Sigurime, TPL-të shiten 14 mijë lekë, nën kosto

Policat e sigurimit të detyrueshëm të makinave për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, TPL janë duke u shitur me një çmim nën kosto, në rreth 14,000 lekë nga rreth 18,900 lekë që është zyrtarisht. Gjithçka po ndodh në mënyrë informale, pasi zyrtarisht në letër nuk është reflektuar asnjë ndryshim, kjo sepse kompanitë e sigurimeve për çdo ndryshim në tarifa duhet të raportojnë më herët te Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, këto ndryshime me argumentimet përkatëse.
Arsyeja kryesore e këtyre luhatjeve të çmimeve ka të bëjë me atë që mes shoqërive të sigurimeve njihet si “prishje ekuilibrash” e që ndodh kryesisht në muajin dhjetor kur vijnë edhe emigrantët. Qëllimi është realizimi i më shumë të ardhurave në një kohë të shkurtër. “Ajo që ka ndodhur është se janë rritur ndjeshëm komisionet që agjentët marrin për policat e sigurimeve në emër të shoqërive nga rreth 15%, sot kjo shifër llogaritet në rreth 25%. Një pjesë e këtij ‘shpërblimi’ shkon si ulje për policmbajtësin e një pjesë më e vogël si fitim për agjentët. E kjo ka bërë që policat e TPL-së të shiten ‘nën dorë’ me një çmim më të ulët, por pa reflektuar asgjë zyrtarisht”, thonë për “Monitor” broker të ndryshëm.
Sipas tyre kjo është një situatë që po ndodh rëndom këto vitet e fundit në muajin dhjetor me ardhjen e emigrantëve e më pas në janar situata stabilizohet.
Sipas të dhënave të brokerëve, për mjetet motorike 1,600 cc me vit prodhimi para 2005, çmimi zyrtar i TPL-së është rreth 19,000 lekë, ndërsa për prodhimet pas 2005-ës varion nga 18,600-18,700 lekë.
Megjithatë ka edhe nga ata drejtues të shoqërive të sigurimit që pohojnë se nuk ka asnjë ndryshim te tarifat e tregtimit të policave të TPL-së dhe as që parashikohet të ketë.
Por, e gjithë kjo situatë vjen në një kohë kur Autoriteti i Konkurrencës sapo ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj shoqërive të sigurimit.
Në një intervistë të pak kohëve më parë kreu i këtij Autoriteti, Lindita Milo, tha për “Monitor” se: Kemi të bëjmë me një situatë ku shoqëritë e sigurimit, bazuar në një prim minimal me bazë rreziku, që është i njëjtë për të gjithë, caktojnë çmime që ndryshojnë shumë pak me njëra–tjetrën.
Nisur edhe nga e gjithë përvoja e ndërhyrjeve në treg të Autoritetit në lidhje me këtë produkt, konstatojmë se instrumenti që do ta bënte tregun të funksiononte është sistemi Bonus–Malus. Aplikimi i këtij sistemi do të krijonte mundësinë që Autoriteti i Konkurrencës të mund të identifikonte dhe të provonte qartazi sjelljen antikonkurruese të shoqërive në treg dhe kjo do të ulte mundësinë e interpretimeve të ndryshme nga ana e Gjykatës së Faktit e të provës për sjelljen e koordinuara midis shoqërive.
Në kushtet kur 90% e tarifës fundore “ngurtësohet”, mënyra sesi përcaktohet primi minimal i rrezikut lë shumë pak hapësira për të identifikuar politikat individuale në përcaktimin e tarifave.
Çmimi i sigurimit të detyrueshëm të makinave, TPL ndryshoi për herë të fundit në datë 24 gusht të këtij viti.

Artikulli paraprakHEC-et gjejnë kompromisin për kontratat e reja të energjisë
Artikulli tjetërEuro në pikiatë