Si mashtroi qeveria për borxhet e prapambetura

Qeveria mashtroi për borxhet e prapambetura që gjeti në vitin 2013. “Syri.net” zbardh dokumentet zyrtare nga Ministria e Financave, sipas të cilave rezulton se shifra reale e borxheve ishte shumë më e ulët nga sa deklaroi qeveria.
Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj edhe në këtë fushatë vazhdojnë të deklarojnë se qeveria ka shlyer 726 milionë dollarë borxhe të lëna nga qeveria e kaluar.
Por siç tregojnë dokumentet zyrtare shifra e shlyer është vetëm 560 milionë dollarë nga të cilat 50 milionë dollarë kanë qenë borxhe të vetë qeverisë Rama.
Sipas dokumenteve, qeveria pagoi 34 miliardë lekë borxhe të prapambetura në vitin 2014 dhe 17.7 miliardë lekë të tjera në vitin 2015. Këtyre u shtohen dhe 4.9 miliardë lekë të tjerë, që ishin borxhe të krijuara nga vetë qeveria Rama përgjatë periudhës 14 shtator 2013 deri më 31 dhjetor 2013, çka e çon shifrën totale në 56.6 miliardë lekë.

Çfarë u pagua?
Zëri më i madh në listën e borxheve të papaguara ishte ai i rimbursimit të taksave. Sipas dokumenteve, në total për dy vjet u paguan 18.5 miliardë lekë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, akcizës dhe tatimit mbi fitimin.
Detyrimet e papaguara për kontratat e investimeve publike ishin 16 miliardë lekë.
Kategoria e tretë është ajo e vendimeve gjyqësore, shpronësimeve, emergjencat civile dhe ato për pagesën e personave me aftësi të kufizuar. Detyrimet e tyre ishin 11.1 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e papaguara për mallra dhe shërbime të kontraktuara nga institucionet publike ishin 6.1 miliardë lekë.

Artikulli paraprakTatimet në fushatë me fshirjen e gjobave për biznesin
Artikulli tjetërBE-SHBA kërkojnë plotësimin e 5 kushteve për hapjen e negociatave