Senati dhe përdorimi i armëve bërthamore

Komisioni i Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë hapi të martën një seancë mbi autoritetin e presidentit për të urdhëruar një sulm bërthamor kundër një vendi tjetër.
Seanca vjen ndërkohë që Presidenti Donald Trump vazhdon të shkëmbejë fyerje me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili zotëron programe të armëve bërthamore dhe raketave, të cilat kanë ecur më shpejt se sa parashikonin shumica e ekspertëve.
Për herë të parë në më shumë se katër dekada, Kongresi po shqyrton autoritetin e presidentit për të ndërmarrë luftë bërthamore. Procedurat ekzistuese kërkojnë që presidenti të konsultohet paraprakisht me udhëheqësit ushtarakë dhe civilë, por vendimi përfundimtar merret nga presidenti.
Senatori Bob Corker, padyshim kritiku më i zëshëm republikan i zotit Trump, kryeson seancën. Zoti Corker tha se një numër ligjvënësish kanë ngritur pyetje rreth procesit dhe dislokimit të arsenalit bërthamor të SHBA.
“Ky diskutim duhet të ishte bërë shumë kohë më parë”, tha zoti Corker kur njoftoi seancën.
Dy ligjvënës demokratë, Ted Lieu dhe Ed Markey, kanë paraqitur secili projektligje që do të ndalonin presidentin të urdhëronte një sulm bërthamor parandalues pa një deklaratë lufte nga Kongresi. Megjithatë, projektligjet nuk kanë përparuar në axhendën e Kongresit që kontrollohet nga republikanët.
Corker tha në një intervistë me gazetën “New York Times” se retorika e nxehtë e presidentit ndaj Koresë së Veriut mund të përshkallëzohet më tej tensionet që mund të çojnë në një luftë të tretë botërore, duke bërë që disa ekspertë të armëve bërthamore të shprehnin mbështetje për mbajtjen e seancës.
Një gjeneral në pension i Forcave Ajrore i tha Senatit se një urdhër nga Presidenti Donald Trump ose ndonjë prej pasardhësve të tij për të lëshuar armë bërthamore mund të refuzohet nga oficeri më i lartë në Komandën Strategjike amerikane, nëse ky urdhër gjykohet si i paligjshëm.

Artikulli paraprakA do të largohen nga Shkupi përmendoret që irritojnë Athinën?
Artikulli tjetërProkurori i SHBA, Sessions: Nuk gënjej për Trump me Rusinë