Schweinsteiger kthehet në stërvitje

Jose Mourinho bën prapakthehu. Rezultatet e dobëta të javëve të fundit kanë detyruar trajnerin portugez të rikthejë Bastian Schweinsteiger-in në stërvitje. Pasi ka qëndruar jashtë skuadrës që nga momenti që “Special One” ka marrë drejtimin e Manchester United, mesfushori gjerman u stërvit sërish me “Djajtë e Kuq” këtë të hënë, me 32-vjeçarin që nuk ngurroi ta shprehte gëzimin e tij në rrjetet sociale. Në profilin e tij në Twitter menjëherë pas seancës stërvitore Shvajni shkruante: “U ndjeva shkëlqyeshëm sot, skuadra është në formë të mirë dhe rezultatet do të vijnë”. Një sinjal mëse i qartë ky për Mourinhon nga mesfushori kampion bote me Gjermaninë në Brazil.
Schweinsteiger mendon vetëm për Manchester United dhe dëshira e tij është të vazhdojë të japë kontributin e tij dhe të ndihmojë Red Devils në arritjen e objektivave sezonalë. Edhe pse u stërvit për muaj me radhë me skuadrën e të rinjve, 32-vjeçari asnjëherë nuk ka polemizuar me Mourinhon duke pritur në heshtje shansin e tij. Momenti i Shvajnit mund të vijë që në ndeshjen e radhës në kampionat duke e parë edhe se Ander Herrera do të jetë i skualifikuar, ndërsa Fellaini e Carrick nuk bindin plotësisht. Në këtë periudhë të vështirë Manchester United ka vërtet nevojë për klasin dhe përvojën e një lojtari si Bastian Schweinsteiger dhe mesa duket Mourinho e ka kuptuar diçka të tillë.

Artikulli paraprakInteri mendon edhe për Hiddink
Artikulli tjetërTrump në takimin elektoral: Faleminderit Huma!