Rrëfimi i dëshmitarit të revoltës së Qafë Barit, Visar Zhiti: Me leva, thika e djegie të librave të diktatorit

Si nisi revolta e Qafë-Barit
Ngjarja e bujshme e 22 majit ’84 në librin “Ferri i çarë”
Shpërthimi pas rrahjes nga policët të disa të burgosurve për mosplotësimin e normës.visar zhiti 2

Nga VISAR ZHITI

Askush më mirë se ai nuk e di se ç’do të thotë jetë dhe vdekje, burg dhe liri. Visar Zhiti pa dyshim është duke jetuar një jetë të dytë. Përgjatë viteve të gjata të burgut, nga Spaçi në Qafë-Bari priste vdekjen pas dere. Çdo ditë hynte në galeri duke u lutur që ta shihte sërish diellin. Në librin e tij “Ferri i çarë”, Zhiti kthehet pas në kohët e makthit. Është burgologjia e tij dhe e bashkëvuajtësve, shumë prej të cilëve u dha lamtumirën në zgafellet e tuneleve, apo u qëlluan nga rojet e burgjeve pas shpine. Mes 560 faqeve libër, të cilat të mbajnë mbërthyer veçojmë një prej ngjarjeve, që nuk i përket vetëm autorit. Ai ka qëlluar të jetë pjesëmarrës dhe dëshmitar në revoltën e Qafë-Barit. Si nisi revolta që pasoi atë të Spaçit dhe hyri në histori si një nga revoltat e përgjakshme antikomuniste. al.mi
RRETHI I REVOLTËS, TË NGRIHESH KUNDËR SHTYPËSVE DHE MASHTRUESVE
(me diktatorin mbase të vdekur, s’merrej vesh, por me diktaturën tmerrësisht të gjallë…)
…Filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.
Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.

Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën. Po pse? S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë. E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lamë kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé.” “Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni. Urdhër i komandës. Prapë në ndërresën e parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim.” “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën.” “Në darkë prapë.” “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë.” “Po i kujt, yni?” – bërtisnin policët.
“Po i kujt? Juaji!” – ia kthenin të burgosurit.
Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka.
Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…
Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë…..

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse.
“Ce s’e betë normën (j)uve, të dënuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për historira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa.”
“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste. “Ce, ë?” – pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale me dialekt Jugu e Veriu.
U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofullshtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, – iu hakërrua polici. – Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës.” “Në çfarë?” – pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj. Në krim, – bërtiti oficeri i rojës. – Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku?” Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni!” Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh. Policët lëvizën.
Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulërimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp? – thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten.
Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej. Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot. Të tjera tryeza u ngritën havadan.
***
Dera qe bllokuar nga të burgosur. Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, – u ndie një çjerrje, – ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi.

Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin. Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin. Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos!” Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën.
Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. Shqyjeni derën, shtyhuni, palli një zë. Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anekënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mensës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi.
***
Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh! Dhe u prapsua teksa shihte të burgosur që hidheshin mbi policët, e të burgosur të tjerë, që mundoheshin të përmbanin shokët e tyre. Po priste i pataksur të hidheshin edhe mbi të, u nëpër mend që revolver s’kishte. Pse s’lejohej ta kishte me vete mes të burgosurve? Veç këllëfi i tij bosh i varej mbi brez pa kuptim.

Më mirë, se do t’ia kishin rrëmbyer armiqtë. Po ç’të bëj? Të rri, të iki, po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë. Në sallë, pa lëvizur, i vetmuar, po rrinte vetëm Zoi i Myzeqesë. S’dal, thoshte, pa u dhënë urdhri. S’i shkel rregullat unë. Jam kundërshtar si Sokrati. Këtu do të rri, një orë, dy ditë, një javë, derisa të vijë urdhri. E ngrinte zërin që të kishte dëshmitarë se kishte thënë pikërisht kështu gjatë gjullurdisë. Punonte te motorët e ajrit, vend pëllumbash për në burg. Pupla në ajër, shkrofëtima. Oficerit të rojës iu qas një bashkëfshatar i burgosur. Ç’do ai, ka ndonjë hakmarrje për të kryer? Ik, i tha, mbathja, shpëto kokën! Nuk e kupton?
Kryengritje! S’dihet ku do të dalë. Ik, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët? – ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit? – mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin…? – dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes. Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet midis gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh! Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish.

S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyhu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!” – u dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?
Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…
Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: Ç’do të bëjmë? T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër, se kush thirri.
Policët e mbetur, ashtu të shqyer dhe me vurrata të zeza në fytyrë, pa folur, morën udhën për nga porta e madhe. Kush i ka çelësat, kush, t’ua marrim. Jo, jo, as ata s’kanë çelësa, kur futen brenda, por i kanë jashtë te komanda. Të vërsulemi, nuk duroj dot. Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!?…

Ç’shpresë kishte e ç’mund të bëhej? Të bëjmë atë që na takon. Çfarë, thuaje. Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi, në Spaç, në revoltë? Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanderi e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do të shkoj dhe unë, tha Skënder Tufa, më i riu, por fare i dobët, sa as në galeri nuk duhej ta futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet, por ai shtynte vagonë me mua. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdat. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…
Di unë ku ka gurë e tulla shumë, shembim murin. Si u bë i plagosuri? Jashtë rrezikut. Po ata që u kacafytën me policët? E fshinë gjakun… Të burgosur të tjerë po nxitonin drejt depos sonë të ushqimeve, të merrnin ç’kishin, ta mbanin te vendi i fjetjes nën kujdes, mund t’i bombardonin depot a t’i digjnin me flakëhedhëse. Munden që nga larg?… Ku janë oficerët tanë? Këtu! Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave. Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.

Ne ç’të bëjmë tani me dorëshkrimet tona? Të shqyejmë depot e burgut, të marrim bukën, makaronat, fasulet dhe orizin e kuzhinës. Jo, jo, rregull! – thirri një zë. Dhe dinjitet. Spiunët e burgosur donin të dorëzonin menjëherë çelësat e depove ku punonin, po kujt? Ndërkohë përgjonin. Që, nëse do të duhej të dëshmonin, të ishin të saktë. Këtu çelësat, këtu, grumbullojini këtu!… Disa nga ata i treguan menjëherë pseudonimet, sekretet dhe donin të bashkoheshin me kryengritësit. Spiuni i bibliotekës shtirej i qetë. Librat s’i ha as qeni, thoshte. Thuhet për paratë, i tha dikush. S’ka nevojë të djegim libra, ulërinte një hollak, të kujtdo qofshin. Spiunët t’i mënjanojmë. Na prishin punë. Do t’u bëjnë shenja atyre të komandës, jashtë rrethimit. Të shkojmë në galeri, të çajmë ndonjë dalje té fshehtë, të ikim. Edhe në revoltën e Spaçit donin t’i asgjësonin spiunët. Në fillim të urrejmë ata që na i bënë spiunë bashkëvuajtësit, thanë. Lërini akademitë, jemi në revoltë, bërtiti përsëri një gjatosh.
Kali, Nikolla. Të burgosurit qenë shpërndarë kudo, të lirë, grupe-grupe, të vetmuar, pa rreshta, për herë të parë kështu, brenda telave me gjemba, të shkujdesur, te shkallët, nëpër fjetore, ca vendosën të shtriheshin oborreve, bisedohej me zë të lartë, gjithë shqetësim, dëgjoheshin porosi, kërkesa se ç’duhej të bënin, një kafe dua, ç’presim, të zgjedhim drejtuesit, janë, por të fshehtë, t’i mbrojmë me trupat tanë, ne jemi, ne, s’ka tjetër, jemi të humbur, të vdesim, aq më mirë. S’rrohej ashtu. Drejtuesit e zyrës teknike dhe të riedukimit mundoheshin të mbanin qetësinë e përgjithshme, megjithëse s’ishin të qetë as vetë. Të mbrojmë njëri-tjetrin.
Dëmi të jetë sa më i paktë… Ngjyra tullë e veshjeve tona dukej më e padurueshme se kurrë e ato me vija zebre, më të acarta. Ca nxorën nga thasët veshje të tjera, këmishë civile, gjithë rrudha nga të ndenjurit e përjetshëm. Dhe ç’dritë paska sot! Ngaqë s’ka policë brenda. Shiko rrethimin, po i shtojnë ushtarët. Shiko, shiko, nuk janë vetëm nëpër kullat, por edhe midis tyre. Më këmbë. Kanë zënë pozicione lufte. Kanë vënë dhe helmetat në kokë. Paskan dhe çantën e kundërgazit hedhur supeve. Sa të marrë që janë! Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg, se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni…

Artikulli paraprakPerandoria e drogës së Agron Xhafës, nga lokalet e luksit, tek lojrat e fatit e ndërtimet, nuk preket
Artikulli tjetërReagimi është i qytetarëve