Shenjat e gishtave për 6 të zgjedhur, sekuestro dosjeve

Prokuroria e Përgjithshme ka avancuar hetimet në lidhje me listën e publikuar prej saj mbi disa funksionarë të dyshuar se prekeshin nga ligji i dekriminalizimit duke kërkuar shenjat e gishtërinjve të gjashtë deputetëve, ndërsa nga ana tjetër ka kërkuar nga KQZ sekuestrimin e dosjeve të këtyre funksionarëve. Veprimet e Prokurorisë po ndërmerren pikërisht në bazë të ligjit për dekriminalizimin, duke kërkuar të zbulohet nëse personat e dyshuar janë pikërisht të ulur në karriget e Parlamentit. Ditën e dielë KQZ iu përgjigj Prokurorisë përmes një deklarate për shtyp ku shpjegonte se përse Armando Prenga dhe Artan Gaçi nuk janë objekt hetimi për drejtësinë. Por Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar ditën e djeshme disa oficerë gjyqësorë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Organi i akuzës ka nisur kështu hetimin ndaj KQZ pasi dyshon për shkelje dhe fshehje të të dhënave. Mësohet se ditën e djeshme ka nisur sekuestrimi i dosjeve të zyrtarëve të lartë, ndërsa KQZ nuk ka ende një reagim. Po dje, Prokuroria ka kërkuar shenjat e gishtave për 9 zyrtarë dhe deputetë mes të cilëve Aqif Rakipi, Omer Mamo, Mhill Fufi dhe Artan Gaçi. Kjo kërkesë bëhet për të krahasuar disa të dhëna të mbërritura nga jashtë vendit. Prokuroria iu është drejtuar autoriteteve italiane, Europolit dhe zyrës qendrore të Interpolit për të kaluarën e këtyre 9 zyrtarëve. Dyshohet se disa prej deputetëve dhe krerëve të bashkive kanë kryer vepra të rënda penale në vende të ndryshme të BE-së, që nga trafiku i drogës e deri tek shfrytëzimi për prostitucion. Më 16 shkurt 2017, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal ndaj KQZ-së, duke e akuzuar për shkelje ligjore si për rastin e deputetit socialist Armando Prenga, ashtu dhe për dy kryetarë bashkie. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi një ditë më parë në lidhje me akuzat dhe hetimin e nisur ndaj institucionit nga Prokuroria e Përgjithshme. KQZ ishte akuzuar për shkelje të ligjit, duke pranuar deklarime jashtë afateve dhe për mosbashkëpunim, por zyrtarisht institucioni që ka rol kyç në dekriminalizim, sqaron se qëllimi i ligjit të dekriminalizimit është të sigurojnë besimin e publikut dhe jo inkriminimin e pakuptimtë.

KQZ në mbrojtje të të inkriminuarit Armando Prenga

Prokuroria disa ditë më parë kërkoi heqjen e mandatit të Armando Prengës me arsyetimin se ai rezulton me precedentë penalë në Itali dhe Shqipëri. Por sipas KQZ, Armando Prenga nuk e humbte mandatin pasi ai ishte si disa deputetë të tjerë, të cilët nuk kishin shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit. “Përsa iu përket funksionarëve publikë, deputetët: Artan Gaçi, Asllan Dogjani, Blendi Klosi, Florian Mima, Luan Rama, Mhill Fufi, Pjerin Ndreu dhe kryebashkiakët: Ndrec Dedaj, Xhelal Mziu, Zef Hila që rezultojnë se, me vendim të formës së prerë, janë shpallur të pafajshëm ose çështja është pushuar nga organet kompetente shqiptare, KQZ konstaton se nuk janë subjekt i ndalimit sipas ligjit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon gjithashtu se, 12 funksionarë publikë, 7 deputetë: Arben Ristani, Artan Gaçi, Spartak Braho, Sali Berisha, Vladimir Kosta, Xhemal Qefalia, Ylli Shehu dhe 5 kryetarë bashkie: Artur Bardhi, Adriatik Zotkaj, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Tërmet Peçi, kanë depozituar në KQZ kërkesë për plotësim të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, ndonëse pas përfundimit të afatit të parashikuar nga neni 15, pika 2, e ligjit. Kërkesat e tyre për plotësimin e të dhënave kanë qenë ose për ndryshim gjeneralitetesh ose për të dhëna mbi dënime me gjobë për shpifje, armëmbajtje pa leje, fyerje etj. Vetëm 1 kërkesë për plotësim, është bërë për dënim me burg (45 ditë), për kalim të paligjshëm kufiri në vitin 1990”, thuhej në deklaratën e KQZ.

Prenga me 10 identitete të rreme në Itali

Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga rezulton se ka mbajtur disa emra të rreme në Itali. Siç konfirmohet nga dokumenti i policisë italiane, deputeti socialist, ka përdorur identitete të ndryshme si: Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Don Gjoni dhe Arjan Ndoci. Gjithashtu sipas dokumentit të policisë italiane, Prenga ka precedentë penalë të mëparshëm si grabitje, falsifikim dokumentesh dhe krim prone. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar t’i ndërpritet mandati deputetit të Kuvendit, Armando Prenga, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. “Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’, me 450 000 lekë gjobë si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Llalla: Vettingu të mos përdoret për t’iu imponuar vendimeve të Prokurorisë

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi dje se Vettingu, i cili ka të bëjë me procesin e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të përdoret si formë presioni nga askush për të zmbrapsur Prokurorinë në hetimet e saj.
Llala foli gjatë analizës së punës së Prokurorisë së Shkodrës për vitin 2016. “Të gjithë ne si përmenda do të jemi përpara procesit të Vettingut, një moment tepër i rëndësishëm në punën tonë, por gjithsesi nuk mund të përdoret nga askush si mënyrë për t’ju imponuar prokurorëve në vendimmarrjet e tyre. Të gjithë duhet të jemi të pavarur në vendimmarrjet që ne kemi, të cilat duhet të jenë të bazuara në ligj e në prova”, është shprehur Llalla. Një risi tepër e rëndësishme është edhe ajo e decentralizimit të institucionit të Prokurorisë. Ligjvënësi ka vlerësuar që institucioni i Prokurorisë mos të funksionojë më siç ka funksionuar, deri tani pra në mënyrë të centralizuar, por të fillojë implementimi i sistemit të ri pra, decentralizimit të institucionit tonë. Për këtë qëllim është vlerësuar që paraprakisht të gjithë çështjet të kalojnë, të përzgjidhen pra nëpërmjet shortit, proces i cili ka filluar në mjaft Prokurori të vendit dhe tani këtu pritet të fillojë në fillim të muajit mars, nëpërmjet kësaj forme, synohet që prokurorët jo vetëm të jenë të pavarur në vendimmarrjet e tyre, por njëherazi të jenë edhe përgjegjës në këto vendimmarrje. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe krijimit të strukturës së posaçme pranë këtij këshilli, pra Drejtorisë së Inspektimit, inspektimi do të vijojë të kryhet nga Prokuroria e Përgjithshme, proces i cili vijon të kryhet normalisht me të gjitha rastet që ka pasur nevojë”. Duke folur për risitë që sjell ky ligj, Llalla tha: “Mjaft risi të reja ka sjellë ky ligj, për të cilat natyrisht do të pritet implementimi i tij i mëtejshëm, pasi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sjell domosdoshmërinë e plotësimit të mëtejshëm të strukturës së Prokurorisë në vend pasi tashmë ndihet mungesë e madhe e numrit të prokurorëve dhe rritje e ndjeshme e numrit të procedimeve penale. Këtë periudhë institucioni i Prokurorisë i është ndërprerë mundësia për të emëruar, transferuar, për të pushuar punonjës të Prokurorisë nga ana e presidentit të Republikës, proces i cili pritet të fillojë me implementimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është tepër e rëndësishme të vlerësohet fakti se pavarësisht decentralizimit që pësoi pra, mënyrës së organizimit i funksionimit të institucionit të Prokurorisë, sërish roli drejtues si në rang prokurorie rrethi ashtu dhe në nivel qendror do të vijojë të jetë tepër i rëndësishëm. Të gjithë prokurorët sipas parashikimeve ligjore, do të kenë detyrimin që të vënë në dijeni drejtuesin lidhur me ecurinë e procedimeve penale, të cilat ata kanë në proces. Po ashtu prej tij do të marrin udhëzimet përkatëse, të cilat do të vlerësohen për t’u zbatuar më tej”. Kryeprokurori tha se “Është tepër e rëndësishme mbajtja e një politike të njëjtë dënimi lidhur me rastet e veprave të ndryshme penale. Pra, e gjithë Prokuroria si në rang vendi ashtu edhe çdo prokurori rrethi do të ndjekë një politikë të njëjtë të propozimeve të marrjes së masave të ndryshme të dënimit për vepra të caktuara penale”. Nga ana tjetër ai vuri në dukje se ajo që shihet lidhur me volumin e punës, numrin e procedimeve penale, vepra të ndryshme penale, me ngarkesë më të madhe të kësaj fushe përbëjnë ato vepra penale lidhur me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, e cila është tepër e përhapur si në të gjithë territorin e vendit ashtu edhe në të gjithë sektorin që mbulon Prokuroria e Apelit Shkodër. “Prokuroria në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit ka vijuar hetimet për të gjitha këto raste, gjithsesi mbetet për t’u vlerësuar fakti se vijon që numri i procedimeve penale i zbulimit të autorëve të veprave penale vijon të jetë tepër i ulët”, tha ndër të tjera Llalla.

A.Shahini

Artikulli paraprakRama ik, nuk ka kthim pas, zgjedhjet me qeveri teknike
Artikulli tjetërNjë përgjigje për Ramën dhe Taren