Rrëfimi i Xhorxh Soros për veten: Jam për të bërë para si spekulant

Dje ka mbërritur në Tiranë Riccardo Hausman, ai është një profesor i Harvardit, por njëkohësisht drejton një grup nëpunësish që këshillojnë qeverinë Rama për reformat dhe koncesionet. Instituti i Hausmanit është një partner zyrtar i qeverisë shqiptare. Hausman përfaqëson një nga strategët kryesorë të konglomeratit financiar të drejtuar nga George Soros.
Por paralelisht me zhvillimet në Tiranë, disa organizata të huaja, kanë nxjerrë në dritë një rrëfim të pazakontë të vetë Sorosit. Bëhet fjalë për një intervistë të tij të dhënë në vitin 1998, por që ishte zhdukur nga qarkullimi. Pjesët kryesore të kësaj interviste ishin përshtatur në një dokumentar të realizuar enkas për rolin e Soros. Në dokumentar shfaqet dhe zonja Hillary Clinton krah financierit Soros, në një vizitë të bërë në Afrikën e Jugut në vitin 1997.
Por çka është më e rëndësishmja, është fakti se pohimet që Soros ka bërë në këtë intervistë janë spektakolare dhe tepër të sinqerta. Ai pranon rolin e tij si spekulant dhe flet për sulmet që u ka bërë tregjeve apo dhe për detaje mbi fëmijërinë e tij.

EPISODI 1- Lojtari
George Soros: Njerëzit kanë idenë sikur çdo gjë shkon shumë mirë. Por e vërteta është se sistemi është krisur. Dhe duhet riparuar.
Gazetari: Mos vallë ajo që duhet të bëjmë është që të forcojmë rregullat për ta mbrojtur botën nga njerëz si puna juaj?
George Soros: Epo… unë jam një lojtar. Unë mendoj se të gjithë lojtarët duhet t’i nënshtrohen një sistemi rregullash loje.

EPISODI 2- Kolapsi
Gazetari: Ju jeni akuzuar si personi përgjegjës për kolapsin financiar të disa shteteve në Azi. Si për shembull në Malajzi, Indonezi, Japoni dhe në Rusi madje.
George Soros: Për të gjitha këto u akuzokam unë, hë?
Gazetari: A jeni vërtet kaq i fuqishëm?
George Soros: Jo, unë mendoj se kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh.
Gazetari: Kryeministri i Malajzisë për shembull…
George Soros: Po?
Gazetari: Ai është shprehur se rajonit iu deshën 40 vite të mëkëmbte ekonominë, derisa vjen një hajvan si Soros, me pare pa fund dhe merr fund gjithçka. Ai ju ka quajtur një kriminel juve zoti Soros…
George Soros: Po ai e ka më të thjeshtë që të akuzojë një faktor të jashtëm, se sa të pranojë keqmenaxhimin që i ka bërë ekonomisë së vendit të tij dhe monedhës së vendit. Po edhe ministri i Financave në Francë ka deklaruar se spekulatorët e tregut duhen varur tek shtyllat e ndriçimit në rrugë.

EPISODI 3 – Suksesi
George Soros: Unë mendoj se nuk kanë lënë ndonjë gjë pa më akuzuar. Unë jam këtu për të bërë pare. Unë nuk mund dhe nuk shoh pasojat që shkakton kjo gjë në shoqëri.
Gazetari: Mua më duket sikur në disa raste ju keni dalë hapur dhe keni sulmuar monedhën e disa shteteve. Këto vende ju bëjnë përgjegjës…
George Soros: Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme në fakt. Ka qenë një përvojë poshtëruese për mua, sepse unë në fakt përpiqem të bëj gjënë e duhur, por ndonjëherë ajo që unë bëj, shkakton pasoja negative, të cilat unë nuk i kam pasur si synim, siç ndodhi në Rusi për shembull.

EPISODI 4 – Kontradiktori
Gazetari: Duket sikur personi George Soros përfaqëson një kontradiktë tepër të madhe.
George Soros: Ç’kontradiktë na qenka kjo?
Gazetari: Po ju nga njëra anë ju jeni ai kapitalisti që nuk do t’ia dijë për pasojat që shkakton në shoqëri, por nga ana tjetër, ju jeni një filantropist që duket sikur i ka me shumë merak kauzat shoqërore. Si ja del që i bën të dyja?
George Soros: Si një garues në treg, unë kam për qëllim që të fitoj. Por si qenie njerëzore, unë jam i shqetësuar për shoqërinë në të cilën jetoj dhe vetë.
Gazetari: Cilin Soros po intervistoj unë tani, Sorosin me moral apo Sorosin amoral?
George Soros: Është i njëjti njeri. I njëjti njeri, që në një kohë të caktuar, angazhohet në aktivitete amorale, por pjesën tjetër të kohës bën përpjekje të ketë moral.

EPISODI 5 –  Fëmijëria, nazizmi
Gazetari: Ju jeni një hebre i Hungarisë, që në Luftën e Dytë Botërore u maskuat sikur ishit i krishterë…
George Soros: Ëhë…
Gazetari: Ju keni parë shumë njerëz që kanë përfunduar në kampet e vdekjes naziste…
George Soros: Unë isha 14 vjeç në atë kohë. Unë mendoj se pikërisht në atë kohë u brumos karakteri im.
Gazetari: Me çfarë brumi?
George Soros: Ti duhet të kuptosh, duhet të marrësh masa, t’i paraprish ngjarjeve dhe… ëëë … je nën kërcënim… ishte një kërcënim i tmerrshëm i djallit dora vetë. Dua të them që kjo ishte një përvojë e vërtetë personale me vetë djallin.
Gazetari: Protektorët tuaj ju adoptuan gjasme si fëmijën tuaj. Këta protektorë në fakt u implikuan në konfiskimin e pronave të hebrejve.
George Soros: Ekzakt… po.
Gazetari: Po kjo tingëllon si një nga ato përvojat që do t’i bënte shumë njerëz të shkonin në psikiatri. A ka qenë e vështirë për ju?
George Soros: Ë..ë… jo dhe aq në fakt. Jo dhe aq… mbase kur je fëmijë nuk i sheh ato lidhjet e padukshme, por këtë gjë nuk e kam pasur dhe aq problem.
Gazetari: Asnjë ndjenjë faji?
George Soros: Jo.
Gazetari: Për shembull, mendime të tipit, unë jam hebre dhe vetë, po shoh hebrejtë e tjerë që i çojnë atje; edhe unë mund të isha atje… për këto lloj mendimesh e kam fjalën.
George Soros: Hmmm… ëëëë…. patjetër që dhe unë mund të isha “në anën tjetër”, mund të më kishin marrë dhe mua, ëëë… por… ëëë… shiko, për ironi kjo punë është siç ndodh dhe në tregje. Edhe sikur të mos isha unë, dikush tjetër do ta bënte. Në një mënyrë ose një tjetër pronat do t’ua kishin zhvatur. Unë nuk kam asnjë rol në zhvatjen e atyre pronave. Prandaj nuk kam dhe ndonjë ndjenjë faji.
Gazetari: Jeni fetar?
George Soros: Jo.
Gazetari: Besoni në Zot?
George Soros: Jo.

EPISODI 6 – Spekulanti, kopuku
George Soros: Një herë Presidenti Mandela, më kërkoi se si mund ta mbronte veten Afrika e Jugut nga spekulantët si puna ime. Unë ia thashë atij, unë i shkrova një memo. U përpoqa që t’i ofroja atij këshillat më të mira që dija, se si mund të reduktohej sa më shumë ekspozimi i Afrikës së Jugut nga sulmet spekulative.
Gazetari: Pra, po e instruktoje se si të mbrohej para se ta “vrisje” sërish? Po i thoshe se çfarë duhet të bënte për të të ndalur ty apo jo?
George Soros: Shiko, unë apo dhe të tjerë bëjmë ato gjërat që ndodhin në tregje. Rezultati do të jetë i njëjtë. Unë nuk ndihem fajtor, sepse jam i angazhuar në një aktivitet amoral ku është e ndaluar të përjetosh ndjenja faji.
Gazetari: Pse qytetarëve amerikanë u ndalohet të investojnë në kompaninë tuaj “Quantum Found”, e cila është e regjistruar në parajsa fiskale?
George Soros: Sepse fondi im (kompania), nuk është e regjistruar në Komisionin Shtetëror të Këmbimeve dhe Sigurisë. Pra… ëëë… ne nuk jemi të regjistruar aty.
Gazetari: Pra, nuk keni licencë për të bërë biznes në SHBA sepse…
George Soros: Sepse (qesh)… ne nuk jemi të regjistruar në Komisionin Shtetëror të Këmbimeve dhe Sigurisë. Sepse për ne është më e leverdisshme të veprojmë në këtë mënyrë.
Gazetari: Pra, në njëfarë mënyre e ke bërë për t’iu shmangur rregullave?
George Soros: Po, ekzakt.
Gazetari: Por ju jeni ulur këtu, përballë meje dhe pretenduat më parë se kishte nevojë për të forcuar rregullat…
George Soros: Po… (qesh) dhe ato rregulla që do të na imponohen, ne do t’u bindemi. Ne ndërkohë jemi konform rregullave.
Gazetari: Një nga menaxherët e tu më tha se për të, ti ishe Zoti dora vetë.
George Soros: (Qesh) Nëse luan në tregje financiare dhe shkon me mendimin se je Zoti, është e sigurt që rezultati do të jetë dështimi dhe humbja. Fakti që unë nuk humb, tregon se mua nuk më gënjen mendja se jam Zoti.

Hashtag.al

Artikulli paraprakZyrtare, BE rikthen “vizat”? Lëvizje vetëm me “autorizim”
Artikulli tjetërDiaspora shqiptare në Belgjikë refuzon Ramën