E turpshme, Rama u heq invalidëve të gjymtuar rëndë ndihmën ekonomike

Të paktën mediat kanë denoncuar me dhjetëra raste vitin e kaluar ku invalidë të gjymtuar rëndë janë përjashtuar nga pagesat mujore që shteti jep për këtë kategori. Në dy dekadat e fundit numri i personave që kanë përfituar këtë pagesë ka ardhur gjithnjë në rritje përjashtuar 2016. Nga rreth 26 mijë persona që merrnin pagesë invaliditeti në vitin 2000, në fund të vitit 2016 këtë pagesë e marrin 61,938 persona. Pagesat e invaliditetit pësuan një rritje të shpejtë në vitin 2016 dhe vitet e tjera që pasuan më pas pasi qeveria e kohës lehtësoi kriteret e përfitimit të pagesës.
Në këtë periudhë u hoq kriteri i vjetërsisë, duke ndikuar rritjen e numrit të përfituesve në moshat e reja. Kështu numri i përfituesve në dekadën e fundit pësoi një rritje të shpejtë dhe pagesat për to gjithashtu. Por qeveria pas vitit 2013 mori masa për të frenuar rritjen e mëtejshme të pagesave për invalidët. Për herë të parë më 2016 nga skema dolën 163 persona, ndërkohë që invalidë rishtaz nuk u futën dot në skemë.
Reduktimi i personave thonë ekspertët ka ardhur për shkak të shtrëngimit të kritereve për pagesat. Kryesori është kushti i të pasurit një vit sigurime në pesë vitet e fundit nga momenti që bëhet kërkesa për pagesë invaliditeti. Kjo ka vështirësuar së tepërmi pagesën për personat që dalin rishtaz në Komision.
Ligji për sigurimet shoqërore shprehet se, personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti.

Sakatimi i ndihmës ekonomike
Fondet dedikuar ndihmës ekonomike nga viti në vit kanë pësuar luhatje të mëdha, si pasojë e ekspozimit të skemës ndaj manipulimeve, fondeve të kufizuara buxhetore dhe një reformë që ka ndërmarrë qeveria. Fondet e ndihmës shënuan rritje me 13% më 2016, pas një rënie me 22% më 2015, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Por me hyrjen në fuqi (28 janar 2017) të një vendimi qeverie, fondet për ndihmën ekonomike pritet të ulen më tej. Vendimi i qeverisë numër 955, i datës 7 dhjetor 2016, kufizon dhënien e ndihmës ekonomike në vetëm 5 vite.
Ky vendim që cenon mbrojtjen e shtresave më të varfra të popullsisë kaloi në heshtje pasi qeveria nuk e publikoi në web-in zyrtar të saj, bashkë me vendimet e tjera që u miratuan në atë ditë. Pasojat e tij u morën vesh pasi VKM-ja u botua në Fletoren Zyrtare më datë 27 janar. Sipas vendimit të qeverisë “ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet. Por ky kufizim nuk mund të aplikohet për familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune dhe familjet me kryefamiljare gra. Sipas VKM, tavani i ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj. Gjatë viteve 2014 dhe 2015 rreth 25 mijë familje kanë dalë nga trajtimi me ndihmë ekonomik sipas të dhënave të INSTAT. Numri i tyre ka ardhur në ulje edhe për 2016, por ende nuk janë azhurnuar të dhënat finale vjetore. Por fondi i ndihmës ekonomike është shumë i ulët në krahasim me minimumin jetik që ka vlerësuar Avokati i Popullit. Pagesa maksimale për ndihmën ekonomike është aktualisht maksimumi 8 mijë lekë në muaj, ndërsa një studim i Avokatit të Popullit thotë se, minimumi jetik është 16 mijë lekë për person në muaj. Sipas studimit të Avokatit të Popullit rreth 7 mijë lekë i nevojiten çdo personi për ushqime dhe afro 9 mijë lekë për shpenzime të tjera joushqimore, për të siguruar jetesën minimale, bazuar në kriteret shkencore të varfërisë absolute.

Artikulli paraprakSituata në kaskadën e Drinit, kritike
Artikulli tjetërKërcënimi që vjen nga moti, si po rritet numri i ditëve me mbi 35 °C