Shpërthen Adi Krasta: Këta janë të çmendur, pas Teatrit radhën e ka Muzeu Kombëtar e Galeria Kombëtare

Nga Adi Krasta

Në rrethanat kur duket se qeveria dhe vizionari i vetëm i saj dhe i Tiranës, bashkë me të zellshmit e DEAL – ve e kanë marrë vendimin për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar (Një Trashëgimi Kulturore), ajo çfarë të fyen më shumë është:
1. Mungesa e sinqeritetit e veshur me harbutëri pushteti e këtij grupimi për të realizuar atë për të cilën tjetërkund e kohë më parë e kanë firmosur, në emër të haraçeve, babëzisë, delirit apo hakmarrjes e që pa asnjë dyshim nuk lidhet me përvuajtjen e mungesës së një Teatri. Teatri mund të ndërtohet i bukur e modern kudo tjetër ku nuk dëmtohet trashëgimia, kujtesa e sensibiliteti, qoftë edhe i një pakice. Shumica që vendos me votë politike është vetshpallur sot si asnjëherë edhe si njohëse e arkitekturës edhe si njohëse e urbanistikës edhe si njohëse e aktrimit (sidomos aktrimit) dhe me arrogancën e padijes vulos dhe çfarë është vlerë e çfarë jo për këte vend.
2. Paligjshmëria apo shembja e paturpshme e çdo ligji që lejon një tjetër SHEMBJE. Atë të Trashëgimisë. Nuk është hera e parë. Këtë fat pati Stadiumi Qemal Stafa e këtë fat (nëse çmenden krejt) do ketë shumë shpejt Muzeu Kombëtar e Galeria Kombëtare.
3. Propaganda e neveritshme që po mpin reagimin edhe kur të mbyt me makinerinë e “fake news” rilindas-gjoja-leftist edhe kur të shan nga nëna e nga “robtë”
Një qeveri që ngriti bunkerë betoni si muze në mes të Tiranës, mund të shndërrojë në muze një Teatër Kombëtar – trashëgimi kulturore, në emër të frymëve që e mbajtën gjallë. Një qeverie të (pa)përgjegjshme dikush mund t’i kujtojë se Londra është e mbushur me ndërtesa teatrosh të vjetër që ndoshta nuk hynë as në listën e trashëgimisë së ligjëruar e që ju bien çatiteë në mes të shfaqjeve e përsëri nuk shemben në emër të rrëmbimit të territorit. Teatrot e rinj janë ndërtuar modeste me përkushtim të sinqertë politikash kulturore e me donacione dashamirësish. Jo poshtë kullave e jo brenda tyre.

Artikulli paraprakAudiopërgjimi/ Artan Lame presion vartësve: Ndihmoni deputetët e ministrat për zgjedhjet, ose ikni nga puna
Artikulli tjetërDenoncimi i Berishës: Mungojnë 64 milion dollarë nga tatim-fitimi dhe taksat doganore për periudhën 5 mujore