Kurdët dhe gjeopolitika e 9 miliardëve fuçi naftë

Amy Myers Jaffe

Për më shumë se një dekadë, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të promovuar stabilitetin në Lindjen e Mesme kanë hasur vështirësi të mëdha, për shkak të kompleksitetit të gjendjes. Referendumi i fundit në territorin e Irakut të Qeverisë Rajonale Kurde (QRK) nuk është përjashtim. Si vetë zhvillimi i referendumit, ashtu edhe manovrat gjeopolitke që lidhen me të, mund të ofrojnë sfida të mëdha për Shtetet e Bashkuara në rajon dhe të gjenerojë konflikte të reja në zonë në lidhje me kontrollin mbi asetet e rëndësishme të naftës dhe gazit.
Idea se rajoni Kurdistan i Irakut i plotëson kërkesat për pavarësi është e ndërlikuar. Një Kurdistan i pavarur është hedhur fillimisht nga Traktati i Sevres një shekull më parë në vitin 1920. Megjithatë, ende nuk dihet se kur mund të zgjidhet përfundimisht statusi afatgjatë i QRK-së. Ka shumë variabla të ndërlikuara që do të duhet të shqyrtohen pas ekuacionit të referendumit. Ekspertët do të peshojnë faktorët politikë që e kanë shtyrë QRK-në në këtë veprim dhe se si duhet të trajtohet nga Shtetet e Bashkuara.
Çdo përpjekje për të ndërmjetësuar në situatën aktuale pas referendumit do të duhet të shqyrtohet me shumë kujdes, veçanërisht aspektet gjeopolitke të naftës në këtë krizë. Çështja nuk është vetëm tek humbja e mundshme e tregut global të naftës prej 500-600 mijë fuçi në ditë të eksporteve irakene nga territori kurd përmes Turqisë. Në botën e ditëve të sotme të naftës, ky volum eksporti, mund të zëvendësohet, ndoshta jo menjëherë, por gradualisht. Megjithatë, është një precedent i rrezikshëm të lejosh që “eventet” nënshtetërore politike dhe ushtarake, apo ndryshimet e aleancave gjeopolitike rajonale të diktojnë kontrollin e fushave të naftës së Kirkukut, një territor historikisht i debatuar, përpara se të bëhet një tentativë për negocim dhe zgjidhje diplomatike.

Historia e Kirkukut
Zona që rrethon fushat e naftës së Kirkukut strehon shumë popullsi rajonale përfshirë këtu arabë, kurdë dhe turq. Gjatë regjimit të Saddam Husseinit “arabizimi” i rajonit ndryshoi kompleksitetin e kësaj përzierjeje ndërmjet tentativave të regjimit Baath për të garantuar akses më të mirë në naftën e rajonit, që në vitet 1980 ishte rreth 1 milion fuçi në ditë e sasisë së plotë të Irakut prej 2-2,5 milionë fuçi në ditë.
Fushat e naftës së Kirkukut ka një rezervë prej 9 miliardë fuçi. ISIS filloi të zaptonte zonat e fushave të naftës në vitin 2014 dhe kur mbrojtja e ushtrisë irakene dështoi në muajin qershor të atij viti. Forcat kurde Peshmerga ndërhynë dhe morën në dorë kontrollin e pjesës më të madhe të rajonit naftë-prodhues. Prodhimi në fushat e naftës brenda dhe jashtë Kirkukut ka qenë orej 400 mijë fuçi në ditë, 160 mijë të të cilave vijnë nga fushat e Baba Dome, Jambur dhe Kabbazm, të cilat në një pikë filluan të administroheshin nga kompania e qeverisë së Irakut, North Oil Co. Me Kirkukun, pothuajse në dorë të kurdëve, është ende e paqartë se cili do të jetë statusi afatgjatë i aseteve naftë-prodhuese në rajon.
QRK ka shprehur prej vitesh pretendime për Kirkukun si me fjalë ashtu edhe me vepra. Kompanitë amerikane të naftës, përfshirë edhe ExxonMobil i kanë njohur një farë stature këtyre pretendimeve, duke firmosur marrëveshje të shfrytëzimit të naftës në fushat e administruara nga QRK-ja, përfshirë edhe blloqe përreth Kirkukut. Më pas, një bllok i QRK-së, Bashiqa, u zaptua nga ISIS. ExxonMobil ka humbur që atëherë disa fusha të shfrytëzuara në Irakun verior për shkak të vështirësive politike dhe gjeopolitke.
Bagdadi pretendon se të gjitha fushat e rajonit verior duhet të jenë nën kontrollin e plotë të qeverisë irakene, veçanërisht fushat e Kirkukut, dhe kryeministri iraken Haider al-Abadi është detyruar të luajë me reputacinin e tij për këtë çështje me pasoja negative për unitetin e Irakut në rast se nuk arrin të provojë përpara QRK-së se nuk mund të veprojë ashtu siç dëshiron. Parlamenti i Irakut po i kërkon Al-Abadit që të dërgojë trupa të sigurisë kombëtare në zonat e konfliktuara. Ministri i naftës në Irak ka urdhëruar kohët e fundit kompaninë shtetërore North Oil që të marrë masa imediate për të rehabilituar fushat e Ninevehut të shkatërruar nga forcat e Shtetet e Islamik, në përpjekje për të rivendosur kontrollin mbi burimet natyrore të rajonit.
Gjatë viteve të fundit, Turqia ka mbështetur financiarisht dhe përmes tranzitit për eksportet, industrinë e naftës dhe gazit të QRK-së, por ndryshimet në mjedisim politik brenda Turqisë e kanë vështirësuar këtë qëndrim për presidentin Erdogan. Marsin e kaluar, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste të Turqisë theksoi se integriteti territorial i Irakut ishte i domosdoshëm për sigurinë kombëtare të Turqisë dhe bëri thirrje për të ngritur pretendime mbi Kirkukun: “Historikisht, Kirkuku ka qenë territor turk dhe do të bëhet një nga qytetet turke më të shndritshme në të ardhmen”.
Erdogan nga ana e tij është treguar më i matur në lidhje me referendumin, duke thënë se autoritetet kurde do të duhet të paguajnë çmim për referendumin e pavarësisë dhe ka kërcënuar me sanksione ekonomike. Turqia ka zhvilluar stërvitje ushtarake të përbashkët me trupat kombëtare irakene në kufi. Deri tani, Ankaraja nuk ka vendosur të ndërpresë eksportet e naftës kurde, të cilat janë kritike edhe për ekonominë turke.

Në lojë hyjnë rusët
Në fund, Rusia gjithmonë oportuniste ka zgjeruar influencën e saj mbi debatet se kush duhet të kontrollojë Kirkukun në periudhën afatgjatë përmes lëvizjeve të kompanisë shtetërore të naftës Rosneft, e drejtuar nga miku i Putinit, Igor Sechin, i cili është pjesë e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara. Rosneft, gjatë javëve të fundit i ka përshpejtuar negociatat e një bashkëpunimi madhoir energjitik me QRK-në. Marrëveshja e shumëpërfolur thuhet se përfshin aseset e fushave të naftës së Kirkukut, investime në zgjerimin e naftë-sjellëses Ceyhan të Kirkukut si dhe investime të mundshme në gaz-sjellësen nga QRL-ja në Turqi dhe Europë. Qershorin e kaluar, Rosneft mori në dorë pesë blloqe shfrytëzimi nga QRK-ja dhe firmosi një memorandum mirëkuptimi për të marrë një sasi dalëse prej 300 mijë fuçi në ditë. QRK-ja me sa duket ka diktuar edhe fushat Avana, Baba, dhe Khurmala si pjesë e marrëveshjes, ku përfshihen zona më parë të operuara nga kompania irakene North Oil.
Rosneft ka dalë në skenë edhe si kalorësi shpëtimtar për financat kurde, duke ofruar injektim kapitali deri në 3 miliardë dollarë për të rifinancuar borxhin prej 1 miliard të shitjeve të naftës me tregtarët ndërkombëtarë. Kompanitë e naftës si Glencore, Vitol, Trafigura dhe Petraco i kishin dhënë QRK-së hua në bazë të shitjeve të saj të ardhshme të naftës. Nafta e tregtuar ka shkuar në Spanjë, Greqi, Gjermani, Itali dhe Kroaci. Të ardhurat vjetore të QRK-së nga nafta mendohet të jenë deri në 8 miliardë dollarë. Me kaq shumë palë të ndikuara nga vendimi për të ndaluar eksportet e ardhshme të QRK-së, Erdogani e ka gjetur veten në kurth për shkak të shqetësimeve të brendshme dhe ndërkombëtare.
Përfshirja e Rosneftit në çështjet e naftës së QRK-së i shton dimensione akoma më të ndërlikuara negociatave të mundshme për të ardhmen e QRK-së. Referendumi kurd i dha Kremlinit një shans për të shuar mundësisht negociata në Siri, duke dekurajuar kurdët sirianë që kërkojnë bashkëpunim. Rusia kështu ka dëmtuar edhe Turqinë, e cila e konsideronte bashkëpunimin energjitik me QRK-në si mënyrë për të shmangur varësinë nga Moska dhe për të pasur një furnizim kombëtar energjie.
Gjatë viteve të fundit, Ankaraja ka ofruar financim dhe mbështetje teknike për eksportet e naftës dhe gazit të QRK-së që kalonin nga Turqia. Në të njëjtën kohë, është përpjekur të diversifikojë furnizimet e saj me energjinë që vjen nga Rusia, duke u lidhur me furnizimin e QRK-së. Por kosto për liderin kurd Masoud Barzani për varësinë e tij nga Turqia duket se ka qenë tepër i lartë.
Në fakt, oferta për t’i shitur Rusisë asete të naftës nga QRK-ja mund ta forcojë asistencën e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në rast se Bagdati dhe fuqitë e tjera kërkojnë që OKB-ja të imponojë sanksione kundër QRK-së. Ajo që mbetet pas është një lëmsh i vërtetë gjeopolitik që do të kërkojnë aftësi dhe durim për t’u zgjidhur. Nëse rezultati nuk e kënaq Iranin, mund ta shtyjë atë të mbështesë milicinë lokale Shia për të mundur Peshmergan kurde dhe kontrollin e saj mbi Kirkukun.
Edhe irani ka shqetësimet e tij, duke pasur pupullsinë kurde prej 6,7 milionë banorësh që përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Iranit. Irani ishte shteti i parë që kundërshtoi referendumin e QRK-së, duke mbyllur fluturimet dhe kufijtë. Me fjalë të tjera. Përmes aktiviteteve të Rosneftit, Rusia ka fituar mundësi manovrimi me interesat e Turqisë dhe Iranit në sagën kurde.

Nafta dhe interesat amerikane
Kirkuku gjeostrategjik është një provincë e vogël naftë-prodhuese afër Turqisë, Iranit dhe konfliktit të Sirisë, gjë që e ndërlikon shumë situatën dhe ngjason me konfliktet ekonomike që shkaktuan kundërpërgjigje ushtarake nga fraksionet konfliktuale të Sudanit dhe Libisë. Fati i Kirkukut do të shihet nga afër edhe nga palët e tjera të rajoneve të kontestuara të naftës që mezi presin që përgjigja e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara ndaj QRK-së të kthehet në precedentë për aspiratat e tyre. Shtetet e Bashkuara janë dashur shpesh të përzihen në detajet e ndarjes së të ardhurave të naftës në shtetet e dështuara të Lindjes së Mesme, por kjo nuk është aspak e lehtë.
Pasojat e një dështimi të mundshëm mund të rezultojnë fatale si në rastin e Libisë. Për sa i përket aspiratave të QRK-së, ka ardhur koha të dyfishohen përpjekjet për të vendosur precedente të qëndrueshme. Principi i ndarjes së të ardhurave të naftës gjeografikisht me konsensus u kundërshtua që në fillim gjatë rindërtimit të Iranit, duke dëmtuar të gjithë përpjekjen për të rivendosur identitetin kombëtar.
Për të ndihmuar QRK-në dhe Bagdadin që të krijojnë një bashkëjetesë të qëndrueshme, kontrolli i burimeve të naftës dhe shpërndarjes së të ardhurave duhet të përcaktohet sa më parë, paqësisht dhe përmes marrëveshjeve të detyrueshme që mund të gjenerojë pagesa të shpërndarjes së të ardhurave pas mbledhjes finale të tyre. Pasojat e dështimit të këtyre negociatave do të gjenerojë luftën tashmë të njohur “kujt i përket nafta”, rezultatet e së cilës kanë qenë gjithmonë fatale për popullin e rajonit. Milicitë e Lindjes së Mesme kanë mësuar se mund ta kundërshtojnë autoritetin e vendosur nga lidershipi politik duke zaptuar zonat naftë-prodhuese.
Deri tani, procesi i konflikteve të tilla ka arritur të shkatërrojë industritë e naftës dhe gazit të Sirisë, Jemenit dhe një pjesë të Libisë. Shtetet e Bashkuara duket të marrin në konsideratë një diplomaci më aktive për të ardhmen e Kirkukut që në periudhën afatgjatë të mund të gjenerojë rezultate më të kënaqshme. Investimi i kohës, përpjekjes dhe prestigjit diplomatik mund të sjellë benefite të mëdha jo vetëm për popullin e Irakut dhe QRK-së, por edhe për rajonet e tjera të Lindjes së Mesme, ku ndarja e të ardhurave të naftës vazhdon të jetë një konflikt madhor.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakShifrat e çmendura të turizmit
Artikulli tjetërPërplasja e gjigantëve: Incidenti Doklam