Seancë dëgjimore mbi akuzat për përgjim të Presidentit Trump

Megjithë një javë kundërshtimesh nga republikanët në Kongres, Shtëpia e Bardhë ka mbështetur akuzat e Presidentit Trump se ish-Presidenti Barack Obama përgjoi fshehurazi telefonatat e tij në Kullën Trump në Nju Jork. Ky debat e shtoi më tej interesin për seancën e djeshme dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Seanca do t’i japë për herë të parë mundësinë drejtorit të FBI-së, James Comey, për të folur publikisht rreth këtyre akuzave, si dhe për hetimin nga agjencia e tij e kontakteve me Rusinë të anëtarëve të fushatës Trump.
Ka shumë pyetje, por jo mjaftueshëm përgjigje, ndërsa Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve përgatitet të trajtojë publikisht akuzat e Presidentit Trump.
“Ka shqetësim të madh nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, që Presidenti të ketë vullnetin ta thotë një gjë të tillë”, u shpreh anëtari i Komisionit, ligjvënësi demokrat Adam Schiff.
Anëtarë të vetë partisë së Presidentit iu bashkuan demokratëve duke thënë se nuk kanë asnjë provë për pretendimet e tij në Twitter.
“Nuk kemi prova se ka ndodhur kjo gjë. Nuk mendoj se është përgjuar realisht Kulla Trump”, tha kryetari i Komisionit të Zbulimit, Devin Nunes.
Krerët e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve morën mbështetje dypartiake nga kolegët e tyre në Senat, vetëm një ditë pasi senatori republikan Lindsey Graham kërkoi përgjigje nga FBI-ja rreth këtyre akuzave.
“Është një kërkesë krejt e thjeshtë – a pati urdhër të lëshuar nga ndonjë gjykatë amerikane për survejimin e fushatës Trump?”, u shpreh senatori Graham.
Ndërsa FBI-ja u premtoi senatorëve një seancë të klasifikuar informuese, drejtori Comey duhet të përballet në publik sot me këto pyetje të vështira.
“Do ta pyesim nëse ekziston ndonjë provë që mbështet pretendimin e Presidentit. Më shqetëson thellësisht që Presidenti bën një akuzë të tillë pa patur baza dhe mendoj se është në interesin e publikut që kjo çështje të trajtohet publikisht prej drejtorit të FBI-së”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff.
Presidenti u duk sikur dje u distancua nga akuza e tij.
“Nuk thamë asgjë, thjesht cituam një person shumë të talentuar për legjislacionin, që e tha këtë gjë në televizion”, tha Presidenti Trump.
Komisioni i Zbulimit i ka kërkuar FBI-së të paraqesë emrat e shtetasve amerikanë nën përgjim. Nëse emri i zotit Trump apo bashkëpunëtorëve të tij gjenden në atë listë, mund të kuptohet si shenjë se FBI-ja po heton kontaktet ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë.
“Është detyrë e tij të shpjegojë qartësisht natyrën dhe rrethanat e këtyre kontakteve”, mendon Susan Hennessey, nga Instituti Brookings.

Artikulli paraprakBerlini paralajmëron drejtpërdrejt Ankaranë
Artikulli tjetërShërbimi sekret, skema si Obama përgjoi Trump