Rriten tensionet në Zimbabve, ushtria mohon puçin

Tensionet janë rritur në Zimbabve, pasi ushtria ka marrë kontrollin e kryeqytetit Harare.
Ushtria tha se operacioni është zhvilluar kundër “kriminelëve” rreth presidentit Robert Mugabe.
Një korrespondent i “Reutersit” në Harare i përshkroi ngjarjet si “grushtshtet i dukshëm ushtarak”, por tha se mbetet e paqartë nëse operacioni i ushtrisë do të sjellë fundin formal të sundimit gati 40-vjeçar të Mugabes.
Udhëheqësit ushtarakë të Zimbabvesë e kanë mbyllur Mugaben në rezidencën e tij më 14 nëntor, ndërsa ushtarët janë vendosur nëpër kryeqytet dhe kanë marrë kontrollin e televizionit shtetëror.
Media e Afrikës së Jugut raportoi se ministri i Mbrojtjes i Afrikës së Jugut dhe ai i Sigurisë Shtetërore janë dërguar në Harare si emisarë të presidentit Jacob Zuma.
Ata pritet të takohen sot me Mugaben dhe lidershipin ushtarak të Zimbabvesë, i cili mohon se ka organizuar puç.
Operacioni i ushtrisë ka pasuar luftën për pushtet, përkatësisht mospajtimet për atë që do ta pasonte Mugaben.
Nënpresidenti i tij, Emmerson Mnangagva, është shkarkuar javën e kaluar, duke bërë që gruaja e Mugabes, Grace, të jetë pasardhëse e mundshme e presidentit, por duke bërë që zyrtarët ushtarakë të ndjehen të lënë anash.
Mugabe, 93 vjeç, ka dominuar skenën politike të Zimbabvesë prejse vendi ka shpallur pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1980.

Artikulli paraprakBB kundër Ramës për koncesionet 1 miliard euro
Artikulli tjetërBerlin, po sikur të dështojnë bisedimet për koalicionin?