Skandal, Lul Berisha u lirua sikur ishte dënuar për “armë pa leje”

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lul Berisha, është liruar sikur ai ishte dënuar për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që ai ishte dënuar për 5 vrasje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ndaj treshes së gjyqtarëve të Shkallës së Parë të qytetit të Durrësit për lirimin nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ndaj Tritan Hamitaj, Fejzo Hysi dhe Shpëtime Pitarku, të tre pjesë e kolegjit penal, Krimet e Rënda kanë krijuar dyshime të arsyeshme se, në rastin e Lulzim Berishës, secili nga gjyqtarët ka shkelur ligjin. Burime nga akuza, theksojnë se Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ka shmangur procedurën normale të kundërshtimit të urdhrit të ekzekutimit që nxjerr prokurori.
Vendimi i uljes së dënimit të dhënë nga Hamitaj, Hysi e Pitarku u trajtua si një çështje administrativo-penale, duke përjashtuar prokurorin nga salla e gjyqit, e duke lënë të pranishëm vetëm juristi i burgut, tashme të shpallur në kërkim, Tedi Labi. Shkelja e ligjit dyshohet të jetë bërë si, përsa i përket procedurës së ndjekur, ashtu edhe për aplikimin në mënyrë të gabuar të ligjit për amnistinë.
Gjyqtari Tritan Hamitaj, në reagim për “Vizion Plus” sqaron se, procedura që ai ka ndjekur, bazohet në ligj dhe sipas tij, nuk ka asnjë rast në gjykatat shqiptare kur uljet e dënimit ndaj të burgosurve të jenë bërë në prani të prokurorit. Hamitaj vijon më tej kur thotë se, trajtimi i kërkesës së të dënuarit bëhet në prani të drejtorit ose përfaqësuesve të burgut.
Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se, gjyqtari Fejzo Hysi ka zbatuar gabim ligjin për amnistinë, duke i zbutur ish-kreut të bandës së Durrësit dënimin e marrë për armëmbajtje pa leje në kushtet, kur ai ishte dënuar për vrasje.
Sipas dispozitave ligjore, gjykata kishte aplikuar dënimin më të rëndë atë të vrasjes për Lul Berishën dhe në këtë mënyrë, atij i ishte hequr dënimi i armëmbajtjes pa leje, sepse i ishte njësuar dënimi.
Pra, përfitimi i uljes së dënimit nga armëmbajtja pa leje nuk ekziston në këtë rast. Nga ana tjetër, Prokuroria e qytetit bregdetar ka dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e lirimit me kusht të ish-kapobandës së Durrësit, pasi akuzohet, për disa vrasja e trafik ndërkombëtar droge.

Artikulli paraprakGjendet i vrarë me armë i riu në Korçë
Artikulli tjetërKlement Balili rezulton i “varfër”, pronat nuk janë në emrin e tij