Më shumë se gjysma e shqiptarëve jep ryshfet në sektorin shëndetësor

Më shumë se gjysma e shqiptarëve jep ryshfet në sektorin shëndetësor, thotë “Barometri i Ballkanit 2017”, një raport i përvitshëm që publikohet në formën e anketës. Kjo anketë tregon se 54% e të pyeturve deklarojnë se, gjatë 12 muajve të fundit kanë dhënë ose personalisht, ose njohin familjarë të tyre të afërt që kanë dhënë para nën dorë në shëndetësi. Ashtu siç duket mjaft qartë nga ky grafik, Shqipëria nuk ka të krahasuar me asnjë vend tjetër në rajon në këtë drejtim. Shëndetësia përfaqësohet në grafik nga ngjyra portokalli e fortë. Për të ilustruar diferencën me fqinjët mjafton të themi që në vend të dytë për korrupsionin në shëndetësi është Maqedonia, me vetëm 9% të qytetarëve që deklarojnë se kanë dhënë ryshfet. Në vend të dytë në vendin tonë për prevalencën e ryshfetit është gjyqësori, me thuajse një në pesë persona që deklarojnë se, kanë dhënë para nën dorë gjatë 12 muajve të fundit. Edhe në këtë drejtim nuk na afrohet asnjë vend tjetër i rajonit. Më pas ndjek arsimi, policia, tatimet, dhe shërbimet e tjera që lidhen kryesisht me pronën. Në asnjë nga 7 drejtimet ku shkon paraja nën dorë, ndonjë prej vendeve të tjera të rajonit është më keq se Shqipëria. Në të 7-ta këto drejtime, shqiptarët janë ata që paguajnë më shumë ryshfet. Ky përfundim thuhet edhe mes rreshtave në raport. Situata ndërkohë ndryshon ndjeshëm, kur shqiptarët pyeten se ku besojnë ata se korrupsioni është më i përhapur. 90% e të anketuarve i thonë po gjyqësorit, 89% partive politike dhe 87% administratës doganore.

 

Artikulli paraprakFMN kundër vendosjes së TVSH-së tek biznesi i vogël
Artikulli tjetërProdhuesit shqiptarë: Qeveria të përmirësojë klimën e biznesit