Shtrenjtohen tarifat për patentat e shpikjeve dhe markave

Gati një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për pronësinë industriale” qeveria ka gati paketën me aktet nënligjore për zbatimin e plotë të tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale njoftoi se ka nxjerrë për konsultim të paktën nëntë vendime dhe rregullore që synojnë të reformojnë sektorin. E pikërisht reformimi duket se do të vijë me një çmim më të kripur për të gjithë ata që do të regjistrojnë patentat e shpikjeve apo markat e tyre.
Në një vendim të veçantë që është nxjerrë për konsultim dhe që ka në bazë tarifat për këto shërbime bie në sy aplikimi i një rritjeje që kryesisht është në vlerë 1-2 mijë lekë.
Kështu tarifa për regjistrimin e transferimit të pronësisë mbi aplikimin për patentë ose patentën nga 4 mijë lekë bëhet 5 mijë lekë. Tarifa për regjistrimin e ndryshimit të emrit të aplikantit/pronarit të patentës nga 3 mijë lekë bëhet 5 mijë lekë.
E kështu me radhë rritja vijon për disa kategori, ndërkohë që vendimi ende draft në konsultim ka hequr tarifën për vitin e parë të ripërtëritjes, duke shfuqizuar pikën që e sanksiononte këtë pjesë me një kosto prej 4 mijë lekësh.
Tek tarifat e markave vihet re sërish një rritje ku tarifa për depozitimin e aplikimit për markë individuale nga 5 mijë lekë që është aktualisht propozohet që të jetë 7 mijë lekë, kurse për depozitimin e aplikimit për markë kolektive kostoja nga 6.5 mijë lekë është bërë 8 mijë lekë. Po kështu vihet re një kategorizim më i detajuar në llojet e tarifave sipas shërbimeve që jepen në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
Tarifat e propozuara mbeten akoma të pazbatueshme për aq kohë sa vendimi është një draft në konsultim. Palët e interesit duhet që të japin mendimin e tyre deri në datë 1 mars në mënyrë që më pas të procedohet me miratimin në hallkat e tjera të nevojshme, duke bërë që gjithë aktet të jenë në fuqi një vit pas ligjit.

Artikulli paraprakBSH miraton planin për çmontimin e euros
Artikulli tjetërShehu: Qeveria heq nga ndihma ekonomike 1600 familje në Gjirokastër