Ronaldo jashtëtokësor

Trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane, në një intervistë për “Bein Sports”, ka folur mbi të ardhmen e tij, marrëdhënien me presidentin Florentino Perez dhe yjet e skuadrës që drejton. Mbi hapat e para në karrierën me ekipin e parë të Realit, Zizu u shpreh: “Marrëveshja me Florentino Perez ishte diçka shumë e shpejtë. Unë po përgatisja një ndeshje të ekipit tonë B, kur Perez më telefonoi dhe më propozoi që të merrja drejtimin e skuadrës së parë. Kjo është mënyra se si Florentino i merr vendimet. Planet e tij janë gjithmonë shumë të qarta. Ai e di se ku shkon dhe se çfarë kërkon”.
Për sa i përket stilit të lojës së aplikuar nga formacioni i drejtuar prej tij, ish-kampioni i botës tha: “Unë kërkoj që lojtarët e mi të luajnë sa më mirë. E di që kam një organikë me futbollistë të jashtëzakonshëm. Mënyra më e mirë për të mos vrapuar dhe për të mos u lodhur, është që të mbajmë topin. Gjithmonë përpiqemi të ruajmë zotërimin e tij më shumë se rivali, qoftë edhe sikur të kemi përballë një skuadër si Barcelona”.
Raporti me Kristiano Ronaldon ishte një nga temat interesante të intervistës së Zizusë, i cili nuk ngurroi të shpjegonte se si e bindi për të qëndruar në stol: “Kristiano është një djalosh shumë inteligjent, ai e njeh mirë veten, ndaj ishte e lehtë ta bindja kur duhej të pushonte. Kam futbollistë që mund të besojnë tek unë dhe mendoj se po e bëjnë. Ronaldo është një shembull për të gjithë ekipin dhe ai është më i miri”.
Kur erdhi biseda te virtytet dhe defektet, tekniku francez nuk u rezervua duke rrëfyer se: “Jam një person që duron shumë, por gjithashtu edhe të bërtas. Zakonisht i them në sy ato që mendoj”. Për sa i përket të ardhmes në stolin e kampionëve të Europës, ai u përgjigj shkurtimisht duke deklaruar: “Jam trajneri aktual i skuadrës, nuk mund ta di edhe për sa kohë”.
Pyetja e fundit e intervistës kishte të bënte me jetën dhe karrierën e Zinedine Zidanit nëse nuk do të ishte bërë futbollist e rrjedhimisht trajner i suksesshëm. Edhe këtu Zizu habit ashtu siç bënte në fushën e lojës duke deklaruar se: “Nëse nuk do të kisha ecur në futboll, do të kisha punuar si shofer transporti”.
Në lidhje me “tenorët” që janë edhe baza e sukseseve të tij, Zidan sqaroi: “Ramos është një lider, Ronaldo një jashtëtokësor dhe Benzema një talent i pastër”.
Francezi insiston se Ronaldo është nga një tjetër planet. Ronaldo këtë sezon është favorit për ta fituar Topin e Artë të pestë në karrierë, duke u barazuar kështu me Leo Messin.

Artikulli paraprakReali dhe Barça, ndeshje në Azi?!
Artikulli tjetërCR7 fle 5 herë nga 90 minuta