Shifrat e çmendura të turizmit

Michelle Bovee

Nëse jeni frymëzuar nga “Game of Thrones” për të vizituar Dubrovnikun e bukur dhe Kroacinë, vendin e kryeqytetit të trilluar të serialit të suksesshëm, mund të zbuloni se jeni pa fat: qyteti mesdhetar tepër i famshëm si destinacion turistik, është mbipopulluar aq shumë sa kryebashkiaku Mato Frankoviç deklaroi planet për të kufizuar numrin e vizitorëve që do të lejohen në qytet. Kjo lëvizje do të vendosë Dubrovnikun në listën e gjatë të qyteteve si Venecia, Maçu Piçu dhe Santorini që kërkojnë të kufizojnë turizmin për të ruajtur pasuritë e tyre kombëtare që tërheqin kaq shumë turma turistësh.
Turizmi perëndimor nuk është i vetmi që tërhiqet nga këto vende të jashtëzakonshme, pasi shtresa e mesme e popullsisë kineze dhe indiane, pothuajse 3 miliardë njerëz, po përjeton aktualisht një bum të vërtetë udhëtimesh turistike. Udhëtarët kinezë i kanë tejkaluar ata amerikane në vitin 2016 me mbi 135 milionë turistë që enden nëpër glob dhe shpenzojnë mbi 260 miliardë dollarë.
Por turizmi nuk ka lidhje vetëm me vizitat panoramike, pasi forcat gjeopolitike luajnë një rol të madh, duke përcaktuar se kush shkon ku dhe kur dhe rritja e numrit të udhëtarëve nga vendet aziatike mund të ndryshojnë dramatikisht destinacionet më të frekuentuara të globait. Dubrovniku, Venecia dhe vende të tjera mund të zbulojnë shumë shpejt se nuk janë më destinacionet më të preferuar kur vendet si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vendet arabe të fillojnë ta kanalizojnë turizmin e tyre, duke e bërë atë më tërheqës për turistët kinezë dhe indianë, si për shembull duke hequr kufizimet e vizave apo duke promovuar trashëgimi kulturore që mund të ketë lidhje me këto vende.
Turizmi global përbën mbi 10 për qind të GDP-së botërore dhe është duke parakaluar rritjen ekonomike botërore. Çdo vit numri i turistëve rritet, me më shumë se 1.2 miliardë udhëtarë që shëtisin globin për të parë vende të reja, për të vizituar miqtë dhe të afërmit dhe mbi të gjitha, për të shpenzuar para. Kroacia për shembull, po vuante nga recesioni ekonomik në vitin 2014, kur vendi papritur mori një kthesë dramatike, duke përjetuar rritje të menjëhershme të GDP-së. Turizmi, veçanërisht ai që i nxitur kohët e fundit nga seriali Game of Thrones ka kontribuar në ripërtëritjen e shpejtë të vendit. Për vendet si Aruba, Maldivet, ishujt Seychelles dhe Macau, turizmi përbën 50 për qind të GDP-së totale të vendit dhe punëson një pjesë të madhe të popullsisë.
Me këto lloj shifrash, nuk është habi që vizitorët ndërkombëtarë të tejmbushin destinacionet e famshme dhe në disa raste të tajkalojnë edhe numrin e banorëve në vend në shifra të mëdha si një në dhjetë. Kjo nuk është vetëm frustruese për banorët e zonës, të cilët duhet të luftojnë me turmat e turistëve për të bërë punën e tyre të përditshme, por mund të rrisë tej mase edhe çmimet e pronave dhe të dëmtojë mjedisin që turistët vizitojnë më shumë.
Me rritjen dyshifrore të udhëtarëve kinezë dhe indianë, problemet që lidhen me mbipopullimin vetëm do të shtohen. Përpjekjet për të vendosur një tavan në numrin e shtretërve të disponueshëm për turizëm apo frenimi i ndërtimit të hoteleve të rinj është një fillim i mirë, por siç ka demonstruar edhe biznesi i jashtëzakonshëm i qiradhënies së shtëpive në Airbnb, njerëzit mund të gjejnë mundësi nga më krijueset për të udhëtuar pa fjetur në akomodime tipikisht turistike. Programet që promovojnë dhe inkurajojnë turistët të vizitojnë vende më pak të famshme, mund të duket si zgjidhje më e qëndrueshme.
Natyrisht, jo të gjithë vendet janë të shqetësuar për të gjetur mënyrën si të reduktojnë turizmin, pasi shumë vende si Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë duke gjetur mënyra të reja për t’i tërhequr turistët kinezë dhe për t’i distancuar ata nga destinacionet e tjera më popullore. Pavarësisht tensioneve politike aktuale me Kinën, hotelet amerikane Marriott, Hilton dhe Four Seasons kanë promovuar programe që i bëjnë turistët kinezë të ndihen më komodë si për shembull duke ofruar ushqim dhe shërbime kineze, kanale televizive në gjuhën kineze dhe duke krijuar partneritet me kompanitë kineze si WeChat.
Rusia favorizon ndjeshëm agjencitë turistike që merren kryesisht me grupe kineze dhe trashëgimia e saj bolshevike është distinacioni kryesor për turizmin e shtetit të kuq, madje vetë qeveria kineze inkurajon udhëtimin drejt vendndodhjeve historike. Në fakt, qeveritë ruse dhe kineze kanë firmosur kohët e fundit marrëveshjen për të rritur turizmin ndërmjet dy vendeve, gjë që çoi drejt rritjes së madhe të grupeve që eksplorojnë vendet e epokës komuniste.
Nga ana tjetër, Jordania, vendet arabe, Izraeli dhe Austrialia kanë lehtësuar shumë procesin e marrjes së vizave dhe kanë filluar të ofrojnë paketa për të tërhequr turizmin indian. Kroacia, Venecia, Barcelona dhe vende të tjera që janë të mbipopulluar nga turizmi perëndimor, ndoshta nuk kanë përse të shqetësohen në një kohë, kur po bëhet politikisht më tërheqëse të udhëtosh në vende si Rusia, Lindja e Mesme dhe Amerika Veriore.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakInfantino: VAR në Rusi 2018!
Artikulli tjetërKurdët dhe gjeopolitika e 9 miliardëve fuçi naftë