Si funksionon tregu monopol i gazit në vend?

Autoriteti i Konkurrencës hapi procedurat për një hetim të thelluar në të gjitha segmentet e tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm i naftës për konsum familjar dhe biznes.
Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të informacionit të paraqitur nga Sektori i Analizës dhe Studimeve “Mbi monitorimin e tregut të gazit të lëngshëm për konsumin familjar dhe biznesin”, si dhe relacionit të sekretarit së Përgjithshëm, në mbështetje për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes.
Grupi i punës gjatë periudhës së hetimit paraprak, procedoi me kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes.
Për shkak të karakteristikave që GLN-ja mbart në përfitimin e nxehtësisë për përdorim rezidencial, në industri, si karburant për automjetet, etj., si edhe të çmimeve të ulëta krahasuar me karburantet e tjera për shkak të trajtimit të ndryshëm për sa i përket taksimit në vend, GLN-ja paraqet një zëvendësueshmëri të ulët nga ana e kërkesës konsumatore. Në këto kushte, vlerësojmë se treg përkatës i produktit në këtë rast është:
Tregu i importit;
Tregu i depozitimit;
Tregtimit me shumicë dhe pakicë të produktit GLN. Për efekt të analizës në raport është pasqyruar edhe tregu i ngarkim-shkarkimit të GLN nga dy portet që ofrojnë këtë shërbim.
Ndërmarrjet nën hetim e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pra treg përkatës gjeografik do të konsiderohet tregu i brendshëm.

Struktura e tregut

lmporti dhe tregtimi i GLN-së në territorin e Republikës së Shqipërisë funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të importit, por kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën gjeografike të ish-Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit, duke pasur të “drejtën ekskluzive” për këtë lloj shërbimi në territorin gjeografik përkatës.
Porti Porto Romano i është dhënë me koncesion nga shteti shqiptar, ndërmarrjes “Romano Port” SHA, me anë të Ligjit nr. 9298, datë 28.10.2004, për ratifikimin e “Marrëveshjes së koncesionit, të formës ‘BOT’ (ndërtim, shfrytëzim, transferim), për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto Romanos, Durrës”. Me anë të kësaj marrëveshjeje, kjo ndërmarrje ka marrë përsipër të ndërtojë dhe të shfrytëzojë pontilin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të infrastrukturës së nevojshme portuale, në funksion të depozitave bregdetare që do të ndërtohen në zonën bregdetare të Porto Romanos.
Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, aksioneri kryesor Pirro Bare, ndërmarrja e të cilit është përfituese e koncesionit të “Romano Port” SHA, zotëron:
84% të aksioneve të ndërmarrjes “Romano Port” SHA, që realizon shërbimin e ngarkim-shkarkimit;
50% të aksione në ndërmarrjen “INTER GAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij porti;
100% të aksioneve në ndërmarrjen “A&V GAZ” SHA.
Nëpërmjet ndërmarrjes “A&V GAZ” SHA zotëron edhe 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.
Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të Ligjit 9121/2003.
Porti “Vlora-1″ i është dhënë me koncesion nga shteti shqiptar, ndërmarrjes “La Petrolifera ltalo Rumena” SPA, me anë të Ligjit nr. 9231, datë 13.05.2004, për ratifikimin e “Marrëveshjes së koncesionit të formës ‘BOO’ për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës”, si dhe për ratifikimin e “Marrëveshjes së koncesionit të formës ‘BOT’, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës”. Me anë të 2 (dy) marrëveshjeve të mësipërme, kjo ndërmarrje kishte marrë përsipër që brenda afateve të parashikuara në marrëveshje të ndërtonte dhe të shfrytëzonte terminalin bregdetar në portin “Vlora-1″ dhe të infrastrukturës portale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar.
Referuar informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) për vitin 2016, si dhe nga informacioni i grumbulluar gjatë inspektimeve rezulton se tregu është strukturuar sipas niveleve të mëposhtme:
─ Në nivelin e parë (importit dhe shitjes me shumicë) bëjnë pjesë ndërmarrjet “A&V Gaz” SHA; “Kevin gaz” SHA; “AL- GAZ 2015″ SHA; “Kastrati” SHA; “KASTRIOT & PETROL” SHA dhe “Bena Gas” SHA;
─ Në nivelin e dytë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me shumicë të GLN, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Ligjin Nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar. Këto ndërmarrje themelohen në formën e shoqërive anonime dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të GLN-së vetëm pas pajisjes me licencë tregtimi. Këto shoqëri kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëri të tregtimit me pakicë të GLN-së, si stacione të shitjes së karburanteve apo njësi të lëndëve djegëse;
─ Në nivelin e tretë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me pakicë të GLN-së, të cilat janë të detyruara të furnizohen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me qëllim shitje tek personat që janë konsumatorë fundorë.

Vlerësimi i kufizimeve të mundshme në treg

Ndërmarrjet importuese dhe shitëse me shumicë “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, kanë një sjellje të bashkërenduar përsa i përket çmimit të shitjes me shumicë të GLN-së dhe ndarjes gjeografike të burimeve të furnizimit, çka mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar në shkelje të nenit 4, pika 1, të Ligjit 9121/2003.
Mesatarja e diferencës çmim blerje–çmim shitje për periudhën objekt hetimi është shumë e ngushtë dhe thuajse simetrike, duke paraqitur sjelljen e njëjtë që kanë ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, gjë e cila në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003, mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar midis këtyre 2 (dy) ndërmarrjeve.
Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit, pohoi në përfundim të hetimit paraprak Autoriteti i Konkurrencës.

Integrimi vertikal

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, një prej aksionerëve zotëron 99.84% të aksioneve të ndërmarrjes “Romano Port” SHA, zotëron gjithashtu dhe 50% të aksioneve në ndërmarrjen “INTERGAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij porti. Gjithashtu ky aksioner zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “A&V GAS” SHA, e cila kryen veprimtari importi të GLN-së. Gjithashtu, ndërmarrja “A&V GAS” SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.
Në zonën e portit “Vlora-1″, në bazë të marrëveshjes së koncesionit, ndërmarrja “PIA” zotëron me koncesion portin dhe infrastrukturën e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së. I gjithë kapaciteti depozitues i GLN-së i janë dhënë me qira ndërmarrjes “FAM GAS” L.L.C. Ndërmarrja “Kevin Gaz” SHA 100% të sasisë së importuar e realizon nga ndërmarrja “FAM Gas” L.L.C. Aksioneri i ndërmarrjes “Kevin Gaz” SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “Manual Gas” SHPK.

Vlerësimi i pozitës dominuese

Një nga kriteret kryesore, që përcaktojnë pozitën dominuese në treg është pjesa e tregut që zënë ndërmarrjet në tregun përkatës. Përvoja e vendeve të Bashkimit Europian udhëzon, që pozita dominuese nuk është e mundur nëse pjesa e tregut përkatës të ndërmarrjes është më e vogël se 40%. Eksperienca sugjeron se sa më e madhe të jetë pjesa e tregut dhe sa më e gjatë periudha që ndërmarrja zotëron një pjesë të tillë tregu, aq më e mundur është që ky element të jetë një tregues i rëndësishëm për një pozicion dominues dhe të justifikojë në rrethana të caktuara ndërhyrjen e Autoritetit.
Ndërmarrja “A&V GAS” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.9%, kurse ndërmarrja “Kevin Gaz” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.4%.
Treguesi i përqendrimit në import mbetet i lartë për shkak të numrit të ulët të operatorëve, (2) të cilët zotërojnë pjesët kryesore të tregut.
Në përfundim të analizës së pjesëve të tregut për një periudhë gati 5-vjeçare, rezulton se dy ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “Kevin Gaz” SHA, kanë zotëruar mbi 70% të tregut dhe në fund të vitit 2016 kanë përkatësisht: 36.9% “A&V GAS” SHA dhe 36.4% “Kelvin Gaz” SHA. Kështu të dy ndërmarrjet zotërojnë një pjesë të madhe tregu, të cilën edhe e mbajnë për një kohë të gjatë, duke u bërë partnerë të paevitueshëm për importuesit e GLN-së, dhe për pasojë duke iu siguruar “dominimin” në tregun përkatës.

Artikulli paraprakBiznesi në krizë, bie konsumi i energjisë
Artikulli tjetërMishi i kalbur nga Brazili dhe tregu i tij në Shqipëri