Shorti i KED, Prokuroria dhe KLD kundër pretendimeve të Xhafës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme rrëzuan pretendimet e Fatmir Xhafës në lidhje me shkeljen e pretenduar të ligjit dhe Kushtetutës, në hartimin e listave me kandidatët që plotësonin kushtet për të marrë pjesë në shortin e hedhur për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Përmes dy shkresave zyrtare drejtuar Presidentit të Republikës, si KLD ashtu edhe Prokuroria theksuan se kanë zbatuar pikë për pikë ligjin dhe Kushtetutën. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk i ka pranuar vërejtjet e shprehura nga kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, lidhur me hartimin e listave për kandidatë të KED-së, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Përmes një letre drejtuar Presidentit të Republikës, për dijeni kryeparlamentarit Meta, si dhe vetë Fatmir Xhafës, KLD mohon të ketë shkelur ligjin dhe Kushtetutën në hartimin e listës me kandidatët që plotësonin kriteret për të qenë pjesë e shortit për KED-në. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përgjigjen e tij, vëren se ka operuar në transparencë të plotë dhe se, përveç listës me 28 gjyqtarët që plotësonin kriteret, ka dërguar edhe një listë analitike që përmban informacion të detajuar në formë tabelore, ku janë evidentuar të dhënat e 128 gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave Administrative, në raport me plotësimin ose jo nga ana e tyre të kritereve për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pak ditë më parë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, vërente se KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme kishin shkelur ligjin dhe Kushtetutën në hartimin e listave që i kishin dërguar Kuvendit për hedhjen e shortit, duke përjashtuar shumë kandidatë që i plotësonin kushtet e kërkuara. Sipas Fatmir Xhafës, kjo bënte që edhe hedhja e shortit mbi këto lista, të ishte në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Xhafaj vinte në dukje se ky fakt, nëse do të injorohej, do të minonte besueshmërinë e reformës në drejtësi, si dhe kredibilitetin e institucioneve dhe palëve politike që ishin shprehur në favor të saj. Ndërsa KLD i përgjigjet Xhafës duke theksuar se ky institucion nuk ka tagër ta interpretojë Kushtetutën, por ta zbatojë atë, gjë që pretendon se e ka bërë me përpikmëri. Mungesa e respektit të ndërsjellë institucional apo mungesa e respektit ndaj ndarjes së pushteteve, thekson KLD, janë ato që pengojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila është frymëzuar nga vullneti për të eliminuar ndikimin e papërshtatshëm politik në sistemin e drejtësisë, rikujton Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Ndaj shqetësimeve të Xhafës reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në shkresën e firmosur nga Adriatik Llalla, nënvizohet se ky institucion ka verifikuar rast pas rasti të gjithë kandidaturat që plotësonin kushtet ligjore për të qenë anëtarë të KED-së dhe i gjithë informacioni i disponuar i është vënë në dispozicion Kuvendit. Kryeprokurori Llalla thekson se ka zbatuar rigorozisht kuadrin kushtetues e ligjor në zhvillimin e një procesi të drejtë dhe transparent, por shton se çdo interpretim mbi kushtetueshmërinë e procedurave të ndjekura nga Prokurori i Përgjithshëm, mund të jetë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese.

Artikulli paraprakGratë sot pjesëmarrje masive kundër keqqeverisjes
Artikulli tjetërTë rinjtë më të spikatur në Europë