Rrathët e krimit

Frrok ÇUPI

Me rrathët e krimit, herën e fundit, ka ndodhur jo si me rrathët e ujit. Hera e fundit, do të thotë këto vitet post-diktaturë. Herën para kësaj, dmth., në vitet e qeverisjes komuniste, në më të shumtën, rrathët e krimit kishin bërë të njëjtën kahje si rrathët e ujit: Ishin nisur nga qendra dhe përfunduar në periferi. Qendra u bë si pika e gurit, aty nisin të gjithë rrathët e krimit. Regjimi komunist, një regjim centrist me simbolin e grushtit, gjeneroi gjithë krimin, duke u nisur nga qendra, dmth., nga vetja. Këtu, dmth., në zyrat qëndrore të Partisë, në “Gestapon” e Sigurimit dhe në bllokun e Polit-byrosë, u projektua dhe gjeneroi krimi kundër njeriut kudo në Shqipëri. U vranë, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan me mijëra. Të gjithë u ekzekutuan me një urdhër që nisej nga qendra.
Kësaj here duket sikur fenomeni ka marrë kahjen ndryshe: Krimi vjen nga periferia dhe po i merr frymën qendrës. Krimi më i fundit ndodhi në zonën e ish-Bllokut. Pak ditë më parë, në hotelin kryesor të kryeqytetit dikujt iu grabitën me forcë miliona lekë. Në mes të bllokut ka ndërruar jetë, i vrarë barbarisht, bankieri më i famshëm i vendit. Në qendër të kryeqytetit u kërcënuan rektorët e Universitetit. Në qendër të qytetit po kryhen krimet më makabre. Kronikanët e ngjarjeve kriminale, sado pa eksperiencë, kanë mësuar të paktën se “ish-Blloku” është zona ku më së shumti kryhen krimet dhe lahen hesapet.
Vite të shkuara ishte ndryshe… Kronikat njoftonin për zënie pusie rrotull gëmushave të Myzeqesë, për kacafytje dhe grabitje emigrantësh në kufirin jugor, për vrasje për gjakmarrje të vjetra në zonat e Veriut, për çmenduri me copën e tokës ose vadën e ujit nëpër skerkat e vendit…. Tani krimi kryhet në qendër, në kryeqytet.
…. Sipas ligjësive normale qytetëse, krimi duhej të ishte larguar nga qyteti, duhej të kishte ikur duke “iu zënë fryma” nga aroma qytetëse.
Çfarë ka ndodhur kështu, krimi po rrethon qendrën?, apo qendra po thith krimin? Kjo është çështja.
Më duket se në vend që krimi, si atavizëm i jetës më primitive, të mos guxonte të afrohej me qytetin dhe qytetërimin, po ndodh e kundërta.
Rrathët e krimit që kanë marrë kahjen nga periferia drejt zemrës së qytetërimit. Po na jipen sinjale të kobshme; sinjale që njerëzimit, qysh nga epkat antike e deri në epokën e re, i kanë lënë  gjurmë.
1.
Ka ndodhur me Ferrin e Dantes, por në vitin 1300. Dante, së bashku me Virgjilin (poeti romak), i bënë më këmbë të nëntë rrathët e Ferrit. Edhe Ferri i Dantes niste nga periferia e shkonte në qendër të tokës. Të dy, poeti Virgjil dhe poeti Dante, e bënë rrugën e Ferrit nga periferia për në qendrën e tokës. Çfarë e përafron Danten me ngjarjen e tanishme të rrathëve, është inversi i fajit të ndëshkuar. Në Ferrin e Dantes u ndëshkuan tre krime: Mospërmbajtja, Dhuna dhe Mashtrimi.
Qendra e Qytetit tonë (njësoj si qendra e botës te Dante) nuk i ndëshkon tre krimet e komedisë hyjnore. Këtu ndodh e kundërta, këtu nuk ka ferr për krimin dhe fajin. Këtu krimi ka rrethuar qytetin; qyteti ka strehuar tri krimet e mëdha të ndëshuara nga Ferri. Këtu është instaluar Mospërmbajtja para pasurimit të një pakice me pushtet. Këtu është instaluar Dhuna që tashmë është bërë prezente mbi njeriun e vobektë, mbi të drejtën e individit, mbi familjen dhe parkun e tij. Këtu është instaluar Mashtrimi, duke u nisur nga kupola e Qytetit që është qeveria. Tanimë kemi ballëpërballë një qytet me qytetarë të mashtruar dhe me qeveri që mashtron.
Këto e kanë kthyer kahjen e krimit nga periferia drejt Qytetit.
2.
Krimi po bjerr vlerat e Qytetit. Njësoj si në epokën e Brehtit.
Krimi e ka kuptuar se vlerat e Qytetit janë në ditën më të keqe dhe prandaj është sulur. Vlerat e Qytetit klasikisht janë libri, teatri, muzika, arti, kultura dhe njerëzit që krijojnë e përfaqësojnë vlerë. Këto po shtypen e po dhunohen në mënyrën më të egër, në radhë të parë nga politika. Krimi vjen pas saj.
Tashmë jemi në fundin e epokës së vlerës në Qytetin tonë. Vendi ku takohemi në mëngjes e në mbrëmje nuk është më as Teatri, as Kinemaja, as Opera, as Libraria, as Mjedisi me “mjekëroshë” të artit, as Universiteti. Jo. Takimi tanimë bëhet aty ku ndahen paratë e drogës, të trafikut njerëzor dhe të vrasjeve. Skuadrat e vrasjes me pagesë janë kthyer në qendra biznesi. Veç atje ka vende pune pa hesap, Panairi i Punës hapet kot së koti. Aq më i kotë bëhet Panairi i Artit. Le që askush nuk mban mend Panair Arti…
Takimi në qendër të Qytetit tani është aty ku janë zhdukur vlerat e kulturës dhe të shpirtit të njeriut. Kriminelët takohen për të sulmuar Universitetin dhe Akademinë. Risia më e madhe: Qeveria i ka kthyer në qendra takimi pikat ku është vrarë, ku është varur dhe përgjuar njeriu. Bunkerët, “Shtëpia me gjethe”, sarkofagu i diktatorit-ja këto janë pikat e takimit në qytet.
Në Parlament takohen njerëzit e krimit. Në gjykata, në prokurori, sidomos në Polici. Këtu takohen ata të krimit si në shtëpinë e tyre.
… Qyteti një komoditet jo për qytetërimin, por për krimin. Vlera ka ikur. E dini si ndodhi me Brehtin. Bertold Breht, një poet i njohur i epokës së Nazizmit, shkroi dramën “Artuto Ui”, (farsa politike e shekullit 20), ku vihej në lojë Hitleri. Pas kësaj, Breht u zhduk nga Gjermania drejt periferive të largëta të saj, në Suedi, në Danimarkë, në Finlandë….
Në qendër do të rrinte o krimi hitlerian, o poeti…
3.
Krimin po e ushqejmë vetë, ne të mjerët e krimit po ushqejmë krimin. Ju duket çudi?..
Ja fakti më i fundit dhe njëkohësisht i vogël në hierarkinë e krimit. Vrasja e fundit që ndodhi në qendër të Qytetit, sipas dëshmive u krye nga një vrasës i ftohtë dhe njohës i armës. Ekspertët thonë se vrasësi ishte i stërvitur në Polici. Edhe logjika e thjeshtë e thotë. Po ky vrasës i ftohtë është ushqyer prej nesh, për t’u kthyer në Qytet si vrasës për ne…
Fakti tjetër, shumë më i rëndë. Dje ministri i Drejtësisë iu drejtua qytetarëve dhe iu tha që të dendoncojnë krimin ” jo dokudo”, por në Prokurori. Ministri i Drejtësisë la të nën kuptohej se “po denoncove në polici” u ktheve në viktimë të krimit…. Kemi kaq kohë që policia denoncohet si vendi i krimit. (Policia ka edhe fjalë të afërt me qytet, “polis”, sipas greqishtes së lashtë. Kjo të jetë arsyeja e fundit pse “polisi” përqendron krim?)
Në njëmijë mënyra vërtetohet se vetë ne, ditur a pa ditur, po ushqejmë krimin dhe po e joshim nga periferia për në qendër.
Çfarë po na ndodh kështu? Krimi po rrethon Qytetin!? Ky do të ishte fundi.

Artikulli paraprakBukuria e tmerrshme e tiransit Mentor
Artikulli tjetërDenoncimi i të moshuarës: Si ma grabiti pronën Shullazi me Danin