Rreziku aktual nga armët bërthamore

Asllan BUSHATI

Kohët e fundit veprimet e Koresë së Veriut e kanë tensionuar situatën politiko-ushtarake jo vetëm në Lindjen e Largët, por në të gjithë botën. Kulmin e tij tensionimi e arriti me provën e bombës me hidrogjen të Koresë së Veriut, të datës 3 shtator 2017, e cila shkaktoi lëkundje të tokës në një hapësirë të madhe dhe në përmasat e një tërmeti 6.3 ballë të shkallës Rihter. Por ajo shkaktoi “tërmet” edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në qendrat e mëdha vendimmarrëse të planetit. Në këto kushte, pyetja më e thjeshtë shtrohet se: pse erdhi situata deri në prag të luftës bërthamore? Shpjegimet mund të jenë të shumta e nga këndshikime të ndryshme. Por pikëpamja ime si ish-ushtarak i lartë, specialist i fushës së mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë (ADM) dhe ish-drejtues i kësaj veprimtarie për një kohë relativisht të gjatë në Ushtrinë shqiptare, është se ajo nuk erdhi si shkreptimë (rrufeje) apo qoftë edhe brenda ditës, javës a muajit. Jo. Ajo është gatuar ngadalë-ngadalë dhe është e qëllimshme.
Periudha pas “Luftës së Ftohtë” është një tranzicion që gradualisht për gati një çerek shekulli solli një dizekuilibër ekonomik, politik dhe ushtarak në shkallë botërore. SHBA-të kanë qenë e janë në qendrën e kësaj stuhie (të dukshme e të padukshme), në fushën e ekonomisë, armatimit, inteligjencës njerëzore e kibernetike për ta minosur qenien e saj si lider i vetëm botëror. Fuqitë e reja e të vjetra ekonomike, kërkojnë ndryshimin e ndarjes së pasurisë botërore. Kërkesa për tregje të reja ekonomike në kurriz të atyre amerikane ka bërë që kontradiktat të shfaqen në qëndrimet politike e diplomatike kundërshtuese dhe në demonstrimin e “muskujve” ushtarakë.
Situata e viteve të fundit në Irak, Siri, Libi, Afganistan etj., (dhe disa politika ditore e dritëshkurtra), i kanë mbajtur amerikanët si të lidhur (fokusuar në këto rajone), duke mos qenë të lirshëm e veprues në rajonet e tjera. Madje këto politika (ndonjëherë jo të menduara mirë), kanë bërë shfaqjen edhe të disa raporteve jo të këndshme edhe me vendet e BE-së, (aleati kryesor i SHBA-së), veçanërisht për problemin e refugjatëve. Shto këtu pushtimin e Krimesë nga Rusia, nxitjen e luftës në lindje të Ukrainës, ndërhyrjen për destabilizimin e situatës në Gadishullin Ilirik (Ballkanik), ndërhyrjet e vazhdueshme me agjenturë e kibernetikë, si dhe trysninë e Kinës për hapësira të reja ekonomike e detare e bëjnë tablonë të rrezikshme shumë komplekse.
Ka politikanë, diplomatë, shtetarë të ndryshëm, (edhe këtu në SHBA) senatorë, kongresmenë, njerëz të medias, që besojnë se Kina dhe Rusia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e tensionit në gadishullin korean. Unë absolutisht nuk besoj në një ide të tillë. Sepse në gjykimin tim, Kina si në situatën e tanishme dhe në planin afatgjatë, lufton vetëm për interesat e saj strategjike për t’u bërë superfuqi e vetme botërore. Ajo aktualisht po pushton të gjitha tregjet me mallrat e teknologjinë e saj ekonomike e ushtarake, përfshi edhe Korenë e Veriut. Në gjykimin tim, ajo është e interesuar që konflikti korean të përshkallëzohet (se ka shumë përfitime), por duke ditur mirë rrezikun e armëve bërthamore, dëshiron që konflikti me këto armë të mos zhvillohet pranë saj. Pra, shkurt situatën e tensionuar e pëlqen, por pa përdorimin e armëve bërthamore. Kina gjithashtu, është e interesuar për dobësimin e gjithanshëm të SHBA-së, veçanërisht dobësimin e përgjithshëm ushtarak të saj e mbi të gjitha të kontigjenteve në Lindjen e Largët. Prandaj unë nuk besoj në ndonjë ndihmesë të Kinës në konfliktin koreanoverior me SHBA-në.
Kurse Rusia e ballafaquar me sanksionet ekonomike amerikane, jo vetëm nuk mund të luajë një rol pozitiv, por përkundrazi unë mendoj se ajo vendos “mina” çdo ditë në situatën e krijuar. Presidenti rus Putin ashtu si Kina e dëshiron përshkallëzimin e situatës për të dobësuar amerikanët, por pa përdorimin e armëve bërthamore, madje edhe sanksionet e OKB-së kundër Koresë së Veriut, i konsideron jo dobiprurëse kur thotë se: “Konflikti do të jetë katastrofë globale… edhe pas sanksioneve mendohet se Peniani nuk do ta braktisë vijimin e provave bërthamore”. Pra, i inkurajon ata të vazhdojnë rrugën e provave në kundërshtim me idetë amerikane.
Ka qarqe të caktuara antiamerikane, që e shtyjnë Presidentin koreanoverior Kim Jong Un, jo vetëm të vazhdojë provat bërthamore, por ta përshkallëzojë situatën, duke i bërë elozhe se je me të vërtetë “trim” dhe i vetmi që “e ke mundur Amerikën” në sytë e gjithë botës. Madje qarqe të tilla ndoshta e shtyjnë atë të ndërmarrë avanturën e përdorimit i pari të armëve berthamore sepse i thonë se je më i avantazhuar. Kjo është tërësisht çmenduria më e madhe e kohës që po jetojmë. Ky qytetërim në përfundim të Luftës Dytë Botërore i provoi armët bërthamore mbi Hiroshima e Nagasaki më 6 e 9 gusht 1945, ku mbetën të vdekur 106 mijë vetë, 98 mijë të plagosur dhe mijëra të tjerë të vdekur më pas nga rrezatimi mbetës.
Por edhe europianët (përfshi ne shqiptarët), e kanë një përvojë shumë negative nga aksidenti i 1986-tës në centralin bërthamor të Cernobilit në Ukrainë. Sot askush nuk e di se sa ka qenë numri i të vdekurve me kancer nga rrezatimi mbetës i këtij aksidenti. Por për kujtesë më lejoni të jap disa shifra. Para aksidentit niveli i rrezatimit natyror në Shqipëri ishte 4-6 zbërthime në minutë për centimetër katror. Më 9 maj 1986 (në kohën e aksidentit), në Malin e Moravës në Korçë ishte 1280 zbërthime në minutë për centimetër katrorë. Kjo situatë radioaktive ishte afërsisht në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kurse dhjetë vite pas aksidentit (më 1996) niveli i rrezatimit në Tiranë ishte 14-17 zbërthime në minutë për centimetër katrorë. Tani më lejoni të pyes secilin lexues se sa nga të afërmit tuaj kanë vdekur me kancer në 27.4 vitet pas aksidentit, pra deri më 2003-2004? Po përgjigjem unë për familjarët e mi: gjatë kësaj periudhe kam humbur vëllain, dajon, dy burrat e motrave, kurse bashkëshortja ime dy prindërit, dy dajot, djalin e dajos, burrin e tezes. Po ju të tjerët..? Pra, shtruarja e mendimit se armët bërthamore edhe mund të përdoren në raste specifike, është një absurditet i pakrahasueshëm me asgjë tjetër.
Fenomeni koreanoverior, mund të hapë (si një reaksion zinxhir), një problem të madh të sigurisë botërore, duke zhvilluar idenë e vetëmbrojtjes kombëtare nga armët bërthamore (të të tjerëve), me zhvillimin e arsenaleve bërthamore të shumë vendeve të kërcënuara. Nën pretekstin e të qenit i rrezikuar nga armët koreane (ose dikujt tjetër), në këtë rrugë mund të hyjnë: Koreja e Jugut, Japonia, Indonezia, Malajzia dhe Australia. Në kushtet e këtij reaksioni do të fillonin nga puna si të kërcënuar: Gjermania, Italia, Turqia, Irani, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Brazili etj., etj. Pra, shpejt do të kishim një kaos të vërtetë dhe siguria globale dhe ky qytetërim do të shkatërroheshin nga politikanë të papërgjegjeshëm, por edhe nga gabime njerëzore e teknike.
Në situatën e krijuar në Gadishullin Korean (por edhe më gjerë), një rol të dorës së parë duhet të luante OKB-ja me mekanizmat e saj. Por në gjykimin tim ky organizëm është bërë i pamanovrueshëm dhe disa herë destruktiv. Do të ishte një gjë e mirë gjetja e një forme më të përshtatshme organizimi botëror, por deri atëherë kjo që është duhet të bëjë shumë më shumë se deri tani.
Jam i mendimit se edhe një plan politik duhet shtruar një tezë në tryezat e politikëbërësve botërorë. E them këtë se që nga viti 1953 kemi dy Kore, kur atje është një popull, një komb me një gjuhë. Nuk do të ishte herezi t’u thuhej koreanoveriorëve se kalimi nga diktatura e proletariatit në demokraci shumë partiake, do të ishte një parakusht për të hedhur hapin e parë drejt bashkimit të dy Koreve në një shtet të vetëm demokratik. Kjo ide mund të duket sot si çmenduri, por më besoni se është një opsion më shumë në situatën e rrezikshme që ekziston atje.
Dhe së fundmi do t’ju lutesha strategjistëve në Uashington, të rishohin opsionet e së ardhmes në dritën e problemeve dhe dukurive të kohës që po jetojmë. T’ju bëhet me dije politikanëve të të dy krahëve të politikës, rreziku që ekziston dhe se të qenit e Amerikës e fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk është vetëm një çështje krenarie amerikane, por është domosdoshmëri në mbajtjen e ekuilibrave botërorë. Është domosdoshmëri për ruajtjen e trashëgimisë së deritanishme botërore dhe lënien e tyre të sigurtë breznive që do të vijnë. Lereni Presidentin Trump me administratën e tij, të bëjë detyrën që ka të përcaktuar me Kushtetutë, dhe zotimet që ka marrë para popullit amerikan. Lerini presidentët e tjerë që do të vijnë ta mbajnë e ta bëjnë Amerikën “great again”.

Artikulli paraprak41 milionë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë
Artikulli tjetërBurlesk akademik