BE-SHBA kërkojnë plotësimin e 5 kushteve për hapjen e negociatave

“Progres i besueshëm dhe i prekshëm i pesë kushteve, zbatimi i reformës në drejtësi dhe në veçanti ligji i vettingut, janë thelbësore për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë”. Kështu shkruhet në deklaratën e përbashkët të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë të publikuar dje. Kjo deklaratë vjen pas deklaratave të eurokomisionerit Johanes Hahn, pak ditë më parë. Komisioneri për Zgjerim i BE-së theksoi, përveç plotësimit të pesë kushteve, edhe kërkoi luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës. Deklarata e BE-së ndryshon nga qëndrimi i ambasadores vitin e shkuar, kur ajo minimizoi kushtin e pesë prioriteteve. Ndërsa, ambasada e SHBA-ve në Tiranë në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të saj theksoi përveç zbatimit të reformës në drejtësi edhe krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas modeli amerikan të FBI-së. Kujtojmë se në muajin qershor, Shoqata Kombëtare e Gjykatësve ankimoi në Gjykatën Kushtetuese disa nene të rëndësishme përbërëse të disa ligjeve të paketës së reformës në drejtësi, duke i cilësuar si jokushtetuese. Ato kundërshtojnë nenin për hetimin e figurës së gjykatësit dhe hetimin për lidhje me organizatat kriminale më herët se viti 2012 si dhe detyrimin për të dorëzuar mandatin e gjykatësit brenda tri muajve nga raporti i vlerësimit. Gjykata Kushtetuese e pranoi këtë ankimin, por mbetet e paqartë se kur ajo do të shprehet për kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve. Ankimimi i parë i gjykatësve kundër disa elementeve të reformës në drejtësi u pranua pjesërisht në muajin prill.

Artikulli paraprakSi mashtroi qeveria për borxhet e prapambetura
Artikulli tjetërDështimi i Financave me investimet publike