Kush është Messina Denaro, Bosi i ri i Cosa Nostra

Pas vdekjes të Toto Rinës, vendin e shefit të Mafias së Palermos e ka marrë Mateo Mesina Denaro. Ai është një mafioz i ri dhe i pamëshirshëm, i aftë të mos ndalet përpara asgjëje për t’u ulur në fronin e “Bosit të Bosëve” të shekullit XXI. Mesina Denaro është një kopje e përkryer e mësuesit të tij, Toto Riinës. Ai lindi më 26 prill të vitit 1962 në Kastelvetrano, një qytet pranë Trapanit. Ishte pikërisht periudha, kur klanet mafioze po shtonin ndjeshëm fuqinë dhe influencën e tyre. Rasti më tipik është ai i klanit të Korleones. Në këtë kohë, mafia amerikane dhe ajo siçiliane bashkëpunuan në trafikun e heroinës, që u solli të dyja palëve fitime kolosale. Ishulli i Siçilisë kontrollohej plotësisht nga të ashtuquajturit “Burrat e nderit”, termi me të cilin identifikoheshin mafiozët. Popullsia vendase nuk e kundërshtonte aspak këtë kontroll, pasi e shihte ‘Cosa Nostra’-n si organizatën që e mbronte nga shteti italian, të cilin e konsideronin si pushtues. Në këtë atmosferë u rrit edhe Mateo Denaro Mesina. Babai i tij, Françesko, ishte gjithashtu një “burrë nderi” dhe me kalimin e kohës u bë “kapo” i krahinës së Trapanit, njëkohësisht edhe një nga njerëzit më të besuar të Toto Riinës.
Tmerrësisht i dhunshëm, mizor në ekstreme, ai nuk trembet nga askush dhe mbi të gjitha zotëron zgjuarsinë e nevojshme për të mos rënë në duart e ligjit. Gjithashtu, zotëron një nuhatje të pazakontë në zbulimin e bizneseve fitimprurëse. Arriti të krijojë një pasuri të pallogaritshme me trafikun e drogës e me anë të zhvatjes përmes kërcënimit. Në trafikun e drogës, karriera e tij u zhvillua me hapa marramendëse. Në pak vite, nga një trafikant i vogël, u kthye në një shpërndarës me peshë të rëndësishme në qarqet e narkotrafikut botëror. Sipas FBI-së, Denaro është një nga shpërndarësit më të mëdhenj në botë. Duket se mban lidhje të afërta me më shumë se një nga lordët kolumbianë të drogës.

Artikulli paraprakINSTAT i Ramës e pranon: Investitorët e huaj po largohen
Artikulli tjetërMë shumë telefonata më pak mesazhe