Berisha-Ramës: Dorëhiqu! Të kanë braktisur të gjithë!

Nga Sheshi i Lirisë, aty ku opozita bashkë me qytetarët vijojnë prej 47 ditë qendresën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ish-Kryeministri Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të dorëhiqet, ndërsa i kujtoi atij se sot Rama ka tejkaluar “vijën e kuqe” dhe është braktisur nga të gjithë. Ndaj dhe për Berishën, kauza e opozitës ka triumfuar në të drejtën e saj. “Edi Rama sot të kanë braktisur të gjithë, sot të kanë braktisur dhe aleatët e tu. Pse? Se u pëlqen opozita? Jo absolutisht, por se kauza e opozitës është një kauzë e drejtë. Sepse, ata e dinë shumë mirë se ti me drogën i bëre gjëmën votës së shqiptarëve, emrit të shqiptarëve, emrit të Shqipërisë. Përsëri le të kthehemi te beteja jonë pse ne kërkojmë qeverinë teknike dhe nuk pranojmë të bëjmë zgjedhje me Edi Ramën. Sepse Edi Rama, si asnjë tjetër në Shqipëri, por dhe si asnjëri tjetër në Europë e mbushi Parlamentin me vrasës, me trafikantë, me pengmarrës, me kriminelë. Po pse ne, ju, shqiptarët në përgjithësi u dashkan të përfaqësohen nga trafikantët, nga vrasësit në Parlamentin e tyre? Këta burra dhe gra që janë këtu vetëm për të shpëtuar ju nga kriminelët, dolën gjashtë muaj nga Parlamenti, bojkotuan Parlamentin, dhe në fund ky çfarë bëri? I nxorri nga dera dhe i futi nga dritarja. Ka nxjerrë aty Denarin për t’u lëshuar çertifikatat kriminelëve më të rrezikshëm. Pra, të dashur qytetarë, ky nuk pranon të shkëputet nga krimi. Nuk mund të pranojmë ne të shkojmë me banda dhe banditë në zgjedhje”, tha Berisha. Ish-kryeministri vlerësoi qendresën dhe sakrificën e çdo qytetari që iu bashkua Sheshit të Lirisë për të mbrojtur si asnjëherë më parë votën e lirë. “Këto 47 ditë e shndërruan këtë çadër në shtatmadhori të lirisë, në shtatmadhorinë e revolucionit, e shndërruan atë ndërtesë (Kryeministrinë) në maskë dhe kashtë. Jo çadra, por Rama ka mbledhur leckat, ka mbledhur zhgarravinat, i gatshëm në çdo moment t’ia mbathë si mbatharak që është. 47 ditë revolucion, revolucioni më paqësor në historinë e Shqipërisë, në historinë e Europës. Këtu në këtë shesh, këtu në këtë çadër me qindra mijëra burra dhe gra kanë sakrifikuar, kanë protestuar, kanë kaluar netë pa gjumë, kanë bërë qindra e qindra kilometra për të ardhur këtu, të ngrënë dhe të pangrënë, në vuajtje, por nuk i kanë lejuar vetes as shprehjen më të vogël të dhunës, të urrejtjes me dhunë, por në mënyrën më fisnike bënë gjithçka për të bindur dhe shqiptarin e fundit se po luftojmë për të, po luftojmë për fëmijët e tij, se nuk po luftojnë për pushtet e priviligje, por po luftojnë për dinjitetin e tyre, për votën e lirë”, tha Berisha. Ish-kryeministri u kërkoi qytetarëve të angazhohen në një dialog për të përhapur mesazhin dhe rëndësinë jetike që ka garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fakti këtë mund ta garantojë vetëm krijimi i një qeverie teknike. “Unë ftoj qytetarët të angazhohen në një dialog me çdo shqiptar, veçanërisht me ata që mbështesin akoma Edi Ramën. Ata mund t’u thonë ju se pse doni t’i prisni mandatin, ju njerëz të ligjit e të Kushtetutës pse nuk lejoni atë të mbarojë mandatin? Asnjë kundërshtim nuk kemi ne. Nëse është i lidhur aq shumë pas asaj karrigeje le të firmosë e të ikë më datë 18, të krijojmë qeverinë teknike, të bëjmë zgjedhje të lira. A e meriton ai këtë? Kurrën e kurrës nuk e meriton, por ne nuk ngatërrojmë atë me qytetarët shqiptarë. Vetëm u themi atyre, pse ne kërkojmë qeverinë teknike”, u shpreh ish-kryeministri. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi sërish dje, skandalin më të fundit të Ramës me Tahirin, atë të vjedhjes së 28 dosjeve kriminale dhe zhdukjes së tyre me qëllim mbrojtjen e bandave dhe krimit të organizuar si dhe lidhjet e tyre me këto banda. “Ti (Rama) flet për policinë. Nuk ka institucion në tokë që kam respektuar më shumë. Por si mund të respektoj unë dhe t’i besoj asaj policie që e veshi vendin me vellon e zezë të drogës. A e kupton t’i që atë polici e ke shkatërruar, e ke asgjësuar nga baza deri në krye të saj. Iku ministri, vodhi hajduti bashkë me Çipën 28 dokumenta kryesore të krimit. Pse shkoi Xhafa, xhelati i diktaturës aty, pikërisht për të fshehur këto. Në këtë mënyrë do ta bësh Shqipërinë? Jo nuk të lëmë ne ta bësh këtë. Boll dhe ik”, u shpreh Berisha.

Pa qeveri teknike asnjë shans për zgjedhje

Në mënyrë kategorike, Berisha hodhi poshtë çdo përpjekje e synim të Ramës për të futur vendin në zgjedhje pa qeveri teknike, e pa pjesëmarrjen e opozitës. Ish-kryeministri i bëri thirrje Ramës, “Të them studio mirë historinë e pushtetit. Çadra sot është pushteti moral shpirtëror i mbarë shqiptarëve. Mos dëgjo ata intrigantë që ke rreth teje, të cilët nuk mendojnë gjë tjetër nga mëngjesi deri në darkë, vetëm sesi të vjedhin më shumë se ti. Kjo është e vërteta. Ik, largohu, hapi rrugën zgjidhjes. Ata që vinë tek ti dhe të thonë të qëndrojmë vetëm, ata kanë hall vetëm të vjedhin. Ta dish mirë, Shqipërinë vetëm në zgjedhje nuk e çon dot. Mund ta çosh veten ti në çdo drejtim tjetër, por jo Shqipërinë vetëm në zgjedhje. Paqja është forcë e të gjitha forcave, ndaj dhe mos e merr shpirtin paqësor të kësaj çadre si dobësi, sepse do të shohësh një mjerim që as në ëndrra nuk e ke parë kurrë nëse nxehet revolucioni. Revolucionin mos e nxeh. Ky është sugjerimi. Shko tani, jep dorëheqjen dhe të bëjmë zgjidhjen e qytetëruar siç u ka hije shqiptarëve. Ke tejkaluar çdo normë, çdo standard, çdo vijë të kuqe, çdo moral, ik shporru, largohu!”

Sot socialistët janë të mashtruar e të zhgënjyer nga Rama

Ashtu si gjithë qytetarët shqiptarë, sot socialistët janë gjithashtu të mashtruar e të zhgënjyer nga Rama dhe qeverisja e tij, i cili gjithë pushtetin e tij e vendosi në shërbim të narkotrafikut dhe krimit të organizuar. Berisha solli në vëmendje faktin se, fuqizimi i narkotrafikut kërcënon seriozisht stabilitetin e vendit dhe mbi të gjitha gjithë shoqërisë. “Mendoni për një moment lumin e drogës, të parave të drogës, të armëve të drogës, të bandave të drogës, që të gjitha të lidhura me partinë e tij dhe me atë vetë direkt. Kurse ne të tjerët, që nuk deshëm drogën dhe që me një fjali të vetme mund t’i jepnim zgjidhje problemit, por atë nuk e bënim kurrë. Sepse ne e dimë që ajo fjali kushtonte qindra e qindra jetë për fëmijët shqiptarë. Nëse do thonim të legalizojmë drogën, dhe të paktën nuk merrnim armiqësinë e drogmenëve, të atyre të mashtruarve të tjerë që e mbjellin dhe e shesin pa e kuptuar se çfarë bëjnë. Por ne nuk e bëjmë kurrë atë, sepse kjo do të thotë t’ua drogosh të ardhmen fëmijëve tanë. Historia ka faktuar se, vendet që kanë mbjellë drogën vetëm janë shkatërruar dhe nuk janë bërë, vetëm janë coptuar. Ndaj ne nuk e themi kurrë. Drogën e udhëhoqi Edi Rama, ndaj të dashur socialistë dhe qytetarë shqiptarë, që ndjeheni të mashtruar qoftë edhe nga droga duhet të kuptoni drejt, se vota me drogën nuk shkojnë, se ne po luftojmë këtu në këtë çadër dhe do luftojmë në mbarë Shqipërinë, sepse nuk mund të pranojmë kurrë t’ia falim votën drogës dhe krimit”, tha Berisha.

A.Shahini

Artikulli paraprakSHBA: Mbështetje çdo zgjidhjeje që garanton zgjedhje të lira
Artikulli tjetërTurqia konfirmon se Assadi ka përdorur armët kimike