Rivlerësimi i pronave, aplikimet 6% më pak në prill

Aplikimet për rivlerësimin e pronave kanë pësuar rënie gjatë muajit prill. Të dhënat e fundit nga  Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) tregojnë se, deri në fund të muajit prill, numri i aplikimeve u ul me rreth 6% në krahasim me muajin paraardhës. Shifrat zyrtare tregojnë se ecuria e aplikimeve që nga janari ka ardhur në rënie dhe kjo sipas ekspertëve lidhet edhe me mungesën e likuiditetit.
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Niveli i taksimit llogaritet në 2% për individët nga 15%. Ndërkohë afati i fundit për të bërë rivlerësimin e pronës dhe për të përfituar nga niveli 2% i taksës është data 31 maj 2017.
Në total 14,657 persona morën shërbime gjatë muajit prill pranë këtij institucioni. Numri i aplikimeve në total u llogarit në 9,887, ndërsa ai i ankesave në 289. Sipas të dhënave nga ADISA, tremujori i parë i vitit 2017 ishte edhe më i ngarkuari sa i përket trajtimit të aplikimeve që erdhën nga qytetarët për shërbimet që ofrohen pranë kësaj agjencie. Për periudhën janar–mars 2017, numri total i aplikimeve u llogarit në 31,361.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore për Shqipërinë është vlerësuar ofrimi i shërbimeve të integruara me një ndalesë dhe se kjo ka ulur korrupsionin, ka rritur vëmendjen ndaj qytetarit dhe ka përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike në Shqipëri bazuar në standardet më të mira të kujdesit ndaj klientit.

Artikulli paraprakKandidatë nga gjyshja tek halla, listat e aleancës-Rama
Artikulli tjetërUdhëtimet pa vizë, shmangia e taksave dhe reputacioni ndërkombëtar