Siri, dhjetëra civilë të vrarë nga sulmet ajrore të Turqisë

Së paku 88 civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ajrore të Turqisë në pjesën veriore të Sirisë, ka njoftuar dje Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri.
Ky observator më tutje tha se sulmet ajrore në qytetin sirian, Al-Bab, kanë filluar dy ditë më parë herët në mëngjes dhe kanë vazhduar edhe dje. Ky grup tha se në mesin e të vrarëve janë së paku 21 fëmijë.
Al-Bab, që ndodhet afër kufirit të Turqisë, është nën kontrollin e grupit esktremist, Shteti Islamik.
Këto sulme ajrore u bënë derisa Shteti Islamik e ka transmetuar një video që i paraqet dy ushtarë të zënë turq gjatë ekzekutimit të tyre me djegie.
Ankaraja ka shprehur përkushtim për t’u përgjigjur ndaj vrasjes së 16 ushtarëve të tjerë në luftën kundër grupit, Shteti Islamik.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet ajrore ishin sulmet më vdekjeprurëse nga ana e forcave turke prej muajit gusht, kur Ankaraja i dërgoi trupat tokësore për t’i mbështetur forcat opozitare siriane, gjatë përpjekjeve të tyre për pastrimin e territorit kufitar nga militantët e Shtetit Islamik dhe për ta ndalur zgjerimin territorial të kurdëve sirianë.

Artikulli paraprakNjë avion i rrëmbyer libian ulet në Maltë
Artikulli tjetërArrestohen dy kosovarë, planifikonin sulm në Gjermani