Ronaldo s’ka çmim

Nga çështja Ronaldo tek interesimi për talentet e futbollit europian Mbappe e Donnarumma e deri tek mandati i radhës në krye të Realit të Madridit. Pas rizgjedhjes si president i Los Blancos deri në vitin 2021, Florentino Perez rrëfen për “Marcan” lëvizjet në merkato. Duke nisur me Cristianon, i cili akuzohet për evazion fiskal:
“Duhet të bisedoj me të. Nuk jemi takuar akoma sepse nuk dua ta shqetësoj tani që është i grumbulluar dhe i fokusuar në kombëtaren e Portugalisë. Nuk di asgjë çfarë kanë shkruar apo thënë të tjerët, por mendoj se Ronaldo është personi që është ndjerë më keq nga kjo histori. Jam dakord me të: disa media e kanë konsideruar kriminel, ndërkohë që një person i ndershëm profesionalisht si ai e ka të vështirë ta kuptojë këtë sjellje. Prezumimi i pafajësisë në këtë rast nuk është marrë në konsideratë”, u shpreh Perez.
Kur pyetet për të ardhmen e portugezit, Perez është i vendosur: ai nuk preket. Kur u pyet se sa është çmimi për Ronaldon, Perez tha se nuk ka çmim për të. “Nuk kemi marrë asnjë ofertë. Ajo që mendojmë është që Ronaldo është futbollist i Realit të Madridit dhe do të mbetet i tillë si lojtarët e tjerë. E përsëris nuk ka çmim për të”, tha presidenti i Real Madridit.
Sigurisht që një klub i madh si Reali nuk mund të qëndrojë pasiv në merkato. Përkundrazi është gati të hidhet në sulm për talentet më të mëdhenj të futbollit europian, për kampionë që mund ta ruanin statusin fitues të Realit edhe për vitet e ardhshme. “Po ndjekim me shumë vëmendje Mbappe-në, portierin e Milanit, Donnarumma dhe Vinicius dhe të rinj të tjerë premtues. Reali i Madridit do ta shfaqë interesimin në momentin e duhur. Te klubi ynë kanë ardhur gjithmonë futbollistët më të mirë në botë”, tha ai. Fakti që menaxher i Dunnarummës është Mino Raiola, nuk është problem për Perez. “Përveç rastit Pogba, nuk kemi patur mundësi për të biseduar me të për lojtarët e tij. Vitin e kaluar ishte e pamundur, të shohim çfarë do të ndodhë këtë verë. Kur Zidane të përfundojë pushimet, do të mësojmë se çfarë mendon për Donnarummën”, përfundoi Perez.
Perez, presidenti i Real Madridit, ka zbuluar se Alvaro Morata do të mbetet në skuadër edhe në sezonin e ardhshëm. Ai ka mohuar spekulimet e mediave se ka arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për shitjen e Moratës për 75 milionë euro. “Unë nuk mendoj se ai do të largohet fare. Askush nuk dëshiron që Morata të largohet”, ka deklaruar Perez për “Onda Cero”. “Unë nuk kam biseduar me Moratën apo me të atin, jemi të lumtur me të. Kam lexuar se ka një marrëveshje për 75 milionë euro për të, por nuk ka asgjë”, ka theksuar ai.
Madje, Perez ka insistuar se edhe James Rodriguez nuk do të largohet nga kampionët e Evropës dhe Spanjës. “Ne nuk shohim ndonjë arsye për të mos vazhduar me lojtarët që kemi, përfshirë James”, shtoi ai. “James është një lojtar i Madridit. Askush nuk na ka thënë asgjë dhe ne jemi të kënaqur me të”, ka përfunduar Perez.

Artikulli paraprakE do Augsburg, e ardhmja e Rei Manajt jashtë Italisë
Artikulli tjetërLewandowski “kriset” me Bayernin