Zyrtare, BE rikthen “vizat”? Lëvizje vetëm me “autorizim”

Komisioni propozoi dje krijimin e një Sistemi Evropian Informacioni dhe Autorizimi për Udhëtimet (ETIAS) për të forcuar kontrollet e sigurisë për udhëtarët pa viza. Kjo pason njoftimin e bërë në shtator nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij mbi gjendjen e BE-së 2016 dhe është rezultati i parë i përparësive për veprimet e identifikuara në Planin e Veprimit të Bratislavës. ETIAS do të mbledhë informacion mbi gjithë ata që udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian për të lejuar kontrolle të avancuara për migrimin e parregullt dhe sigurinë. Kjo do të kontribuojë për një menaxhim më efikas të kufijve të jashtëm të BE-së dhe do të përmirësojë sigurinë e brendshme, ndërsa do të lehtësojë në të njëjtën kohë udhëtimet e ligjshme përmes kufijve Schengen.
Zëvendëspresidenti i parë, Frans Timmermans tha: “Sigurimi i kufijve tanë dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është prioriteti ynë i parë. ETIAS do të mbyllë një hendek informacioni duke verifikuar informacionin e aplikantëve të përjashtuar nga vizat kundrejt gjithë sistemeve tona të tjera. Njëkohësisht, sistemi i ardhshëm ETIAS do të jetë i lehtë, i shpejtë, i lirë dhe efektiv”.
Komisioneri për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos tha: “ETIAS është hallka e munguar në menaxhimin tonë të kufijve, që lidh pikat me politikat tona të migrimit dhe sigurisë dhe forcon hyrjen Schengen për të paktën 95% të udhëtarëve pa viza. Hapja e Evropës nuk vjen me koston e sigurisë së saj”.
Komisioneri për Bashkimin për Sigurinë, Julian King tha: “Terroristët dhe kriminelët nuk merakosen shumë për kufijtë kombëtarë. E vetmja mënyrë për t’i mposhtur ata është duke punuar së bashku në mënyrë efektive. ETIAS do të ndihmojë për ta bërë këtë: duke pikasur individualë problematikë dhe duke i ndaluar të hyjnë ne do të forcojmë sigurinë e brendshme të Evropës”.
Autorizimi ETIAS nuk është vizë; ai është një regjim më i lehtë dhe më miqësor me vizitorët. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do të duhet të marrin një autorizim të thjeshtë udhëtimi para se të udhëtojnë në zonën Schengen. Kjo do të ndihmojë për të identifikuar personat që mund të paraqesin risk për migrim të parregullt apo risk sigurie para se ata të mbërrijnë në kufi, si dhe forcon shumë sigurinë e kufijve të jashtëm. ETIAS do të bashkojë gjithashtu një hendek ekzistues informacioni mbi udhëtarët pa viza, duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e shteteve anëtare para se ata të mbërrijnë në kufirin Schengen. Prandaj ETIAS është një hap përpara me rëndësi drejt sistemeve më të forta dhe më të zgjuara të informacionit për kufijtë dhe sigurinë. ETIAS do të lehtësojë gjithashtu kalimin e kufirit të jashtëm nga shtetas të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat. Udhëtarët do të kenë një tregues të hershëm të qëndrueshëm të hyrjes në zonën Schengen, çka do të reduktojë kështu shumë numrin e refuzimeve të hyrjes.
Me qëllim që të vendoset të jepet apo të refuzohet një kërkesë për udhëtim në BE, një sistem i automatizuar do të kryejë kontrolle paraprake, në përputhje të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të të gjithë udhëtarëve do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat.
ETIAS do të menaxhohet nga Roja Evropiane e Kufirit dhe Brigjeve në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kompetente të shteteve anëtare dhe Europol-in. Agjencia eu-LISA do të hartojë dhe sigurojë menaxhimin teknik të këtij sistemi informacioni.

Funksionet kyçe të ETIAS do të jenë të:

Verifikojë informacionin e paraqitur nga shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat (si informacion lidhur me identitetin, dokumentin e udhëtimit, informacionin mbi rezidencën, detaje kontakti, etj.), përmes një aplikimi online para udhëtimit të tyre në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të vlerësuar nëse paraqesin risk për migrim të parregullt, për sigurinë apo shëndetin publik;
Përpunojnë automatikisht çdo aplikim të paraqitur përmes një uebsajti apo një aplikim me celular kundrejt sistemeve të tjerë të informacionit të BE-së (si SIS, VIS, baza e të dhënave e Europol-it, baza e të dhënave e Interpol-it, EES, Eurodac, ECRIS), një listë të dedikuar sigurie të ETIAS (përcaktuar nga Europol) dhe rregulla kontrolli të shënjestruara, proporcionale dhe të përcaktuara qartë për të vendosur nëse ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të lëshuar apo refuzuar një autorizim udhëtimi;
Lëshojnë autorizime udhëtimi. Në rastet kur nuk identifikohen të dhëna apo elementë që kërkojnë analizë të mëtejshme, autorizimi i udhëtimit lëshohet automatikisht disa minuta pas paraqitjes së aplikimit.
Autorizimi do të merret përmes një procedure që është e thjeshtë, e lirë dhe e shpejtë; në shumicën e rasteve, një autorizim duhet dhënë brenda pak minutave. Autorizimi, aplikimi për të cilin nuk do të duhet më shumë se dhjetë minuta për t’u plotësuar dhe që kërkon vetëm një dokument të vlefshëm udhëtimi, do të jetë i vlefshëm për një periudhë pesëvjeçare dhe për shumë udhëtime. Një tarifë aplikimi prej vetëm 5 € do të aplikohet për të gjithë aplikantët mbi 18 vjeç.

Çfarë është Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS)?

ETIAS do të jetë një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në zonën Schengen. Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Schengen, do të duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre. Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të risqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.
Autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen, që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre.
Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit. Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të udhëtarëve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të riskut të shtetasve të vendeve të treta, si dhe do të reduktojnë shumë numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit.

Si do t’i trajtojë ETIAS hendeqet ekzistuese të informacionit?

Aktualisht autoritetet kompetente të kufirit dhe zbatimit të ligjit kanë pak informacion mbi ata që janë të përjashtuar nga vizat – ndërsa kanë informacion mbi njerëzit që udhëtojnë me viza.
Duke siguruar që gjithë vizitorët të kontrollohen para mbërritjes së tyre dhe që një autorizim i vlefshëm udhëtimi kërkohet për gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat, ETIAS do të identifikojë personat që mund të paraqesin risk për sigurinë apo për migrim të parregullt para se ata të mbërrijnë në kufi dhe do ta trajtojë këtë hendek informacioni mbi udhëtarët pa viza duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e kufirit dhe zbatimit të ligjit të shteteve anëtare.
Si i plotëson ETIAS sistemet ekzistuese të informacionit për kufijtë dhe sigurinë?
Në përputhje me strategjinë e ndërveprimit të propozuar në Komunikatën mbi Sisteme Informacioni më të Fortë dhe më të Zgjuar për Kufijtë dhe Sigurinë e datës 6 prill 2016, ETIAS është planifikuar të jetë ndërveprues me sistemet ekzistues, si dhe sistemet aktualisht ende në zhvillim, si sistemi i hyrje-daljeve (EES).
Sa më shumë të jetë e mundur dhe kur është teknikisht e arritshme, Sistemi i Informacionit ETIAS do të ripërdorë komponentët harduerë dhe softuerë të EES dhe infrastrukturën e tij të komunikimit. Gjithashtu do të vendoset ndërveprim me sisteme të tjera të informacionit që do të konsultohen nga ETIAS, si Sistemit i Informacionit të Vizave (VIS), të dhënat e Europolit, Sistemi i Informacionit Schengen (SIS), Eurodac dhe Sistemi Evropian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).
ETIAS dhe EES do të ndajnë një depozitë të përbashkët të dhënash personale të shtetasve të vendeve të treta, me të dhëna shtesë nga aplikimi ETIAS (për shembull, informacion mbi rezidencën, përgjigje për pyetje mbi të kaluarën, adresën IP) dhe dosjet hyrje-dalje të EES të ruajtura veçmas, por të lidhura me këtë dosje të përbashkët dhe të vetme identifikimi.

Kundrejt cilave baza të dhënash do t’i verifikojë ETIAS të dhënat e udhëtarëve?

Kur verifikon dhe vlerëson informacionin e paraqitur nga udhëtarët e përjashtuar nga vizat me qëllim që t’u jepet apo mohohet një autorizim udhëtimi, sistemi do të verifikojë automatikisht çdo aplikim kundrejt:
Sistemeve përkatës ekzistues të informacionit të BE-së;
Sistemit të Informacionit Schengen (SIS);
Sistemit të Informacionit të Vizave (VIS);
Të dhënave të Europolit;
Bazën e të dhënave Eurodac;
Sistemeve të propozuar të ardhshëm të informacionit të BE-së:
Sistemi Hyrje/Dalje (EES);
Sistemi Evropian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).
Bazave përkatëse të të dhënave të Interpolit:
Bazën e të dhënave të Dokumenteve të Vjedhura dhe të Humbura të Udhëtimit të Interpolit (SLTD);
Dokumentet e Udhëtimit të Interpolit të shoqëruara me bazën e të dhënave të njoftimeve (TDAWN);
Si dhe një listë të dedikuar mbikëqyrjeje të ETIAS (që do të krijohet nga Europoli).

Si do ta përmirësojë ETIAS sigurinë e qytetarëve të BE-së?

Duke siguruar informacion jetik mbi sigurinë, migrimin e parregullt dhe risqet për shëndetin publik para mbërritjes së një personi në kufirin Schengen, ETIAS do të kontribuojë shumë për mbylljen e hendeqeve ekzistues të informacionit mbi sigurinë dhe do t’u sigurojë informacionin jetik të nevojshëm autoriteteve të shteteve anëtare për t’i ndihmuar të piketojnë individët potencialisht problematikë, si dhe për të marrë masa para se ata të mbërrijnë në kufijtë e jashtëm Schengen.
Në mënyrë më specifike, një identifikim më i mirë dhe më i saktë i risqeve potenciale për sigurinë e shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat para se të mbërrijnë në kufirin e jashtëm të zonës Schengen do të përmirësojë zbulimin e trafikimit të qenieve njerëzore (veçanërisht në rastin e të miturve), do të ndihmojë për t’i bërë ballë kriminalitetit ndërkufitar, si dhe përgjithësisht do të lehtësojë identifikimin e personave prania e të cilëve në zonën Schengen mund të përbëjë kërcënim për sigurinë. Kështu ETIAS kontribuon në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve në zonën Schengen dhe rrit sigurinë e brendshme të BE-së.
Të dhënat e ruajtura në ETIAS, në respekt të të drejtave themelore dhe mbrojtjes së të dhënave, mund të vihen gjithashtu në dispozicion të autoriteteve kombëtare të zbatimit të ligjit dhe Europolit, nëse është e nevojshme për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimeve terroriste apo vepra të tjera penale serioze, si dhe për identifikimin e autorit të një vepre terroriste apo krimi tjetër serioz.

Cili është ndryshimi mes një vize Schengen dhe një autorizimi për udhëtim ETIAS?

Para së gjithash, ETIAS nuk është vizë. Një udhëtar pa vizë sigurisht që nuk ka nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen. ETIAS nuk do ta ndryshojë këtë. ETIAS është një sistem më i lehtë, shumë më i lirë, më i shpejtë dhe më miqësor me vizitorët që në më shumë se 95% të rasteve do të rezultojë me një përgjigje pozitive brenda pak minutave. Nuk mund të krahasohet me një vizë Schengen. ETIAS është një hap procedural i nevojshëm dhe i vogël për gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat, që do t’u mundësojë atyre të shmangin burokracinë dhe vonesat kur paraqiten në kufij. Prandaj ETIAS jo vetëm që do të respektojë plotësisht statusin pa viza, por edhe do të lehtësojë kalimin e kufirit të jashtëm Schengen për qytetarët e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat dhe do t’u mundësojë vizitorëve pa viza të gëzojnë plotësisht statusin e tyre.
Një autorizim udhëtimi ETIAS nuk nënkupton kërkesat e një vize.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRrëfimi i Xhorxh Soros për veten: Jam për të bërë para si spekulant