Skandal/ Monstrat falsifikuan edhe firmat e Pirro dhe Pavlina Manit, reagimi: Jo shembjes së Teatrit

Regjisori i njohur, Pirro Mani, dhe bashkëshortja e tij, aktorja Pavlina Mani, e kanë mohuar firmën e tyre për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, aktorja Pavlina Mani ka deklaruar se “Ne nuk jemi për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri”, duke kërkuar që të mbeten jashtë kësaj çështjeje.
Ditën e djeshme, në media u publikua një listë me 65 emra nga fusha e artit dhe e kulturës, që i dërgonin krerëve më të lartë të shtetit, një letër ku kërkonin në Teatër të ri Kombëtar.
Lista e emrave kryesohej pikërisht nga regjisori Pirro Mani, i cili sot e ka hedhur poshtë këtë fakt duke thënë se firma e tij është falsifikuar.

Nga Anila Dedaj
Nënshkrimi i letrës, drejtuar dje krerëve të qeverisë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, nga regjisori i njohur Pirro Mani është fals. Bashkëshortja e tij artiste reagon dhe shpreh qëndrimin që ata kanë. Ndërsa, takimi i Veliajt me tre artistë dje, konsiderohet thjesht propagandë e tij. Protestat e artistëve do të vijojnë

I madhi Pirro Mani, “babai” i teatrit shqiptar ashtu siç edhe ministrja e Kulturës është shprehur sot në rrjetet sociale me të vërtetë mendon për Teatrin Kombëtar, pikërisht për këtë arsye, ai nuk është një nga 65 firmëtarët (nënshkruesit) që duan shembjen e kësaj godine. Nënshkrimi i tij në letrën e drejtuar presidentit Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ministres Mirela Kumbaro, kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj është falsifikuar. I kontaktuar nga gazeta “Shekulli” rreth një muaj më parë, vet artisti rrëfeu se ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe e kishte të pamundur të prononcohej. Mirëpo, ditën e djeshme për çudi dikush kërkonte prishjen e Teatrit Kombëtar edhe në emër të tij, me një nënshkrim që me të drejtë duhet ta konfirmonim nëse ishte i aprovuar prej tij.
I kontaktuar nga “Shekulli”, lidhur me këtë çështje na përgjigjet bashkëshortja e tij, aktorja e mirënjohur Pavlina Mani, e cila mohoi kategorikisht, që diçka e tillë të ketë ndodhur. “Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika”, u shpreh ajo, duke theksuar se asnjëri prej tyre nuk mund jetë për shembjen e godinës së TK. “Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri”, nënvizoi aktorja, duke dashur që të mbeten jashtë kësaj çështje, pasi për ta ky debat është një luftë politike. Dëshira e tyre si dy prej figurave më me peshë të skenës shqiptare është që Tirana të ketë teatër të ri, edhe një tjetër, madje disa, por të ruhet edhe ekzistuesi. Ndërkohë, që rreth 90 % e artistëve që kanë firmosur për shembjen e TK konstatohet të jenë nëpunës të shtetit, edhe kërkesa e tyre bie ndesh me opinionin e elitës intelektuale të vendit, si Maks Velo (pjesë e enciklopedisë botërore, në të cilën përfshihen rreth 140 arkitektët më në zë në mbarë botën), Përparim Kabo, Stefan Çapaliku, Bujar Kapexhiu, Kastriot Çipi, artistë të tjerë, aktivistë, qytetarë të thjeshtë etj.

Reagimi i plotë i Pavlina Manit: Përderisa në këtë punë ka futur hundët politika, ne nuk prononcohemi për asgjë!
“Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë.
Ne nuk merremi me këto gjëra, atje në plan të parë, nuk është fare çështja tek ndërtimi i Teatrit, atje bëhet luftë politike dhe ne jemi kundër politikës, me asnjë parti nuk jemi. Si Pirro, si unë! Ne jemi artistë, nuk jemi politikanë! Edhe përderisa në këtë punë ka futur hundët politika, ne nuk prononcohemi për asnjë gjë. Ne nuk jemi as për prishjen e Teatrit. Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri, të ekzistojë dhe një teatër i ri, një godinë e re, të ekzistojnë 2-3 teatro për Tiranën, se e meriton ai vend të ketë teatro siç ka e gjithë bota”. /Shekulli/

brenda 2

Artikulli paraprakBerisha i përgjigjet Lu dhe Vlahutin: Reagimi i guvernatorëve për Negociatat si ajo tek i vdekuri…
Artikulli tjetërBasha-Ruçit: Qetësoje zotërinë që po i dridhen leqet, të pijë atë që merr dhe të vijë në Kuvend