KLSH: 825 milionë euro dëmi ekonomik në 2017

Institucionet publike kanë shkaktuar një dëm prej 825 milionë euro. Kjo lidhet qoftë me pjesën e shpenzimeve ashtu edhe me mungesën e të ardhurave që duhet të ishin arkëtuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbyllur bilancin e punës për vitin 2017, ku jep edhe detajet për fushat ku ka hasen edhe më shumë probleme, ku rekordin e mban qiradhënia shtetërore. Këto shkelje financiare përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2014-2016, përcaktuar për çdo subjekt të audituar në programet e auditimit.

Dëmi në total

KLSH e ndan dëmin total në tre grupe, ku në të parin përfshihen parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
Tek grupi i dytë kategorizohet shkelja e disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë dhe efektivitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.
Së treti KLSH ka bërë një vlerësim lidhur me detyrimet tatimore dhe doganore. “Për vitin 2016, rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51.17 miliardë ose 41% më e lartë se viti 2015”, vlerëson KLSH.

Fushat me dëmin më të madh

Rekordin për dëmet më të larta sipas fushës e mban pjesa e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore që rezulton me një vlerë 4.1 miliardë lekë. Më pas në vendin e dytë është pjesa e riblerjes së pasurisë shtetërore me 2.89 miliardë lekë. Doganat janë të renditura si të tretat me një vlerë dëmi të konstatuar prej 1.9 miliardë lekë kurse prokurimet në vendin e katërt me 1.58 miliardë lekë.
Grupi i tatimtaksave rezulton me një dëm prej 370 milionë lekë për t’u pasuar nga shpenzimet operative me 251 milionë lekë. Në fund dëmi më i vogël është konstatuar në fushën e pagave shpërblimeve dhe sigurimeve shoqërore me 91 milionë lekë dhe në fund urbanistika me 8.8 milionë lekë. Pjesa e mbetur e sektorëve të audituar, por që nuk klasifikohet në asnjë nga fushat e mësipërme është grupuar nën emërtimin “Të tjera” me një vlerë 503 milionë lekë.

Artikulli paraprakRooney: “Sanchez i mungonte Man United”
Artikulli tjetërSi po i zhduk Kumbaro monumentet e kulturës