Më shumë telefonata më pak mesazhe

Shqiptarët kanë shpenzuar 1.7 miliardë minuta në telefon gjatë tre muajve, korrik-shtator. Kjo shifër është më e lartë se në tremujorin e dytë të këtij viti, por 3.9% më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Statistikat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë disa tendenca interesante në treg gjatë tremujorit të tretë, ku bie në sy një ulje e numrit të mesazheve të dërguara. “Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T3 2017 ishte rreth 336 milionë që përbën një rënie me 9.2% krahasuar me T2 2017 dhe një rënie me 17.5% me T3 2016”, thuhet në raport.
Në mesataren e përllogaritur nga AKEP rezulton që, konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T3 2017 ishte: 172 minuta dalëse, 34 SMS dhe 1.91 GB Internet. “Krahasuar me T2 2017, konsumi mesatar i thirrjeve pati rritje me 2.2%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rënie respektivisht me 7.5% dhe me 1.9%”, nënvizon AKEP.
Pavarësisht rënies në bazë tremujore duket se, interneti mbetet vendi ku shqiptarët kalojë një pjesë të mirë të kohës. “Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T3 2017 ishte rreth 12.4 milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 1.91 GB Internet në muaj në T3 2017, që përbën një rritje të ndjeshme me 153% ose 2.5 herë më shumë krahasuar me konsumin mesatar mujor prej 0.76 GB gjatë vitit 2015”, thuhet në raport.
Në përmbledhjen e tij, Autoriteti pohon se ka pasur një rritje të numrit të pajtimtarëve që kanë një kartë SIM, i cili në fund të shtatorit regjistroi shifrën 5.613.000 që përbën një rritje me 4.9% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 3.6% në krahasim me T3 2016.
“Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2017 arriti në rreth 3.4 milionë që përbën një rënie me rreth 1.6% me T2 2017 dhe rënie me 15.6% në krahasim me T3 2016; Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2017 ishte rreth 2.1 milionë që përbën një rritje me 18.4% me tremujoin e mëparshëm, dhe një rritje me 17.8% në krahasim me Tremujorin e tretë 2016”, vlerëson AKEP.
Një tjetër tendencë që është shfaqur në treg ka të bëjë me rritjen e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtarë. Sasia e këtyre thirrjeve u rrit me 0.4% në krahasim me T2 2017 dhe me 9.7% në krahasim me një vit më parë në T3 2016.
“Sasia e thirrjeve on-net u rrit me 0.2% në krahasim me T2 2017, por pati një rënie me 11.3% në krahasim me T3 2016. Proporcioni i thirrjeve on-net/off-net në T3 2017 ishte 55%/45% krahasuar me 60%/40% në T3 2016”, thuhet në raport.

Artikulli paraprakKush është Messina Denaro, Bosi i ri i Cosa Nostra
Artikulli tjetërEdhe 12 milionë euro të tjera shtesë për KESH