BSH miraton planin për çmontimin e euros

Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë miratoi sot dokumentin “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”, që synon një angazhim që Banka ka ndërmarrë qysh vitin e kaluar për deeurozimin e ekonomisë. Guvernatori i BSH-së, Genti Sejko tha se, kjo nismë, e njohur edhe si paketa e deeuorizimit, është përcaktuar tashmë si një synim mbarëkombëtar, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në prill të vitit të kaluar. Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tre institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Përpara se të vijoj me detajimin e masave konkrete, më lejoni të them dy fjalë mbi motivin e kësaj nisme.
Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar.
“Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”, tha Sejko.
Guvernatori sqaroi se, Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. “Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar”, shtoi ai.
Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi një paketë vendimesh në mbështetje të nxitjes së përdorimit të monedhës kombëtare. Në këtë kuadër, u miratuan:
1) Së pari, dokumenti i Politikës “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”. Dokumenti përcakton mënyrën se si Banka e Shqipërisë do të kontribuojë në këtë proces (i njohur ndryshe si deeuroizim) dhe si do të vlerësojë ndikimin e këtij kontributi.
2) Së dyti, disa ndryshime rregullative, të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me industrinë bankare, të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Artikulli paraprakPas BE edhe PE: Pa u plotësuar kushtet nuk ka hapje negociatash
Artikulli tjetërShtrenjtohen tarifat për patentat e shpikjeve dhe markave