtori i Burgjeve, vidhte me tenderat e ushqimeve

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për zv/drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi, i dyshuar për “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë…”, si edhe për administratorët e 4 kompanive private, të dyshuar për “korrupsion aktiv”, gjatë procedurave të prokurimit publik për blerje ushqimesh për burgjet në Shqipëri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në referim përcillej informacioni se disa kompani private, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, përfshiheshin në mënyrë fiktive në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas informacionit paraprak, dyshohej se këto kompani private realizonin qëllimin e tyre, duke bashkëpunuar me zv/drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve.
Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimin, në bazë të të cilit rezultoi se administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”, konkretisht, shtetasit Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani e Nexhmi Balla, bënin marrëveshje për të kryer konkurim fiktiv në tenderat e zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për furnizimin me ushqime.
Nga hetimi ka rezultuar se administratorët takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakort për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentat e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre, sipas bisedave që ata bënin. Administratorët e këtyre shoqërive paraprakisht përcaktonin edhe se cili prej tyre do të dilte fitues në njërin prokurim apo në secilin lot prokurimi. Shoqëritë, të cilat pranonin të përpilonin dokumentacion për të mos fituar, përfitonin duke lidhur kontrata formale dhe jo formale me shoqëritë fituese dhe operonin në cilësinë e nënkontraktorit me njërën nga shoqëritë fituese.
Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të provojë me fakte konkrete se, administratorët e kompanive kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyrë fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe vezë”, e cila ka datë lidhje kontrate 31.05.2016 dhe me vlerë totale të kontratës 22.647.936. Për realizimin e qëllimit, të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milionë lekë të reja që zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit.
Personi i dyshuar, Iljaz Labi, ka mbajtur në mënyrë kontakte dhe ka zhvilluar takime të vazhdueshme me personat nën hetim, Ylber Kalaja dhe Shemsi Sinani, duke kërkuar prej tyre përfitim për procedurën e prokurimit të datës 31.05.2016, edhe pse kontraktuesi është subjekti “Nelsa”, me administrator shtetasin Nexhmi Balla. Nga veprimet e tij, del qartë dijenia për kryerjen e procedurës së prokurimit në mënyrë fiktive. Detyra funksionale e tij është pjesë e zinxhirit përkatës që nga fillimi i nisjes së procedurës së prokurimit dhe deri në lidhjen e kontratës.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, gjë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, për shtetasit Iljaz Labi, me detyrë zv/drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, Elidjan Laskaj, administrator i shoqërisë “Dogel”, Ylber Kalaja, administrator i shoqërisë “Vllaznia”, Shemsi Sinani, administrator i shoqërisë “M.B.Kurti” dhe Nexhmi Balla, administrator i shoqërisë “Nelsa”.
Vendimet e Gjykatës për Krime të Rënda janë ekzekutuar pasditen e së hënës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në hetim janë edhe disa procedura të tjera prokurimi publik, të zhvilluara në periudhën janar-mars 2016, të përfituara nga i njëjti grup personash.

Artikulli paraprakSkandali i ilaçeve, lirohet drejtori i akuzuar për vjedhje
Artikulli tjetërDita normale e një vendi të rënë në anarki