Situata në kaskadën e Drinit, kritike

Situata në kaskadën e Drinit mbetet kritike. Thatësira ka detyruar KESH që të ulë në minimum prodhimin, duke plotësuar vetëm pjesën e humbjeve në transmetim dhe 1600 Mwh në ditë për OSHEE. Të dhënat zyrtare të së mërkurës (2 gusht) tregonin se aktualisht liqeni i hidrocentralit të Fierzës ishte në nivelin 269.80 metra një nivel me një rënie krahasuar me pak ditë më parë. Ndërkohë që prurjet janë vetëm 25m3/s. Korporata bëri me dije se do të rishikojë programet e saj ditore dhe mujore të prodhimit në mënyrë që të garantohet operim i vazhdueshëm dhe i sigurt i sistemit, ndërkohë që parashikimet në periudhën afatshkurtër nuk janë aspak optimiste dhe prurjet natyrale mbeten në minimum. Në kushtet e domosdoshmërisë, për të mos cenuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik, me nivelin aktual të prurjeve në basenin e Fierzës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arrin të përmbushë plotësisht vetëm detyrimet në kuadër të kontratave prioritare që ka me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (furnizimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, si dhe furnizimin e energjisë së mjaftueshme për balancimin e sistemit) dhe të furnizojë OSHEE sh.a/ FSHU me jo më shumë se 1600 Mwh/ditë energji elektrike për furnizimin e klientëve tariforë sipas marrëveshjes së dakorduar mes palëve. Në përputhje me parashikimet dhe kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, pjesa tjetër e nevojave të klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal i furnizimit duhet të plotësohet nga tregu i parregulluar. Aktualisht furnizimi në vend po bëhet përmes importeve të siguruara një javë më parë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vetëm për gushtin OSHEE bleu 434 mijë kwh energji me një vlerë prej rreth 30 milionë euro. Ky është muaji i dytë që furnizimi i vendit me energji mbështetet tek importet dhe procedurat përfundon OSHEE edhe pse pritej një përfshirje e KESH përmes kredisë të Bankës Botërore në nivelin 22.4 milionë euro, por që do të vijohet në një moment të dytë.

Artikulli paraprakDështimi i marrëveshjes me FMN
Artikulli tjetërE turpshme, Rama u heq invalidëve të gjymtuar rëndë ndihmën ekonomike