SHBA: Mbështetje çdo zgjidhjeje që garanton zgjedhje të lira

Tre senatorët Martin Golden, Chris Murphy dhe John Bonaçiç konfirmojnë vëmendjen e administratës Trump ndaj zhvillimeve në Shqipëri, si dhe në Ballkan gjithashtu, ndërsa shprehen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht çdo zgjidhje politike që do të çonte vendin në zgjedhje të lira. Senatorët janë njohur me krizën që po kërcënon stabilitetin në Shqipëri, ku zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është i kërcënuar nga droga dhe krimi në një takim të zhvilluar me këshilltarin e Presidentit Nishani, Klevis Balliu. Ai ka patur javën e fundit një sërë takimesh në Uashington e Nju Jork, ku u prit nga senatorët Golden, Murphy e Bonaçiç, si dhe një numër anëtarësh të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut. Balliu u takua edhe me shefen e Departamentit amerikan të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, Susan Coppedge.
Gjatë takimeve u diskutua kriza politike e Shqipërisë, si dhe u nda shqetësimi ndërkombëtar për shndërrimin e vendit tonë në një adresë fatkeqe të prodhimit dhe trafikimit të narkotrafikëve. Këshilltari i Presidentit Nishani, Klevis Balliu shprehu shqetësimin për situatën paraelektorale në vend, çka po e bën të pamundur mbajtjen në Shqipëri të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai theksoi se sipas denoncimeve dhe raporteve të organizatave të specializuara ndërkombëtare, duket se qeveria është e implikuar në këtë trafik, prandaj edhe për këtë arsye mbase është e nevojshme krijimi i një qeverie teknike, e cila do të siguronte stabilitet dhe do të krijonte parakushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Gjatë takimit me senatorin Martin Golden, ky i fundit konfirmoi faktin se, “SHBA mbështet plotësisht çdo zgjidhje politike që do të çonte vendin në zgjedhje të lira”. Senatori Golden u shpreh se, “në Uashington, momentalisht jemi në një administratë në tranzicion, por jam i bindur se administrata Trump do t’i kushtojë rëndësinë e duhur Shqipërisë dhe Ballkanit. Administrata Trump do të jetë një administratë, e cila do të përmirësojë gabimet e së kaluarës”, tha ndër të tjera senatori Golden.
Këshilltari i presidentit Nishani, Klevis Balliu u takua edhe me senatorin e shtetit Konektikat Chris Murphy, si dhe senatorin e Nju Jorkut, John Bonaçiç. Pas ekspozesë së Balliut mbi gjendjen në Shqipëri dhe krizën që po vë në rrezik stabilitetin e vendit, senatorët u shprehën se, “SHBA është e interesuar për intensifikimin e luftës kundër trafikut të drogës”. Ata theksuan se SHBA do të vijojë të informohet edhe më tej mbi çështjet e ngritura nga këshilltari i presidentit Nishani, në mënyrë që Shqipëria të ndihmohet të ecë përpara drejt demokratizimit të plotë të saj.
Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, Klevis Balliu u takua me disa anëtarë të Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, me të cilët ndau mendime lidhur me ndihmën që mund të japin autoritetet amerikane për daljen e Shqipërisë nga kriza e rëndë politike, financiare dhe e sigurisë. Gjithashtu, këshilltari i Presidentit Nishani takoi në Uashington DC këshilltarin për marrëdhëniet ndërkombëtare të kongresmenit Eliot Engel, Jason Stainbaun. Gjatë takimit, këshilltari i Presidentit e informoi Stainbaun mbi situatën e rëndë ku ndodhet sot Shqipëria për shkak të mbjelljes masive të trafikut të drogës dhe reperkusioneve që sjell kjo ekonomi e kriminalizuar. Gjithashtu, Balliu shprehu shqetësimin se në rast se do të shkohet në zgjedhje pa opozitën, vendi mund të kalojë në destabilitet, çka do të ishte një kthesë mbrapa në procesin e vështirë të anëtarësimit të vendit në BE. Gjatë vizitës, këshilltari i Presidentit Nishani për marrëdhëniet ndërkombëtare takoi në Uashington shefen e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore, Susan Coppedge. Gjatë takimit, Balliu e informoi zonjën Coppedge mbi përmasat shqetësuese që ka marrë trafiku i drogës në Shqipëri dhe shprehu shpresën në një angazhim më të madh të Departamentit të Shtetit për çështjen e drogës, pasi nëpërmjet saj po trafikohen edhe qenie njerëzore. Coppedge mirëpriti ekspozenë e Balliut dhe deklaroi se do t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së trafikut masiv të drogës në Shqipëri.

A.Shahini

Artikulli paraprakPolicia në Ballkan ushtron dhunë ndaj refugjatëve
Artikulli tjetërBerisha-Ramës: Dorëhiqu! Të kanë braktisur të gjithë!