Si po i zhduk Kumbaro monumentet e kulturës

Deputetja demokrate, historiania Valentina Duka, ka denoncuar sot zhdukjen përfundimtare nga harta e monumenteve të kulturës, dy urave të trashëguara 200-300 vjeçare si pasojë e përmbytjeve, për të cilat ajo ka akuzuar arrogancën e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe papërgjegjshmërinë e Kryeministrit Edi Rama për t’i mbrojtur.
“Jam këtu për të shprehur indinjatën e thellë, nga zhdukja në hartën e monumenteve të kulturës të dy urave shumë të rëndësishme, siç është Ura e Hoshtovës në zonën e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë. Dhe ura tjetër e krahinës së Orgockës, edhe kjo një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës, që si deputete e Partisë Demokratike ta përfaqësoj në Parlamentin e Shqipërisë.
Këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën dhe brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumejve, ato zhduken jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë. Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë.
Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përgjigja e ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare.
Kam pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato. I ruajnë ato dhe nuk i shkatërrojnë ashtu sikundër ndodhi në Shqipëri. Prandaj jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”.

Shembja dhe shkatërrimi i “Urës së Hoshtovës”

Shëmbet ura e Hoshtovës në Bashkinë e Libohovës, monument kulture i mbrojtur nga shteti dhe që funksiononte si urë lidhëse ndërmjet fshatrave të Zagorisë.
Më 6 janar banorët e zonës shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen e keqe të urës, e cila paraqiste rrezik për t’u shembur.
Por, ministrja Kumbaro, deputete e Qarkut të Gjirokastrës i qetësoi banorët, duke deklaruar se ura nuk paraqiste rrezik dhe se restaurimi i saj ishte përfshirë në prioritetet e ministrisë për vitin 2018.
“Edhe si deputete unë e kam konfirmuar këtë projekt të qeverisë për ta realizuar në vitin 2018. Në këtë moment po punohet për përditësimin e plotësimin e projektit ekzistues dhe do të futet në zbatim sapo të miratohet versioni përfundimtar …”, u shpreh ministrja Kumbaro në takim me banorët.
Por, sikurse u vërtetua në ndryshim nga deklaratat e ministres Kumbaro, ura e Hoshtovës u prish një muaj më pas.

Shkatërrimi i urës 200-vjeçare në Zagorie, si i mashtroi Kumbaro për restaurimin

Shkatërrimi i urës 200-vjeçare të Ali Pashës po përjetohet nga banorët e fshatit Hoshtovë si të ishte një mort. Kjo sipas tyre është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Zagorie.
TCH kishte paralajmëruar përmes një reportazhi në 5 janar se ura monument kulture po shkonte drejt shkatërrimit, por një ditë më vonë grupi i ekspertëve të Ministrisë dhe Monumenteve të Kulturës garantoi se rrezikshmëria nuk ishte e nivelit të lartë dhe se ura ishte e qëndrueshme e do të resturohej së shpejti në një periudhë pa reshje.
Një tjetër grup ekspertësh këtë të hënë, pas shembjes së urës e justifikuan këtë ngjarje me rrëshkitjen e një masivi dheu. Raporti përmbyllet me këtë konkluzion: Pavarësisht problematikave të dukshme në bazamente, shkaqet që kanë sjellë humbjen e qëndrueshmërisë, prishjen e skemës statike dhe shkatërrimin e urës janë shkëputjet masive të dherave në pjesën e sipërme në pjesën veriore”.
“Çarje toke nuk ka fare, ka ardhur vetëm nga rënia e themelisë, që i ka ikur bazamenti”, thotë Koço Puleshi, ndërtues.
Administratori i Zagories tregon se për vite me radhë banoret jepnin alarmin, por fondi për ndërhyrjen në urë nuk u miratua asnjëherë.
“Por mua më thanë Monumentet e Kulturës atëherë se ka dalë fondi, po meqë norma e fitimit është e ulët, pritet të dalë dhe një fond për kishën e Hoshtovës, dhe e njëjta firmë t’i bëjë bashkë që të ketë një fitim logjik brenda normave të caktuara”, thotë administratori Arqile Puleshi.
Ura e Hoshtevës ishte ndër monumentet e rralla të periudhës së ndërtimeve të Ali Pashës. Monumenti me një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore ishte dëshmi e shkëmbimeve tregtare, të Mesjetës së vonë në këtë krahinë.

Artikulli paraprakKLSH: 825 milionë euro dëmi ekonomik në 2017
Artikulli tjetërAmendamenti PD: Jo sahat për puset e ujit të qytetarëve