Një përgjigje për Ramën dhe Taren

Shkëlzen BERISHA

Karakteristika tipike e gënjeshtarëve dhe shpifësve, është që kur dalin bllof, përgjigjen me një gënjeshtër tjetër edhe më të madhe se e para. Kur dalin zbuluar, shpikin një tjetër, e kështu me radhë me shpresën se në këtë mënyrë do të mbulojnë zullumet e tyre.
Fillimisht thanë se Shkëlzen Berisha është miku i ngushtë i z. Kalaj, por në pamundësi për të sjellë edhe një fakt të vetëm që të provonte këtë shpifje, fabrikuan gënjeshtrën tjetër që kisha vizituar Pragën me z.Ismailaj.
Kur u përballën me padinë ligjore për shpifje, braktisën edhe këtë mashtrim duke fabrikuar gënjeshtrën e radhës se nuk kisha paguar taksat.
Jam i sigurtë që pasi kanë gjetur dokumentat që taksat janë paguar çdo qindarkë, kanë dalë me shpifjen e radhës se paratë e fituara nga kontrata të ligjshme ndërmjetësimi, të transferuara me bankë, të deklaruara nga vetë unë në ILDKP mund të kenë lidhje me CEZ.
Edhe njëherë ju bëj me dije se të gjitha të ardhurat e mia, janë fituar, deklaruar dhe tatuar në rruge ligjore. Çdo gjë është transferuar në rrugë bankare brenda sistemit bankar shqiptar, mbi bazë kontratash dhe nuk kanë asnjë lidhje as me CEZ, as me persona apo kompani të lidhur me CEZ. Nuk kanë asnjë lidhje me fonde publike apo persona që kanë përfituar nga fonde publike.
Në dijeninë time asnjë nga personat apo kompanitë me të cilat unë kam pasur kontrata nuk ka pasur kurrë lidhje financiare me CEZ, DIA, z.Kalaj apo z.Ismailaj.
Rama dhe Tarja mund të, shpifin, gënjejnë, gërmojnë e të bëjnë tym sot e gjithë ditën, por nuk do të gjejnë dot kurrë asnjë qindarkë të padeklaruar, të pa tatuar apo të përfituar në konflikt interesi.
Me këto gënjeshtra para elektorale Edi Rama kërkon të mbulojë vjedhjen 634 milionë euro që i bëri shqiptarëve në marrëveshjen me CEZ.
Kërkon të mbulojë sarajet miliona euro në Surrel dhe pallatin 5 katësh të gruas në mes të Tiranës, të ndërtuara pa asnjë faturë ose siç tha ndryshe bashkëshortja e tij me “para gjaku”. Me para gjaku nënkuptoni para pa burim, para pa taksa, para pa faturë, para jashtë sistemit bankar. Për definicion – Para të pista!
Me këto shashka mendon të mbulojë faktet që do dalin së shpejti dhe provojnë kalimet e kufirit nga vëllai i tij me makinën e përdorur nga kryetrafikanti i drogës Genti Xhixha drejtues i grupit të Xibrakës.
Kërkon të mbulojë mashtrimin për hapjen e 300 mijë vende pune ndërkohë që ka hapur vetëm kampe refugjatësh në çdo cep të Europës.
Përpiqet të mbulojë mashtrimin për shëndetësi falas ndërkohë që u fal qindra miliona euro klientëve të tij përmes koncesioneve, kur buxheti nuk garanton dot as ilaçet për të qetësuar dhimbjet e të sëmurëve me sëmundje të pashërueshme.
Shpreson të mbulojë shpalljen e kriminelëve të pafajshëm e nxjerrjen e tyre nga burgjet për aresye elektorale dhe mbushjen e tyre me të varfër që vrasin veten se nuk kanë me se të paguajnë energjinë elektrike.
Tenton të mbulojë kthimin e Shqipërisë në hambarin e drogës për gjithë Europën.
Kërkon të mbulojë faktin se në Parlament dhe listat e PS gjen më shumë kriminelë se në listat e Camorres në Napoli.
Por sigurisht që nuk ka gënjeshtra që mund të mbulojnë degradimin e Ramës dhe kalbëzimin e qeverisjes së tij.
Eshtë thjesht një mjeran, i gatshem t’i lëpihet çdo krimineli e të pështyjë çdo mashtrim me shpresën se krimi dhe mashtrimi do ta mbajnë në pushtet.

Artikulli paraprakShenjat e gishtave për 6 të zgjedhur, sekuestro dosjeve
Artikulli tjetërQoftet e qeverisë, Internacionalja Komuniste dhe çadra e protestës