Si po i rruan Rama bankat?

Brenda 18 muajve rezultojnë katër grabitje të bankave. Në asnjë rast grabitësit nuk janë kapur, ndonëse skenat e atyre grabitjeve kanë qenë në qendër të kryqytetit dhe zonave të një rëndësie të veçantë sikurse ishte rasti i fundit në Aeroportin “Nënë Tereza”. Pyetja del natyrshëm; si është e mundur që në asnjë rast grabitësit e këtyre bankave nuk kanë mundur të arrestohen nga policia? Si është e mundur që në qoshet e pallateve policia vigjilente arrin të sekuestrojë sallatën dhe domatet e  fshatarëve, por në zonat me mbikëqyrje maksimale, të vëzhguara 24 orë nga kamerat e institucioneve dhe mu nën hundën e policisë vidhen me dhjetëra milionë euro dhe grabitësit largohen të qetë dhe nën kontrollin e plotë të forcave të policisë që duken si të neutralizuara nga urdhërat që ata marrin për të mos vepruar.
Grabitja në Aeroportin e Rinasit është cilësuar e përmasave të filmave hollivudianë, pasi vjen në kohën kur Shqipëria ka përforcuar masat e sigurisë për shkak të kërcënimeve që mund të vijnë nga rreziku i terrorizmit. Mirëpo, ka mjaftuar vetëm një skenë e thjeshtë filmi që siguria jonë të dalë fare zbuluar.
Por kjo nuk është skena e parë kinematografike që ka dalë nga ekrani i televizionit për t’u hedh në realitetin e përditshëm të jetës tonë. Vetëm në 18 muaj, kanë ndodhur tri grabitje të të njëjtit stil, madje tepër të ngjashme me grabitjen e djeshme në Aeroportin e Rinasit.
Në të tria rastet janë marrë shuma të mëdha parash. Në të tria rastet, grabitësit kanë pasur informacion të saktë për destinacionin e parave dhe kanë studiuar lëvizjet e makinave të transportit. Pikërisht nga këto detaje, kanë çuar specialistët e kriminalistikës të hedhin dyshimet kryesore për të njëjtën metodë grabitje, nga e cila, mund të ndodhë të jetë i njëjti grup kriminal.
Sepse lëvizje të tilla parash, në të gjitha rastet është informacion i klasifikuar. Shumë pak persona kanë dijeni të lëvizjes së parave, duke marrë parasysh edhe shumat e mëdha të tyre.
Por çfarë i lidh grabitjet njëra me tjetrën?

Në Rinas u vodhën 85 kilogram euro me prerje 500-she

Në grabitjen e pak ditëve më parë në Rinas, burime policore saktësojnë se janë grabitur një sasi e konsiderueshme parash. Megjithëse nuk jepet zyrtarisht se sa është sasia e parave të grabitura, burime zyrtare policore thonë se, pesha e atyre thasësve të grabitur me para në Rinas ishte 85 kilogram, ndërsa prerjet ishin 500 euroshe. Arsyeja se përse prerjet janë të mëdha kur bëhen transferta të tilla parash është që ato të mos kenë volum të madh. Përllogaritet se vlera në euro e grabitjes të shkojë më shunë se 10 milionë euro, mirëpo ka një konsensus si nga policia edhe nga bankat për të mos e bërë publike shumën e parave të grabitura me arsyetimin se kjo mund të përhapte panik te klientët e bankave.

Grabitja më 27 prill 2015

Ngjarja e ndodhur më 27 prill të 2015-ës, në autostradën Tiranë-Durrës, ku u grabit një makinë e kompanisë “Security” tip “Mercedes Benz 190-ç”, pas kryerjes së aksionit, makina është braktisur dhe djegur menjëherë nga autorët e krimit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me grabitjen në Aeroportin e Rinasit, ku makina që i ndihmoi autorët për t’u larguar nga vendngjarja është djegur në Fushë-Prezë.
Grabitja e tretë, ka të bëjë me një grabitje të llogaritur në mënyrë preçize dhe që ka zgjatur vetëm tri minuta. Njëri prej tyre mjaftohet dhe qëllon me shuplakë njërin nga policët e eskortës, pa hasur në rezistencë të dukshme. Kamerat e sigurisë tregojnë se në më pak se tri sekonda, efektivët e sigurisë fizike ndeshen me tre grabitësit, për t’i lënë ata më pas që të largohen të qetë, bashkë me lekët.
Pavarësisht kësaj, grabitja që u krye në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet, nuk ngjan aq shumë me specifikat e dy grabitjeve të ndodhura njëra në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa tjetra në Aeroportin e Rinasit.
Detaji më i rëndësishëm, që lidh dy grabitjet njëra me tjetrën, ka të bëjë me ashpërsinë e autorëve dhe përllogaritjen deri në detajet më të imëta të të gjithë aksionit të tyre, duke bërë të mundur finalizimin e një krimi me sukses të madh. Të paktën deri në këtë periudhë që flasim, pasi në grabitjen e parë, autorët ende nuk janë kapur edhe pse u vodhën shuma të mëdha parash. Në rastin e dytë, kapja e autorëve ngelet për t’u parë nëse do të arrihet të identifikohen ata.
Një detaj jo i parëndësishëm që ka hedhur dyshime mbi lidhjen mes dy grabitjeve dhe që ka shtuar mundësinë për të menduar se është i njëjti grup kriminal, ka të bëjë edhe me pozicionin gjeografik të dy akteve të grabitjes. Të dy ngjarjet nga njëra-tjetra nuk i ndajnë veçse pak kilometra. Çka hedh dyshime, se autorët jo vetëm e njohin mirë këtë zonë, por kanë në dispozicion gjithë infrastrukturën e mundshme për të bërë të mundur largimin e tyre nga zona e krimit. Një element tjetër, jo më pak i rëndësishëm është edhe tipologjia e kryerjes së aksionit, djegie, thyerje dhe terrorizim të policëve me një gjakftohtësi të paparë nga ana e tyre. Por bashkë me këto detaje, nga përshkrimet e efektivëve privatë të dy kompanive, përshkrimet fizike të grabitësve kanë përputhje njëri me tjetrin. Si në rastin e parë në autostradë dhe në rastin e dytë në Aeroportin e Rinasit, kriminelët kanë një përputhje të madhe për aq sa i përket karakteristikave fizike.

Grabitja e 5 milionë eurove në “Union Bank”

Tre persona me maska dhe të armatosur grabitën në mes të ditës Bankën e nivelit të dytë “Union Bank” që ndodhet në qendër të Tiranës në Bulevardin “Zogu i I”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, grabitësit kanë dhunuar rojen dhe më pas janë futur në garazhin e bankës, në momentin që një automjet i blinduar po transportonte paratë. Personat e armatosur i kanë vënë në kokë automatikun drejtuesit të mjetit ku ndodheshin paratë dhe kanë arritur të marrin dy thasë me lekë.
Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri dhe janë larguar me njërën nga automjetet shoqëruese të autoblindit që transportonte paratë. Bëhet e ditur se kanë qëlluar me armë edhe rojet e sigurisë së bankës, por pa arritur të ndalojnë grabitësit që u larguan me shpejtësi me makinën e rrëmbyer. Policia ka shkuar në vendngjarje, por pa mundur të ndalojë grabitësit. Bëhet e ditur se, policia është vënë në ndjekje të makinës tip “Fuoristradë” ku ndodheshin grabitësit me paratë, por pa mundur ta kapin.
Sipas policisë, makina që u rrëmbye nga grabitësit është gjetur disa minuta pas ngjarjes e braktisur në Paskuqan. Policia bëri të ditur se, ka dyshime që autorët janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, që qëndronin disa metra larg bankës me një tjetër makinë. Policia nuk bëri të ditur shumën e parave të grabitura në bankë, por dëshmitarë nga vendi i ngjarjes saktësuan se grabitësit morën dy thasë me para, çka mendohet se ka qenë një shumë e madhe parash dhe llogaritet në 5 milionë euro.
Policia bëri të ditur se, ngjarja është filmuar nga dy kamera sigurie të bankës. Gjithashtu, në rrugë ndodhet një tjetër kamera, që ka filmuar momentin e grabitjes së bankës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës dhe në mes të Tiranës në Bulevardin “Zogu i I”. Tre grabitësit e maskuar dhe të armatosur ishin futur lehtësisht në garazhdin ku ndodhet filiali i “Union Bank”, pranë Stacionit të Trenit në kryeqytet. Fillimisht, grabitësit kanë dhunuar rojen e bankës, ndërsa më pas kanë arritur të marrin dy thasë me para në makinën e blinduar. Para se të largoheshin, tre autorët i kanë vënë automatikun në kokë drejtuesit të automjetit të Kompanisë së Sigurisë që ruan Bankën, i kanë rrëmbyer atij automjetin dhe kanë qëlluar me armë në ajër. Më pas janë larguar në një rrugicë.

Grabitja e Bankës NBG më 21 maj 2015

Pa kaluar shumë kohë nga grabitja e bujshme e “Union Bank”, tek “Stacioni i Trenit”, shënohet përsëri një tjetër grabitje në filialin e “NBG”, te rruga e “Kavajës”. Dy persona të maskuar edhe të armatosur kanë hyrë në ambientet e filialit të bankës së nivelit të dytë “NBG”, duke marrë nën kërcënimin e armës rreth 10 milionë lekë të vjetra. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë të ditur veprimi i parë që bënë grabitësit për të kryer qëllimin e tyre, sapo hynë në bankë e cila ndodhet në rrugën e “Kavajës”, në kryeqytet, ishte goditja e rojës së bankës me grusht.
Më pas, për pak sekonda ata morën thuajse të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. Punonjësit dhe klientët që ndodheshin në bankë, nuk arritën t’i identifikojnë para se të arrinte policia. Dëshmitarët në vendngjarje treguan se gjatë gjithë kohës që punonjësit i jepnin lekët, mbi kokat e tyre ishte drejtuar një pistoletë. Të dy u larguan me shpejtësi nga banka dhe janë ende të paidentifikuar nga policia. Gjithçka ndodhi në pak minuta dhe grabitësit u larguan, duke vrapuar. Shuma e grabitur nuk jepet me saktësi, por sipas policisë mendohet të jetë afro 10 milionë lekë. Ndërkohë, sipas përshkrimit të punonjësit të ruajtjes së bankës, grabitësit ishin të gjatë dhe mendohet se janë të moshave 25 apo 30 vjeç. Kur forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes, gjithçka kishte mbaruar. Në shkurt të këtij viti u grabit po në mes të ditës një bankë e nivelit të dytë në zonën e stacionit të trenit, në kryeqytet, grabitësit e së cilës ende nuk janë arrestuar.

Grabitja e furgonit të Bankës në dhjetor 2015

Persona të maskuar dhe armatosur dyshohet se kanë grabitur një mjet të blinduar të një shoqërie të sigurisë private. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në dalje të Kasharit, ku nën kërcënimin e armëve me të cilat kanë qëlluar në ajër, persona të paidentifikuar kanë mundur të grabisnin mjetin e policisë private, brenda të cilit mendohet se kanë qenë një sasi parash.
Ndërkohë, vetëm pak metra larg vendngjarjes sot është gjetur një automjet në flakë, që dyshohet të jetë i autorëve të grabitjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve. Më pas, policia ka dhënë detaje në lidhje me atë që ka ngjarë, duke shpjeguar se në vendin e quajtur rruga e Kasharit, pa kthyer në Laknas, një automjet tip “Fuoristradë” i ka prerë rrugën dy automjeteve të një firme private sigurimi “Ro.. S..”, të cilët ishin duke transportuar një sasi lekësh të një banke të nivelit të dytë.

Deputeti Sterkaj: Grabitësit nuk na kanë çuar fjalë se kanë qenë të armatosur

Deputeti Sterkaj ka bërë një deklaratë të çuditshme në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, i cili diskutoi dy ditë më parë në lidhje me grabitjen në Rinas. Sipas Sterkajt, nuk dihet nëse grabitësit kanë pasur armë. “Ata nuk na kanë çuar fjalë se kanë qenë të armatosur”, është shprehur Sterkaj. Deklarata e Sterkajt provon në fakt hijet e dyshimit në lidhjen që grabitësit kishin me policinë. Deputeti ka folur në numrin shumës gjatë fjalës që ai po mbronte në Komision ministrin e Brendshëm, duke nënkuptuar këtu ministrinë dhe pushtetin. Nuk dihet se si ja kanë çuar fjalët grabitësit grupit të Sterkajt, por ajo deklaratë provon se ata që grabitën milionat e eurove paskan një komunikim të vazhdueshëm me policinë apo me pushtetin.
Kjo është deklaratë e plotë e deputetit Sterkajt në Komisionin e Sigurisë në përpjekjet për të mbrojtur ministrin e Brendshëm, Tahiri. “Më shqetëson ky fakt që the për armatimin. Armatimin s’e kemi pa as me një sekuencë filmike, askund. As ata personat nuk kanë çuar fjalë që kemi qenë me armë. Ajo mund të jetë krejt një vjedhje e thjeshtë në mirëkuptim që nuk jemi në gjendje sot me dhënë përgjigje. Mund të jetë krejt një mirëkuptim i atyre rojeve private dhe dikujt tjetër. Kanë marrë paratë dhe kanë ikur në punë të vet…Unë mendoj se duhet të hetohen mirë këto ngjarje se u bë rasti i tretë dhe s’kena transparencë kërkund. Ky është rasti i tretë dhe ti ishe dasht me ni që në rastin e parë”, u shpreh Sterkaj.

7 pyetje Tahirit për grabitjen e bankave

1- Pse e devijon thelbin e skandalit, kush po të kërkon llogari për kujdesin e pasagjerëve në terminal?!
2- Me çfarë merren, rreth 300 uniforma blu të Komisariatit të Rinasit?
3- Kush “i mbulon”, grupet e armatosura, të maskuara, të motorizuara që çajnë rrethimin e një objekti të rëndësisë së veçantë? Policia apo ato çupëlinat e koncesionarit, që s’kanë në pajimet e tyre, as shkop gome dhe jo më armë?
4- Çfarë thotë ligji për rolin e policisë në aeroport, cilat janë detyrat, përgjegjësitë e saj?
5- Mirë për grabitjen që s’keni, faj se ndodhi brenda territorit që përgjigjet koncesionari, po më pas pse nuk u kapën autorët?
6- Çfarë mendoni zoti ministër, për aktin e paprecedent ndaj një vendi që synon statusin kandidat, rikthimin e e Shqipërisë në listën “e vendeve të pasigurta”, nga Belgjika?
7- Po për dy rastet e tjera të ngjashme, ende pa autor në pak muaj, kush ka përgjegjësi?

Artikulli paraprakThe Guardian: Rama pas skandalit me fondin 80 mijë dollarë
Artikulli tjetërMakina që ra në Liqenin e Shkopetit mund të jetë përdorur në krime