Rusia dhe Gjermania bojkotojnë turizmin në Turqi

Rusia dhe Gjermania po bojkotojnë Turqinë në turizëm, por nga kjo situatë po përfitojnë shqiptarët. Drejtuesit e agjencive turistike në Tiranë parashikojnë një sezon pozitiv sa i përket kërkesës për të pushuar në plazhet e Turqisë. Prenotimet kanë nisur që në muajin janar, por sinjalet që janë marrë se Turqia këtë vit do të jetë më lirë kanë shtuar ndjeshëm prenotimet. Sipas drejtuesve të këtyre agjencive, tarifat e akomodimit në resortet turke janë ulur mesatarisht me 20-25% në krahasim me të njëjtën kërkesë të një viti më parë. Sipas tyre rritja e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në brigjet turke është favorizuar për disa arsye.
Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se, Rusia dhe Gjermania dy tregjet që furnizonin më së shumti Turqinë me turistë (9 milionë në total) e kanë bojkotuar. Të dhënat zyrtare të shtetit turk flasin për rënie të numrit të vizitorëve gjermanë në rreth 40%. Gjermanët duket se këtë vit do të pushojnë tjetërkund e me gjasë do të zgjedhin destinacionet e Europës Jugore. Nga ana tjetër është Rusia. Goditja e avionit rus nga ushtria turke në kufirin me Sirinë në nëntorin e të vitit të kaluar duket se po i kushton shtrenjtë Turqisë. Numri i turistëve rusë u ul me rreth 60% krahasuar me marsin e vitit 2015. Të ardhurat nga kjo industri pritet të bien në 20 mld dollarë, rënia më e madhe që nga fillimi i Depresionit të Madh.
Në mars, numri i turistëve ndërkombëtar u ul me rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Turizmi është një sektor i rëndësishëm për ekonominë turke, pasi zë 6% të PBB-së dhe 8% të forcës së përgjithshme të punës.
Një tjetër faktor që do të ndikojë në shtimin e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në Turqi është se Greqia parashikon të zbatojë çmime më të larta krahasuar me një vit më parë. Drejtuesit e agjencive turistike në Tiranë thonë se, dyndja kryesisht e rusëve do të bëjë që Greqia të rrisë çmimet për të përfituar sa më shumë.
Pak ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi liberalizimin e përkohshëm të regjimit të vizave me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe të Arabisë Saudite me qëllim që të ndihmohet turizmi vendas.

Artikulli paraprakMashtrimi i kreut të Policisë: Nuk ka pajisje përgjimi
Artikulli tjetërSociete nxjerr në shitje 49 pasuri me vlerë 8.4 mln euro